Kronikë nga Kongresi i shtatë fjalimeve të Babos!

Jul 30, 2024 | 7:46
SHPËRNDAJE

agron-gjekmarkaj-675x450-1 (1)AGRON GJEKMARKAJ

Babo e shtyu disa herë Kongresin nga meraku që ta realizonte me detaje skenografinë, ngjyrat, muzikën, folësit, uljen e figurave të partisë pranë e larg tij. Muzikën e ndërroi katër herë! Spotet e ngjyrat nga dy. Zamanet e Kongresit tjetër i shkroi në Surrel natën, madje nën të lehurat e një qeni, ndërsa tani në balonë sa andej këtej. Madje, ia tregoi meraqet edhe Mbretit Karl e Makronit, të cilët i thanë për Mamicën zahmet e ke, jepi një mundësi kryetarllëku. Meloni i redaktoi fjalimin e tij dhe e këshilloi që ndryshimet t’i shpallë me fjalinë e fundit si gjë pa rendësi përballë parimeve!

Në fillim pat dilemën kë nga ministrat do nxirrte në spot për t’u dhënë mesazhin se për ta jeta vazhdon! Zgjodhi Belen, Anilën dhe Tezen. Të fundit lajmëruan Tezen, të cilën e fali edhe për pak kohë. Ajo qau nga gëzimi me lotët e pakët që i kishin mbetur, se ka qarë shumë ndër vite, herë nga gëzimi e herë nga marazet. Njerëzit që do llafoseshin i caktoi me një të rënë të lapsit. Kohën më të madhe ia rrëmbeu shkrimi i fjalimeve, të cilat duhet të shprehnin gjithçka ai mendonte për veten e thënë me gojën e të tjerëve! Si i thanë shokut Enver, ata të Byrosë Politike “ke nevoje të pushosh 6 muaj në vit, në Dajt, Pogradec e Vlorë”! Ai nuk prishi qejf. Aty i duhej hapësira për batuta dhe ndërhyrje, siç ishte ajo me studenten Helena, ku Babo u bëri me dije të vetëve ngrohuni në diell derisa të bëhet kjo, unë do jem kryetar. Fjalimi i Klosit nuk i mori shumë kohë se ishte me gjëra të thjeshta, bazike, numëro e deklarata siç atij i kanë hije që të mos ngatërrohet. Të thellat Klosi i ka zët. Me Boren e Ciun u lodh disi më shumë duke i shkoqitur fjalët në mënyrë që Borushja të mos i thyente si arrat me çekiç. Ciut nuk ia pat merakun se e di që ajo harrohet sapo të lërë mikrofonin. Bakja i Republikës të dielën donte pushim, i ëndet. Ai madje kishte shkuar në Durrës dhe ishte rehatuar mbi shezlong kur i bie telefoni! Ishte një nga të kabinetit të Babos! “Zullap ku je i thotë”? Ai u mërzit ca po bëri sikur se dëgjoi “e ditë pushimi ia gjegjet, kam nevojë të qetësoj kockat, të prehem”. Ashtu ë ia kthen tipi në telefon, “hajt vishu, merr bukë e djathë me vete dhe kthehu në zyrë, pështyva, u tha nuk mbërrite, të piu e zeza, sakën se lëviz deri kur të të themi ne”! Pa ç’pa Bake ziu, u zymtua , u ngrit, u vesh, një çorape e harroi nga nxitimi, porositi ca speca t’ia skuqnin shpejt e shpejt, i mori me vete e me turr në Tiranë për të pritur myzhdetë e Kongresit!

Babua fol e fol!

Lali u gëzua kur i përmendi emrin, e konsideroi përkujdesje, teksa Majkon e bëri përgjegjës varrezash të uruarin. Shtrëngonte dhëmbet e qeshte Pandi i gjorë, i duhet të kënaqet gjithnjë e më me pak e të qeshë gjithnjë e më shumë për dekor, të duket spontan e i gëzuar! Aty nga fundi si drejtori tek “Lulëkuqet mbi mur” u tha ti, ti atje, ti qe fshihesh, ty, ty more po të them aty poshtë, hajt, përjashta nga qeveria. Me Taon u tregua zemërgjerë. Tani Tao do jetë mamicush se e ktheu të bëjë shamatë me ne të Opozitës. Edhe Çuçi u rrit në detyrë që allah allah, qerratai ndonëse nuk u gëzua edhe aq “promuovere et rimuovere”!

Bashkë me mua ndan numrin katër të shtetit, pas Bakes, Mamicës dhe Babos mbi Belën vijmë unë dhe Çuçua, të cilit i rrëshqet toka nën këmbë tash e pare.

Evlati do marrë zyrën e Ermos të mobiluar plot shije, së cilës tani për tani i vajti dëm sherri e zallamahia që ka bërë me zell këto vite. I thosha viranes, mbaje moj gojën se në këto punë pak e ndan qarin nga qederi. Jepi ajo, tollovit! Nikoqirit ia bëmë të ditur qysh të premten se i ke fjalime lamtumire herën e fundit në Kuvend. Ai ishte i gëzuar që Babo nuk e kishte pyetur po e mori vesh në sallë se sheh përpara ai, por jo me sytë e vet! Bela dukej mjaft e gëzuar, se ministrat e rinj janë taraf i saj dhe do i rritet ymri! Kësisoj iu zbeh edhe mërzia për gradimin e Mamicës. Madje, bënë edhe një resme me Lalin që t’i shihte Babo sa xhan e kanë njëri-tjetrin! Ulsia nuk pat kohë të bëhej xheloz, se ishte ënde i emocionuar që nuk i ra satëri mbi kokë! Por aty për aty me instinkt i nxori gjuhën Xhafës dhe Braçes dhe pëllëmbën mbi hundë. Pastaj bleu nja gjashtë byrekë dhe i hëngri sa hap e mbyll sytë se helbete, një javë pa vënë gjë në gojë nga angështia e uthi e kishte drobitur. Vullnet Sina u përlot. Aty më në fund Laerti u ndie i dobishëm, me një kavanoz mblodhi atë rrëke që buroi nga shpirti. Antoneta i zgjati një shami dhe mendoi lum si Vullnetit që iu dha mundësia të qajë ‘live’, po ne që nuk do na shohë askush! Ogi edhe pse nuk priste ndonjë mandat, doli më e qeshur se kur hyri. Tani ajo mbetet nishani i Qeverisë në atë murretim të përgjithshëm! Ditmiri dukej i ngrysur si Lym Keta ditët e fundit! Eh nuk po kthehet në rrugë të mbarë ai djalë. Por as Damua nuk dukej fort i çelur. Edhe pse nuk priste gjë prapë enda ia kishte t’i zihej emri me gojë! Klosi priste që Babua t’i thoshte e lexove mirë po as aq s’e bëri. Klosi e justifikoi, është i zënë ka halle, bereqavers edhe kështu.

Bora ishte bëre me krahë, tanimë ajo do jetë shefe e platformës “Deputeti që duam”! Menjëherë në korridor u paraqit Dilua, Baftua, Ismeti dhe Bujari me CV në dorë për t’u regjistruar! Por, ajo iu ndenji rëndë, madje i pyeti kush jeni ju? “Po ne jemi ata gjyshërit që kanë besim tek fjalë e Babos, siç tha Helena, e duam të bëhemi prapë deputetë, menduam të lëmë këto kartat e defterët e njollosur me pika vaji u shprehen njëzëri”! Jo, jo u tha Bora unë njoh vetëm Xha Majkon, kjo është performancë skematike, duhet kreativitet, shkoni e mendohuni! Ikën kokulur. Bujari i Lushnjës propozoi që të shkonin të ngrohnin xhanë se kjo punë vate! Tre ministrat e rinj duhet të shohin fatin e Metes që qysh sonte pyesin njerëzit, kush ishte ai, ku e kemi dëgjuar? I ngrati!

Arben Pëllumbi i shqetësuar interesohej kush e njeh ketë Boren, t’i fusim ndonjë mik që të na ketë në hatër? Po ja tha, t’i themi Edlira Bilalit tha Etilda, se ajo e ka shoqe. Por Edlira bëri sikur nuk dëgjoi! Etilda u skuq pak, por s’e dha veten, por mendimi që Bora mund t’i rrijë rëndë e cimbisi. Heshtja të bëhet aleat. Po për ne, tha Xhemali ka ndonjë post?! Aty për aty Nasua ia pret ato që na shpërndau Kronika herën tjetër! Po si i gjeti ai ore të gjitha ato që Mamica bëhet kryetare, ministrat që do ikin dhe ne të tjerëve llokumin dumdisi Shalsi?!

Në sajë të marrëveshjeve të fshehta që Qeveria ka me Opozitën i kanë caktuar këtë detyrë të shpërndaje ylyfe e mynxyra tha Toni, dukshëm lëngues, të cilit i mbet veç mjekra, pasi shpresat i vanë!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura