Kujdes me institucionet e “autoritetit social” dhe “sigurisë morale”

Jul 19, 2024 | 8:23
SHPËRNDAJE

gezim tushiGËZIM TUSHI

Është një dukuri sociale e shpërfaqur dukshëm dhe me intensitet të lartë në shoqërinë shqiptare të kohës sonë. Në Europë për herë të parë u shfaq kriza e institucioneve të “autoritetit social” dhe “sigurisë morale”, pas ngjarjeve kaotike e tendencave anti-autoritariste e kundër institucionale të Lëvizjes Studentore në Francë në majin e 68-ës. Sipas mendimit tim, ky është “kufiri kohor” i fillimeve të shoqërisë postmoderne, që u shoqërua me ndryshimin e tablosë së marrëdhënieve të individit me shoqërinë, institucionet themelore, sikurse janë martesa, familja, shkolla, institucionet fetare, shoqëria civile dhe shteti. Ky moment ka qenë “starti” i kalimit marramendës nga tipologjia e shoqërisë tradicionale në atë moderne, dhe shumë shpejt në hullitë tubulente të shoqërisë së sotme postmoderne. Kohë e cila ka tronditur gjithçka nga modelet e institucioneve të autoritetit dhe sigurisë sociale të së kaluarës. Një revolucion postmodern që nxiti prirjet liberale e individualiste, duke dëmtuar e reformuar njëkohësisht paradigmat e “vjetra”, konceptet tradicionale për moralin, fenë, seksualitetin, autoritetin e familjes, shkollës, rolin dhe autoritetin e prindërve dhe mësuesve.

Një krizë e thellë, pasojat e së cilës janë përthelluar gjithnjë e më shumë. Pa mohuar vlerat e të ashtuquajturit “revolucion seksual” dhe inspirimet e thella postmoderne, të frymëzuara nga idetë e filozofëve si Jean Paul Sartri, filozofët e rinj, artistët avanguardistë, etj, idetë e të cilëve sollën rënien e tabuve, dogmave të kota, narrativave të mëdha ideologjike, duke sjellë për herë të parë edhe krizën e filozofisë, moralit dhe ideve të ngurta të marksizmit. Teza “Marksi vdiq” ishte një nga sloganet frymëzuese të këtij revolucioni.

Por sot pas më shumë se gjysmë shekulli nga ngjarjet, që nuk tronditën vetëm regjimin autoritarist të gjeneralit të famshëm De Gol, por edhe kornizat e vjetra institucionale filozofike e politike, ideologjike e morale, duke sjellë pothuaj një “përmbysje” të koncepteve bazë të jetës, stilin dhe mënyrën e vjetër të jetesës. Në të njëjtën kohë edhe peshën sociale të institucioneve me natyrë doktrinariste e strukturë paternaliste, autoritariste e “totalitare” si “gurët themeltarë” të shoqërisë paramoderne dhe bazament i ndërtimit dhe funksionimit të institucioneve të autoritetit social dhe sigurisë morale. Edhe sot ka shumë analistë, ideologë, sociologë e filozofë të kohës, që vazhdojnë të konsiderojnë si shkaktare kryesore, me përgjegjësi ontologjike sui generis për situatën e sotme politike, sociale, morale, anomalitë sociale me të cilat përballet shoqëria postmoderne europiane, por edhe ajo shqiptare, “mëkatet” e Lëvizjes Studentore të Majit 68. Dihet që ndikimet emancipuese e toksike të ideve të Majit 68 në Shqipëri erdhën të ndrojtura, me peshë sociale, influencë e ndikim ideologjik periferik, aty nga fillimi i viteve 70-të. Por historia jonë dihet. Regjimi totalitar e ndjeu rrezikun e ideve liberale, anti-autoritariste dhe mori masa drastike për ta shuar që në gjenezë “influencën e tyre degjeneruese”

Megjithatë po të analizosh me vëmendje situatën ton[ sot, duket se edhe pse me “vonesë faze” shoqëria shqiptare pas tre dekadash është nën ndikimin e vonuar, por edhe të përshpejtuar të fruteve të “ëmbla” dhe të “hidhura” të “revolucionit postmodernist”, i cili ka prekur dhe ka ndryshuar thellësisht konceptet filozofike e ideologjike, paradigmat morale dhe estetike, sidomos skemat totalizuese anti-individualiste të institucioneve kryesore të “autoritetit” politik, social, moral dhe fetar, duke sjellë në jetën e shoqërisë në tërësi dhe të njerëzve individualisht, një situatë të ndërlikuar të lidhjeve, marrëdhënieve të njeriut me personalitetin e vet, shoqërinë dhe institucionet e tronditura të autoritetit social dhe sigurisë morale. Përditë ndeshemi me ngjarje e situata, që në esencën e tyre pasqyrojnë gjendjen shpesh kaotike, turbulente e të paqartë, situata që janë të shoqëruara me koncepte “justifikuese”, modele sociale hibride, duke sjellë një sistem social të përzierë me paradigma të aliazhuara liberale e konservatore, që në jetën e përditshme kanë krijuar dilema e tronditje të mëdha.

Mbase ka shumë arsye me natyrë politike, historike, kulturore e morale, që momentalisht shoqëria shqiptare është në një situatë të zgjeruar të shfaqjeve të “nervozitetit social”, që reflektohet në nivele makro, si gjendje e përgjithshme psiko-sociale e morale e shoqërisë, që shfaqet në mënyrë evidente dhe ndihet e reflektuar në raportet e reja të ndryshuara, madje të përmbysura që njerëzit kanë krijuar për vlerën, dobinë, autoritetin e domosdoshëm të institucioneve të tilla me peshë sociale sikurse janë familja, shkolla, komuniteti, shoqëria dhe shteti, të cilat nga njëra anë janë zhvilluar, përsosur dhe demokratizuar, duke i parë në thelbin dhe funksionalitetin e tyre, por në të njëjtën kohë kanë pësuar dëmtime të thella ontologjike për shkak të neglizhencës, kaotizmit, intensitetit në rënie progresive të autoritetit të tyre. Është një situatë që gjendjen e institucioneve bazë të autoritetit dhe sigurisë morale, e ka bërë shumë pesimiste.

Mjafton të vlerësojmë e diagnostikojmë problemet e shumta endemike me të cilat përballet familja, e cila ka humbur shumë role e funksione me rëndësi, që brehet nga dhuna mbi gratë dhe fëmijët, krimi endemik për motive të “forta” apo të “dobëta”, divorcet dhe problemet e vështira të demokratizimit të brendshëm të saj. Shikoni shkollën dhe problemet e autoritetit të cenuar institucional e problematikës komplekse në marrëdhëniet mësues nxënës, shfaqjet e bullizmit, mungesës së vlerësimit për dijet institucionale, për të kuptuar situatën ku ndodhemi sot. Pikërisht kjo është arsyeja pse është zgjeruar mungesa e besimit, është zgjeruar skepticizmi, për mundësinë e rregullimit të funksioneve subjektive të individit, dhe raportet e tij me këto institucione.

Nga ana tjetër, duke e diagnostikuar situatën e marrëdhënieve të individit me institucionet e autoritetit dhe sigurisë morale, duket se në këtë situatë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, kanë ndikimin e tyre një varg “përgjegjësish të brendshme” (endemike) të institucioneve të shtetit dhe shoqërisë, të cilat ose kanë hequr dorë nga rolet funksionale, ose kanë reduktuar përgjegjësitë sociale. Akoma më keq, dhe kjo është arsyeja më kryesore, vetë institucionet e “autoritetit shtetëror” dhe “sigurisë sociale” morale, janë nën ndikimin e pandërprerë të modelit çoroditës, nën ifluencën e zhvillimeve me natyrë liberale të shoqërisë postmoderne. Në këto kushte që jemi, kjo situatë kërkon vlerësim serioz të rolit të disa institucioneve, që kanë peshë ndikuese, rëndësi të posaçme sociale sikurse janë familja, shkolla dhe institucionet fetare. Ato të cilat në një farë mënyre, kanë vlerë si “institucione të sigurisë morale” në shoqëri.

