Kryeministri Rama i besoi postin e rëndësishëm, Taulant Balla merr nesër detyrën e ministrit të Brendshëm

Jul 12, 2023 | 15:02
SHPËRNDAJE

Taulant Balla pritet të marrë postin e Ministrit të Brendshëm ditën e enjte, pasi Kuvendi i Shqipërisë të miratojë dekretin e Presidentit Bajram Begaj për emërimin e tij në krye të këtij institucioni të rëndësishëm.

balla-675x450

Kreu i qeverisë Edi Rama vendosi që t’i besojë postin e Ministrit të Brendshëm, Taulant Ballës pas një ngjarjeve të rënda të ndodhura në vend, atentatit në Larushk të Krujës, ku u vra 29-vjeçari Ramazan Sino dhe dhunës barbare të familjarëve të ish-deputetit Rrahman Rraja ndaj dy kushërinjve të fisit Maja.

Pas shkarkimit të Bledi Çuçit, Rama propozoi një profili të lartë politik si Balla, propozim që u dekretua nga Presidenti Begaj.

Taulant Balla është një ndër zërat më të fortë të mazhorancës në Kuvend, ku ka përballuar pothuajse i vetëm betejat me opozitën, të cilat shpesh kanë përfunduar edhe ne gjykatë dhe Balla ka dalë fitues për akuzat ndaj tij.

Karrierën politike, Taulant Balla e nisi ne vitin 2004, ku shërbeu si këshilltar i kryeministrit të asaj kohe Fatos Nano. Ai u zgjodh për herë të parë deputet i Librazhdit në vitin 2005, në moshën 28 vjeçare dhe prej asaj kohe nuk ka munguar në Kuvendin e Shqipërisë. Pas zgjedhjeve të vitit 2017, Taulant Balla u emërua kryetar i grupit parlamentar socialist.

Njëkohësisht, ai u emërua Kryetar i Delegacionit të Parlamentit të Shqipërisë në Parlamentin Europian dhe Zëvendës Kryetar i Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian. Pas dorëheqjes së Gramoz Ruçit, Balla u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Partise Socialiste post të cilin e mbajti deri pas zgjedhjeve të vitit 2021, ku u zëvendësua nga Damian Gjiknuri.

Balla është deputet i Qarkut te Elbasanit dhe drejtues politik për Partine Socialiste në Qarkun Fier. Më herët ka drejtuar qarkun e Elbasanit ku ka marrë edhe rezultatin më të mirë elektoral në zgjedhjet e vitit 2017 dhe 2021 si për socialistët por edhe vetë si deputet rezultoi më i votuari në rang kombëtar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura