Kritika dhe protestë kundër vendimit të Kuvendit që u mbyll dyert gazetarëve: Cënim i pastër i punës së medias

Jun 8, 2021 | 16:40
SHPËRNDAJE

Protesta mediaVendimi i Byrosë së Kuvendit për të mbyllur aksesin dhe raportimin e pavarur nga komisionet parlamentare ka irrituar gazetarët dhe është shoqëruar me kritika nga organizatat e shoqërisë civile.

Përmes një njoftimi të shpërndarë të martën në Facebook, gazetarët e akredituar pranë Kuvendit paralajmëruan një protestë kundër kësaj vendimmarrjeje, e cila parashikohet të zhvillohet të mërkurën në orën 9:30.

“Vendimi i Byrosë së Kuvendit për të përjashtuar gazetarët e akredituar nga aksesi i komisioneve parlamentare është cenim i pastër i punës sonë dhe lirisë së medias,” thuhet në njoftimin që gazetarët shpërndanë në faqet e tyre në Facebook.

Më 2 qershor, Kuvendi publikoi në faqen e vet të internetit vendimin e Byrosë për ndryshimin e një rregulloreje të vitit 2014, e cila sanksionon se gazetarët nuk do të mund të lëvizin më në mjediset e Kryesisë së Kuvendit, por do të detyrohen të qëndrojnë në një dhomë të veçantë në bodrum, nga ku do të mund të ndjekin përmes rrjetit të transmetimit të kontrolluar, punimet e komisioneve parlamentare.

Me këtë vendim, Kuvendi i Shqipërisë bëhet institucioni i radhës që mbyll dyert për gazetarët dhe zëvendëson raportimin e pavarur me transmetimet zyrtare të kontrolluara nga zyrat e shtypit.

Përveç gazetarëve, vendimi u kritikua gjithashtu nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë dhe Instituti i Studimeve Politike, të cilët theksuan në deklaratat e tyre mungesën e konsultimeve dhe rrezikun për censurë të mëtejshme.

“Çështja meriton të negociohet midis Kuvendit dhe grupeve të interesit. Kërkojmë specifikimin dhe shprehim rezervat tona për efektet e këtij vendimi deri edhe censurimi që mund të shfaqen në këtë praktikë,” tha kreu i Unionit, Aleksandër Çipa në një deklaratë për mediat të hënën.

Edhe Instituti i Studimeve Politike deklaroi se rregullorja e re nuk është konsultuar me grupet e interesit, komunitetin e medias që mbulon Kuvendin si dhe organizatat e shoqërisë civile.

“Vendimi rezulton të jetë marrë nga Byroja e Kuvendit, shumica absolute e anëtarëve të së cilës nuk do të jenë më deputetë në legjislaturën e re parlamentare. Një vendim i tillë me impakt në standardet e informimit në legjislaturën e re do të duhej të ishte sa më konsensual dhe më gjithëpërfshirës, si dhe do të duhej të merrte në konsideratë standardet më të mira të vendeve të BE-së,” thuhet në deklaratën e ISP.

Rregullorja e re, në një kapitull të quajtur “Orientimi i masmediave” sanksionon që rojet e kuvendit “sigurojnë shoqërimin e personave të akredituar gjatë qëndrimit të tyre në Kuvend,” kur e shohin të arsyeshme, ndërsa gazetarët duhet të qëndrojnë në vetëm një mjedis të përshkruar si “Neësroom”.

Përjashtim nga ky rregull përbëjnë Televizioni Publik Shqiptar dhe Agjencia Telegrafike Shqiptare, dy institucione propagande të kontrolluara nga qeveria. “Personat e akredituar, punonjës të RTSH dhe ATSH, mund të lëvizin lirisht,” thuhet në vendim.

Rregullorja e re ndryshon një rregullore të vitit 2014, në bazë të së cilës, gazetarët akreditoreshin te Kuvendi dhe kishin të drejtë të lëviznin nëpër korridore dhe të ndiqnin punimet e komisioneve nga mjedise të përcaktuara për median në sallat e mbledhjeve të këtyre komisioneve./BIRN

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura