Duhen vetëm 4 kilometra autostradë dhe më pas, një tabelë që nuk duket mirë tregon se pasi ke lënë Kukësin, duhet të hysh djathtas për në rrugën e vjetër të Tiranës.
Një rrugë që i ka munduar aq shumë kuksianët, por që tani duket nostalgjike. Edhe ata pak njerëz që detyrohen të udhëtojnë në të, futen menjëherë në botën e kujtimeve: Rrugë e mundimshme, 250 km e gjatë, 8 orë deri në Tiranë; borë, akull, simbole të një kohe të vështirë, kur rruga kontrollohej nga bandat, lule, epitafe, përkujtimore. Të gjithë përmblidhen me emrin “rruga nga Qafa e Malit”. Kjo mjafton që të të zërë makina ende pa u nisur. “Në fakt, kështu ka ndodhur, shumë njerëz i zinte makina që në shtëpi, nga efekti psikologjik i tmerrit të rrugës”, thotë Fatjoni, shoferi me të cilin udhëtojmë.
Makinat e rralla
Edhe pse është mëngjes dhe normalisht duhet të ketë shumë lëvizje në drejtim të Kukësit, duhet të ecim të paktën 30 km, deri në afërsi të Shëmrisë që të përballemi me makinën e parë. Është një furgon i tipit të vjetër i tejmbushur me nxënës të shkollave të mesme që vijnë në qytet, me shpejtësi për të zënë orarin e mësimit. Rruga në disa vende ka humbur nocionin e saj. Në afërsi të Kalimashit janë masivet gjigande
me krom në anë të rrugës që presin tregun. Një industri sa fitimprurëse, aq edhe e rrezikshme, pse jo dhe kriminale në disa raste. Diku, diku degët e pemëve që janë rritur, kanë ngushtuar rrezen e rrugës. Çuditërisht, kjo rrugë është mirëmbajtur në mënyrë të përsosur nga privatët, sidomos deri në Qafë-Shllak, ku ndahet Kukësi me Pukën. E kur jemi te pyjet që po rriten, befas, te vendi që quhet Pylli i Lebroit, gjuha e flakëve dhe shtëllungat gjigante të tymit kanë përlarë edhe një pjesë pylli të mbetur pa u djegur. Ibrahimi, një bari që kullot bagëtinë anës rrugës, thotë se prej ditësh pylli po shkrumbohet. Megjithëse kanë shkuar disa banorë nga komuna, zjarri nuk është shuar. Kujtimet e pyjeve të djegura janë të freskëta, pasi gjithë këtyre bjeshkëve gjigante u kanë “rënë flokët”, dhe bariu thotë se edhe hardhuca duket tani e nuk ka ku të fshihet. Qafa e Malit
Kjo qafë që ka “marrë shumë njerëz në qafë”, është tmerri i kuksianëve dhe kosovarëve. Një kontenier i madh, që dikur përdorej dhe nga policia për t’u ardhur në ndihmë udhëtarëve të shumtë, është shkërmoqur thuajse plotësisht dhe braktisur në Qafë-Shllak, atu ku dëbora sivjet arriti në tri metra lartësi. Pukjanët janë shumë nacionalistë për vendin e tyre dhe kanë shkruar emrin e ekipit të qytetit “Tërbuni”, që sapo është ngritur në Kategorinë e Parë. Këtu ndahet me një tabelë të ndryshkur Kukësi me Pukën. Që nga nisja në një udhëtim prej gati dy orësh, makinat me të cilat jemi ndërruar numërohen me gishtat e dorës. Uji i ftohtë është pika ku askush nuk i ka shpëtuar tundimit për t’u ndalur e pirë ujë, në verë, a në dimër. Po të mendosh gjallërinë e para dy viteve, krahasuar me pamjen e sotme, të zë trishtimi. Një banor i zonës e ka futur atë në tuba dhe poshtë rrugës ka ndërtuar një rezervat për peshkim. I moshuari, që thotë se është pronari i tokës, vështron nga lart basenet ende të pambushura me peshq, që po t’i kishte dikur do kishte siguruar të ardhura të shumta. Rrëshqitja nga Qafa e Malit për në Fushë-Arrës është e shpejtë, ku shihet edhe një lokal me emrin “Klubi i Lekës”. Dikur tejet i frekuentuar nga udhëtarët për mishin e derrit, proshutën rakinë e verën e fshatit, sot ai është i mbyllur.
Fushë Arrës-Pukë
Në qytezën, kur xhiroja mbaron ende pa filluar, njerëzit ngrihen që herët. Janë njerëz të mirë, punëtorë dhe shumë të lidhur më njëri-tjetrin. Gani Pema është një mjeshtër i vjetër i përpunimit të drurit, në qytetin që dikur njihej me emrin “Qyteti i sharrëxhinjve”, madje ka pasur dhe një muze të sharrave, të cilit sot nuk i gjendet as nam e as nishan. “Njerëzit këtu e venë vetë rregullin, por dhe bashkia ka vënë dorë në pastrimin dhe mirëmbajtjen e tij. Qyteti duket tashmë krejt i harruar nga vizitorët dhe kalimtarët e shumtë që i sillnin atij gjallëri, por dhe zhvillim. Tashmë ai është një “xhep”, që nuk mbushet.
Pranvera e bën edhe më të bukur ngjitjen për në Pukë, ku kafenetë e lokalet janë mbyllur. Askush nuk ndalon më, në fakt askush nuk kalon përveç vetë pukjanëve. Në hyrje të këtij qyteti, një bari kullot katër dhi me kecat e tyre. Tabela është po ajo, në shqip e anglisht: “Mirësevini në Pukë”. Njerëzit e këtij qyteti janë shumë mikpritës. Asgjë edhe këtu nuk ka lëvizur, përveçse janë shtuar problemet, qyteti është heshtur, nuk ka më trafik në rrugët e ngushta të tij, as mysafirë, përveç turistëve të huaj, që preferojnë agro-turizmin dhe aventurën me biçikleta, sporte dimërore dhe ecje në këmbë. Edhe këta vijnë e ikin, por rikthen sërish. Puka duket se ka vend për ta.
Fushë-Arrëz, dy tragjeditë e qytetit
Dalja nga qyteti është e shpejtë, por një rrënojë diku poshtë rrugës është një kujtim ende i hidhur. “Aty u dogjën të gjallë afro 65 banorë të qytetit dhe rrethinave, në përpjekje për të gjetur pak bukë apo ushqime. Ishte nëntori i vitit 1991 dhe Shqipëria ishte në zjarr. Aq arkivole në një ditë janë tmerr, për një qytet të vogël, ndërkohë që ka ende në varreza katër apo pesë varrë të paidentifikuara”, thotë Gani Pema, udhërrëfyesi i këtij udhëtimi. Pa mbaruar dy fjalitë për këtë tragjedi, mbërrijmë tek një tjetër vend tragjik. Në një obelisk të madh janë emrat e 16 gjimnazistëve nga Malisheva e Kosovës, që humbën jetën në një aksident automobilistik në tetor të vitit 2005.
Kryebashkiaku Alfred Qafa: Papunësia, shqetësim
Bashkisë së Fushë-Arrëzit me 6 mijë banorë i prin një djalosh fare i ri, jurist në profesion, që di të merret vesh fort mirë më bashkëqytetarët e tij, të cilët i pret orar e pa orar. “Normalisht që autostrada e re ka zhvendosur aksin e lëvizjeve në krahun tjetër dhe e nxjerr qytetin si të harruar. Kemi dhe falimentime biznesesh, kryesisht ata anës rrugës, por po bëjmë përpjekje për të dalë nga kjo harresë”, thotë kryebashkiaku Alfred Qafa. Por për çfarë trokasin më shumë bashkëqytetarët në derën e kryebashkiakut dhe cili është shqetësimi më i madh që ata sjellin. “Papunësia, sidomos tek të rinjtë. Është fat për ne që kemi fabrikën e kromit sipër qytetit dhe që kemi të punësuar afro 300 veta, dhe kjo është një lehtësi për ne. Trajtojmë shumë familje me ndihmë ekonomike. Por kemi dhe projekte të tjera që presin financime dhe që zbusin problemet social-ekonomike”, thotë kryebashkiaku Qafa.
KUKES/ JONUZ HALLAÇI
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al