Ka kohë që kujdesi i shoqërisë shqiptare për “shëndetin” e saj, apo për të rregulluar standardet e një “shoqërie të mirë” është në rënie të përgjithshme. E dhënë e tëra pas politikës, konsumizmit, individualizmit, duket se ka një zbehje me pasoja, një nënvleftësim apo më saktë një tendencë të braktisjes të pafalshme, për të ruajtur ekzistencën, funksionet e domosdoshme, të pazëvendësueshme të institucioneve të “autoritetit social” dhe “sigurisë morale”, pa të cilat stabiliteti i shoqërisë është i pamundur.

Në vend që të shpikim rregulla etike, “kode morale” pa vlerë, do të ishte shumë e dobishme të ndihmojmë njerëzit tanë të rregullojë vetë sjelljen, duke u shfaqur në çdo rast në “pozicionin” e tyre natyral, duke luajtur “rolin” që i takon si qytetar, prind, bashkëshort, pjesëtar i familjes, ateist apo anëtar i një feje dhe institucioni fetar, si nxënës, student, ushtar, nëpunës, gjyqtar, mësues, fqinj, etj. Një gjë është e sigurt, institucionet e sigurisë morale mund të forcohen nëse, kuptojmë të vërtetën, se ato janë të lidhura dhe shfaqen si “shumatore e roleve”, e sjelljeve që njerëzit duhet të mbajnë, për të “luajtur rolin” që i takon, që në çdo rast të jetojë në përputhje me pozicionin e tij qoftë individual apo social.

Padyshim, koha që jetojmë duke qenë qartë me prirje të theksuara liberale, nuk kodifikon rregulla morale me natyrë doktrinariste për funksionimin e institucioneve të sigurisë morale, që sot në shoqërinë postmoderne “nuk pinë ujë”, por përpunon në mënyrë demokratike e konsensuale terrenin human, përcakton kulturalisht “rolet e pritshme” që ajo i konsideron kritere të sjelljes morale, modele me të cilat duhet të përshtatet roli social i çdo njeriu normal që dëshiron të jetë qenie humane, sociale, morale. “Rolet e pritshme” të individit janë kushti themelor, mbase edhe i vetmi për rregullimin dhe funksionimin normal të institucioneve të “sigurisë morale”. Ato janë kërkesa ultimative për të përmirësuar mënyrat demokratike të “kodifikimit të sjelljes” institucionale të individit dhe shoqërinë në tërësi.

Në të vërtetë me këtë “model moral” dhe jo me receta doktrinariste ka ecur, është zhvilluar, përsosur qytetari dhe shoqëria moderne perëndimore, në të cilat nuk ka slogane, rregulla doktrinariste impersonale, por përpunime konsensuale të rregullave, roleve të pritshme të cilat zbatohen natyrshëm pa frikë, kontroll nga shoqëria, e cila është ndërtuar e tillë dhe ka në themel të saj njeriun si qenie humane, të qytetëruar.

Në këtë kontekst, shumë role të pritëshme nuk janë subjektiviste e voluntariste, por janë rregulla morale, urbane e qytetare me natyrë detyruese, që kalojnë kufijtë e veprimit të njerëzve anormalë e anarkistë social që kanë “helmin” e përçmimit si të panevojshëm të rolit që kanë institucionet e “autoritetit social” dhe “sigurisë morale. Në fakt, e vërteta është ndryshe, sepse “këto rregulla të detyrueshme, thotë sociologu Ralf Dahrendorf janë, janë bërthama e fortë e çdo roli social; ato nuk janë vetëm të formulueshme, përkundrazi ato janë të formuluara shprehimisht; detyrueshmëria e tyre është pothuaj absolute; sanksionet e tyre janë pa përjashtim negative.” Ralf Dahrendorf “Njeriu sociologjik”, f. 54.

Kjo logjikë është e domosdoshme, kusht për të ndikuar në forcimin e rolit të institucioneve të “autoritetit social” dhe “sigurisë morale”, si mënyrë e sigurt, ndoshta e vetme që mund të ketë suksesin e merituar për të përmirësuar rolin, funksionet e familjes, autoritetin e shkollës, funksionet shpirtërore të institucioneve fetare, rolin ndërmjetësues të shoqërisë civile dhe sidomos peshën ligjore të autoritetit shtetëror. Ndryshe situata do vazhdojë të agravohet dhe kohezioni social do vijë duke u dobësuar…

* sociolog
Mjeshtër i MADH

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura