“Kukuta e Sokratit”, Sabri Hamiti, poezi për të kërkuar botën

May 23, 2019 | 9:25
SHPËRNDAJE

“Sepse fjala ka kujtesë”. Kështu thotë Sabri Hamiti, duke përmbledhur në kaq pak fjalë gjithë filozofinë e krijimtarisë së tij poetike; një shtresëzim eksperiencash, përjetimesh, leximesh…

sabri

Vëllimin më të fundit poetik, botuar nga shtypshkronja “Albas”, e ka titulluar “Kukuta e Sokratit”. Sepse herët a vonë të gjithë do ta pinë atë kukutë, veçse, 50 vjet më pas që nga vëllimi i parë, këtij të dhjetit i është shtuar dhe urtia e Sokratit. Ndonëse kritik, studiues, dramaturg…, Sabri Hamiti, në thelb të gjithçkaje ka pikërisht poezinë, atë klasiken, që për të është “kunora”. “Bëj një diferencim fare të vogël mes formave letrare dhe mendoj se esenca e të gjithave është poezia. Ajo është koncentrat.

Gjithçka është çështje formash dhe normash të shkrimit, por thelbi është poezi”, thotë Hamiti. Tek ai jetojnë natyrshëm të gjitha llojet e shprehjes, por më e vështira do të ishte të fliste për krijimtarinë e vet. “Mendimi i një autori për veprën e vet nuk vlen më tepër se mendimi i një lexuesi të zakonshëm. Libri është i imi deri në momentin që nuk është i botuar, më tej mund ta konsideroj si tekst të tjetrit”, thotë ai.

E tashmë që ky vëllim i dhjetë nuk është më i tiji, deshi ta “festojë” këtë “ndarje” me miq të letrave e bashkudhëtarë të tij. Nuk ishte një promovim i zakonshëm, të pranishmit kishin zgjedhur jo të flisnin për veprën e autorit, por ta lexonin e shijonin atë. Secili kishte zgjedhur një poezi, pas së cilës ndanë edhe ndjesitë që provuan pas leximit. Ishin aty që nga botuesja Rita Petro te Besnik Mustafaj, Mark Marku, Ymer Çiraku, Persida Asllani, Dhurata Shehri, Parid Teferiçi, Agron Gjekmarkaj, Mimoza Ahmeti, Mimoza Hysa, etj., që ndanë mes tyre këtë “Kukutë të Sokratit”…

SABRI HAMITI

LIBRI I DHJETË

I Lirika

1. Një aventurë duke kërkuar Botën për të gjetur Veten, me mësimin përfundimtar që kudo të shkosh veten e merr me vete;

2. Një lirikë e dhembjes e kulluar në lot e në gjak, ku substanca kthehet në formë të bukur, jo duke gërrithur, por duke lëmuar;

3. Prandaj, shprehja pajtohet paqësisht me figurën edhe me kushtin e toposit për ta vënë në shtratin e qetë të gjuhës poetike të nënës;

4. Kjo është shëtitja imagjinative e vagabondit, që në thelb rri i gozhduar në vend, si udhëtim pa nisje e pa kthim, në shtratin që ndajnë baras kujtesa me ëndrrën;

5. Nga djepi i zbuluar deri te varri i mbuluar rijetohet jeta në paradoksin e përhershëm, ku njeriu vdes i ri e njeriu lind i vdekur;

6. Atëherë poezia e lirika, që edhe në shqip është e gjinisë femërore, bëhet femërore në trajtën gjenuine elegjiake;

7. Për t’u kurorëzuar në klasiken: duke njohur zjarrin nëpërmjet hirit, sepse përsëritja përsëritet përsëri, qoftë me figurën e Prometheut, qoftë me figurën e Sizifit, me mbarim te Kukuta e Sokratit;

8. Ngase shpikja e barit në kërkim të mjaltit të helmit e të helmit të mjaltit është vetëm variantë e mësimit që dashuria e miqësia janë e vetmja e vërtetë, mbetja është spekulim;

9. Sidomos tani që lulja e mban malin, vesa e qetëson furtunën në det, pëshpëritja e tremb bumbullimën;

10. Duke u mbyllur në rrethin që nuk lë shteg për hyrje as për dalje, pos të përjetshmes: me qenë e me vdekë.

II. Organoni poetik

Duke zgjedhur e duke kombinuar fjalët në pëlhurën poetike (dikush e quan organikë, dikush e quan sistem), e pata nisur herët për ta mbaruar së voni organonin poetik si një dekalog në dhjetë libra poetikë. E nisa me librin e parë, Njeriu vdes i ri (1972), për ta përmbyllur me librin e dhjetë, Kukuta e Sokratit (2018).

1. Te Njeriu vdes i ri (1972), nëpërmjet shkallëve të udhëtimit, ëndërrimit e revoltit;

2. Te Faqe e fund (1973) zbulohet që paqja është vetëm pasqyrim i fundit, e asgjë më tepër;

3. Në mënyrë që te Thikë harrimi (1975) duket se si nëpër shtatë shkallë nis e sos empiria kolektive si ndërgjegje individuale, nga Ninulla deri te Vdekja;

4. Atëherë shpërthen zbulimi i njohjes së identitetit te Trungu ilir (1979), nëpër kaptinat dramatike të Trungut, që grindet papajtueshëm me Kohën;

5. Unë jam unë, është jehonë e një klithme te Leja e njohtimit (1985), duke referuar intimisht vitin paraprak të Oruellit (1984), si rrethanë e si esencë;

6. Ngase Kaosmos (1990) dëshmon komedinë njerëzore në një ballafaqim me komedinë hyjnore të përmbysur në: Parajsa, Purgatori, Ferri; duke kërkuar shpëtimin;

7. ABC (1994) rrotullon dy herësh alfabetin shqip në dy variante që fillon në Babiloni e mbaron në Fushën e mëllenjave, ku buthton paqja kriminele, ndërmjet Lindjes e Perëndimit: nën tokë, mbi tokë e në qiell;

8. Atëherë Melankolia (1999), nëpër topika vendesh e gjendjesh, propozon shpëtimin duke kaluar nëpër gjendje personale të provës së gjalljes, në zgripc të ekzistencës, me vajet nëpër botë e në shtëpi;

9. Ku Sympathia (2004) lakon testamentet e dhembjes si bashkëndjenjë në shkallën e përmbysjes: similis simile gaudet!;

10. Kukuta e Sokratit (2018) është epilogu i dramës. Ngjarja ka mbaruar, si ndodhje e si ëndërrim, me ngushëllimin iluzor të fundit se ende mund të shkruhen variante. Porse klasikja është kurora, pa variante. Po! Sepse në krye të herës e në fund të fundit: filozofia është poezi “e prishur” e poezia është filozofi “e prishur”; po se po në organonin tim poetik, tashmë të përmbyllur.

III. Fusnota
1. Fëmijë më bani Nana
Djalë më bani Baba
Burrë më bani Gruaja
Babë më banë Fëmijët
E Poet
Vetë u bana Poet
Prejse e njoha leximin e shkrimin, kam jetuar duke shkruar libra për jetën e libra për librat.

2. Poezia, kjo mbretëreshë e arteve, edhe kjo në shqip e gjinisë femërore, ashtu si bukuria e dashuria, ashtu si jeta e si vdekja, më kanë bërë të kuptoj se: malin e mbajnë lulet; detin e paqton vesa; bubullimën e mund pëshpëritja.

3. Mbaj mend lirikat e poetëve të tjerë, por nuk di për mendësh lirikat e mia. Herën e parë ato më janë të mjaftueshme. Herën e dytë këto nuk më janë të mjaftueshme. Prandaj vazhdoj të shkruaj ende. Qoftë për të krijuar variante: për këmishën që shkyhet te gjini; për kapërcimin e zjarrit te hini. Rima, si pëlqim tingëllimi, merr funksion të dytë, si pëlqim kuptimi. Prandaj, rimat: shkekët/ brekët, të ballafaquara me rimat: lëndina/ tlina lidhen me një temë, por japin kuptime të ndryshme dhe përfaqësojnë kultura të ndryshme.

4. Sokrati u fjalos me të vetët kur e pa dashurinë si trazim e dhimbsuri, si pëlqim e shkatërresë. Edhe me gruan u fjalos. Fjalosja me gruan i kushtoi me një kofe uji mbi kreshtë derisa meditonte. Për gjestin e gruas mendoi Sokrati “e dija që mbas furtunës do të kishte shi”. Të vetëve s’u tha asgjë. Fjalosja me ta i kushtoi me jetë mbasi piu kukutën. Tashmë pas shiut kishte ardhur furtuna.

5. Shkruaj shqip dhe vetëm shqipja është gjuha ime e letërsisë, gjuha ime amtare. Po gjuha ime e lirikës është gjuha e Nanës dhe gjuha ime. Kam parasysh fjalën, zërin, gjuhën e gjallë, theksimin. Këto janë elemente identitare që trashëgohen dhe kurrë nuk mund të mësohen. Kjo do të thotë që lirika nuk qenka fantazi, por më përpara dëshmi për jetën, duke e përkthyer mendimin e ndjenjën në figurë të gjuhës. Për ta kuptuar çështjen na ndihmon teksti “Lutje” i fretënve të Pultit (13 fror 1761) që del në faqen 90 të librit Kukuta e Sokratit. Një tekst në formë të saktë si dëshmi e para sa shekujve, tashmë në strukturën e librit bëhet tekst autentik poetik që shenjon fuqishëm një gjendje shpirtërore, një mentalitet dhe një moralitet të lëkundur në mes të të mundurit e qëndrestarit.

6. Një libër që fillon me vargun “Kur më shihni një grumbull hini” e mbaron me vargun “Përsëritja përsëritet përsëri” shenjon lidhjet me rrënjët e mitit, mitit të Sizifit. Mundimi pa fund i Sizifit për ta rrotulluar gurin në majë. Një fund që nuk ka fund. Pra, përsëritja si përjetësi. Një provë e të pamundurës që nuk ka mbarim mundimi i njeriut. Figura e përsëritjes del në tri kategori: a) si emër: përsëritja; b) si folje: përsëritet; c) si ndajfolje: përsëri. Formulimi i fjalës me rrënjën ri, për të përfunduar kuptimin e vjetër.

7. Libri më i dashur? Librat janë si fëmijë të shpirtit. Secili duhet në mënyrë të veçantë, po për të thjeshtuar çështjen le të thuhet: libri i parë dhe libri i fundit. Libri i parë sepse ka shumë emocione dhe fantazi dhe është më i dashuri. Libri i zemrës. Libri i fundit sepse ka më shumë dije e përvojë dhe është më i dhembshuri. Libri i mendjes. Librat e tjerë i përkasin Mesit, në të cilët mund të jenë ndërthurur emocioni e fantazia, përvoja e dija: zemra e mendja. Ky është një ndajshtim i autorit që nuk mund të ketë ndonjë rëndësi për vlerat e librave, sidomos në peshoren e lexuesit.

Prishtinë, 21 maj 2019

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura