Kur arsimi është katandisur për gjynah

Jul 13, 2024 | 7:30
SHPËRNDAJE

NGA HYQMET ZANE Hyqmet Zane

Një mësues të vjetër e shqetëson pa masë gjendja e arsimit të sotëm. Ky nuk është ndonjë konstatim nostalgjik, por një keqardhje për gjendjen ku është katandisur arsimi. Thuhet se gjatë kësaj qeverisjeje 11- vjeçare janë ngritur godina të reja shkollore, por të vjetrat janë të rrënuara dhe të gjitha bashkë kanë mbetur për gjynah me një pakësim të konsiderueshëm të nxënësve, se kanë ikur në emigrim me prindërit e familjet e tyre. Jo se nuk e duan arsimin, por se kushtet ekonomike i detyrojnë të lënë gjithçka nga vendi i tyre. Çuditërisht këta fëmijë që ikin, shohim që rrëmbejnë medalje si nxënës të shkëlqyer atje ku studiojnë. Si ka mundësi nxënësit shqiptarë të fundit në botë, kur PISA vlerëson kreativitetin te 15- vjeçarët? Gjynah I madh! Mos ndoshta më e keqja është se janë katandisur për gjynah mësimdhënësit, që kanë rënë nën nivelin e një kohe kur mungonin shkollat? Copëzat e bisedave mes kolegësh arsimtarë na bëjnë të ndjehemi keq se çfarë thonë për gjendjen e zhvillimit të mësimit në klasa. Çdo gjë ka degjeneruar në krijimin e një konfliktualiteti mes nxënësve dhe mësuesve dhe anasjellas. Nxënës pa interes për mësimin dhe mësues pa dëshirë për të dhënë mësim, duke humbur çdo interes për mësimdhënie. Mësuesit e rinj janë edhe patronazhistët që kanë mbushur shkollat dhe në vend të mësimdhënies, janë kthyer në spiunë të mësuesve të vjetër, sepse këtë punë u kanë ngarkua.

Dhe kur këtë gjë e konstaton me dhimbje në Elbasan, në kryeqytetin e arsimit dhe në vendlindjen e Kristoforidhit, babait të Gjuhës Shqipe, në qytetin e Normales së famshme, kjo vërtetë është për gjynah. Si mundet që specialistë të vjetër apo ata me përvojë në institucionet e larta arsimore të heshtin? Belaja ka zënë edhe drejtuesit e ZVAve që, me gjithë dëshirën dhe përgjegjshmërinë e detyrës, vihen përballë realiteteve aspak të denja për profesionin e mësuesisë, sa në vend të merren me problemet e mbarëvajtjes së mësimit në shkolla, do merren me gërr-vërret mes mësuesve dhe me konfliktualitetet mes drejtuesve dhe mësuesve që në jo pak raste degjenerojnë në të atilla përfundime sa të vjen keq që ke të bësh me të tillë nivel të profesionit mësues. A nuk është për gjynah kjo situatë? Ajo që është bërë si një praktikë e këtyre viteve nga implementimi i programeve që kanë sjellë këshilltarët e huaj si Toni Bler për arsimin, puna me plotësimin e letrave në vend të cilësisë së mësimdhënies. Një ish-nxënësi im, sot me profesion mësues, më vjen mirë se edhe përshëndetem çdo ditë pasi kafja që konsumoj pasdite është afër me fotokopjen dhe ai çdo ditë aty me letra në duar. Një ditë më tha “na u bë arsimi punë letrash. Po të jesh në rregull me letrat, në rregull je. S’pyet njeri se si jep mësim”, “se sa përfitohet nga ky mësim që jep”. Mbeta pa fjalë dhe në mendje më shkoi fjala “gjynaf”.

E mendoj veten mësues dikur në shkollën e largët të fshatit Zavalinë, ku mësuesit flinin në kasolle (kasolle në kuptimin e vërtetë të fjalës), por mësimi ishte mësim, nxënësit vinin me dëshirë edhe pse ecnin rreth një ose gjysmë ore në këmbë dhe në kushte të vështira dhe mot të ftohtë me shi me probleme të mëdha se ishte vend malor. Ditari bëhej ditar, niveli i mësuesve në lartësinë e duhur, nxënësit që mësonin me dëshirë, prindërit, me gjithë problemet e mbijetesës të kushteve të kohës së diktaturës në fshatrat malorë, tregonin interes për mbarëvajtjen e fëmijëve në shkolla. Nuk mungonin edhe kontrollet nga Kabinetet Pedagogjike që të merrnin erzin nëse gjenin mangësi. Karizma e profesionit me ego pozitive ishte në lartësinë e detyrës së shenjtë të arsimit. Dhe, me gjithë detyrimin për “boshtin ideologjik të partisë në fuqi” mësimi ishte mësim dhe mbarëvajtja ishte detyrim. Është për gjynah ndonjë që nuk i përgjigjej nivelit të kërkesave të arsimit.

E keqja sot qëndron se të gjitha nivelet e arsimit janë katandisur për gjynah. Arsimi i lartë që ka rënë në asfiksim të lëndëve të mësuesisë dhe boshatisje të auditorëve, pedagogë që kanë mbetur si me duar në gji se janë përballë realitetit të mbylljes së degëve, pa folur pastaj për nivelet e ulëta të pedagogëve. Pyesja një ditë një grup të vogël vajzash e djemsh të lëndës së Letërsisë që i kisha në një takim se sa romane të autorëve të huaj dhe vendës kishin lexuar. Qeshën dhe shikonin njëri-tjetrin se nuk dinin si të përgjigjeshin se nuk kishin lexuar. Çfarë t’u thosha. Më erdhi keq, u ndjeva ngushtë se unë mësuesi nuk kisha lënë libër të detyruar dhe jo të detyruar që nuk kisha lexuar. Ato vajza e djem mu dukën për gjynaf. Në kujtesë më erdhën ato debate dhe tallava kryeministrore për arsimin, që ankoheshin për qeverisjen e kaluar dhe e katandisën arsimin me programe të infiltruara nga jashtë dhe me selektim pa ndonjë këshill studimor. Çfarë nuk thoshte kryeministri i sotëm për të etiketuar të kaluarën a thua se do bënte një mrekulli që arsim dhe në fakt bëri – bëri një tallava me këngë e valle, me kërcime dhe me patronazhistë, që sot ka përfunduar në boshatisje shkollash dhe universitetesh.

Shtroj pyetjen – Ku është Akademia e Shkencave që përgjigjet për mbarëvajtjen e gjithë jetës shkencore universitare dhe atë të arsimit, aq më tepër që kryetari i saj është ish-ministër i Arsimit para rreth 35 vjetësh dhe që duhet ta hante meraku se ku ka përfunduar si për gjynah arsimin kombëtar, për të cilin thuhet se “si është arsimi sot, do të jetë e ardhmja nesër”. Duket se, si në të gjitha programet e tjera që ka projekte 11- vjeçare, kjo qeverisje dhe që për çdo sektor thuhej “policia që duam”, “shëndetësia që duam”, “Shqipëria që duam”, mbi to keq e më keq u bë “arsimi që duam” dhe që nuk është sot as sa në vendet e botës së tretë siç klasifikoheshin vendet kohë më parë.

Me të vërtetë shkelja e kufijve të arsyes për çdo sektor të jetës shoqërore në një vend si ky yni, që e ka dashur arsimin dhe e ka luftuar me penë dhe pushkë për arsimin, fjala “gjynaf” që është sinonim me fjalën “mëkat” për gjendjen e arsimit sot ka marrë përdorim të natyrshëm për fatin e keq. Zoti na ruajt nga kjo politikë jo vetëm e keqe për arsimin, por kriminale, në shëndetësi, në polici, në grabitjen e pasurisë kombëtare, a thua se është pronë e një kryeministri, që e shohim ditën për diell që vjedh popullin e tij, e barabartë kjo me tradhti kombëtare.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura