Një nga personat e shumëkërkuar nga drejtësia shqiptare Talo Çela dyshohet se ka qenë objektiv i atentatit të pasdites së sotme në Elbasan, ndërsa autori dyshohet të jetë Nuredin Dumani i cili u arrestua këtë mbrëmje në Fier, pas një operacioni blic të forcave RENEA.
Po kush është Talo Çela, një nga emrat më të shumëkërkuar të drejtësisë shqiptare, i cili akuzohet për vrasjen e vëllezërve Haxhia si dhe dyshohet në përfshirjen e ekzekutimit të katër personave të tjerë, Indrit dhe Arben Dylgjerit, një shtetasi turk në 28 dhjetor 2018, si dhe Andi Zylyfit rreth një vit më pas.
Vrasja e dy vëllezërve Besmir dhe Viktor Haxhia
Në rrugën e tregut të makinave në Durrës u ekzekutuan me breshëri plumbash vëllezërit Besmir dhe Viktor Haxhia. Ngjarja e rëndë ndodhi më 27 prill 2020, ndërsa në momentin e vrasjes viktimat ishin duke lëvizur me të njëjtin automjet. Si autor i kësaj ngjarjeje u akuzua Talo Çela. Motivi i ekzekutimit dyshohet se ishte përplasja mes tyre për grabitjen e Rinasit. Vetë Talo Çela e ka mohuar këtë akuzë teksa disa kohë më parë deklaronte se i kishte miq viktimat.
“Për një kohë të gjatë jam strehuar në banesën e Besmir dhe Viktor Haxhia, teksa isha në kërkim për grabitjen e parave të Rinasit në vitin 2019. Për këtë arsye, nuk kam patur motiv që t’i vras vëllezërit Haxhia pasi kisha njohje personale. Në momentin që ka ndodhur vrasja, unë kam qenë në shtëpinë e tyre, me të ëmën, të atin dhe hallën”, tha Çela gjatë një interviste televizive.
Përfshirja dhe roli i Talo Çelës në grabitjen e Rinasit
Talo Çela akuzohet gjithashtu se është i përfshirë në grabitjen e parave në aeroportin e Rinasit në prillit të vitit 2019. Talo Çela u akuzua se kishte ndihmuar në modifikimin e furgonit të përdorur me mbishkrimin “Hetimi Tatimor”, me qëllim që të futej lehtësisht në pistën e Rinasit, ku ndodhir edhe grabitja. Në këtë ngjarje morën pjesë edhe vëllezërit Haxhia, ku njëri prej tyre, konkretisht Viktori dyshohet se mori pjesë në modifikimin e furgonit.
Përplasja mes Talo Çelës dhe vëllezërve Haxhia
Ai që ka zbërthyer gjithë grupin kriminal ka qenë i penduari i drejtësisë, 22-vjeçari Klevis Alla duke treguar edhe organizatën në të cilën bënte pjesë. Ai akuzohet edhe si bashkautor i katër vrasjeve. Alla ka rrëfyer emrat e përfshirë në grabitjen e Rinasit, ku Besimir Haxhia sapo ishte licencuar si avokat dhe ka qenë i dënuar më parë në Greqi për drogë, me emrin e rremë Pëllumb Rusi. Ai ka qenë në të njëjtën qeli ku ndodhej edhe Admir Murataj, ideatori kryesor i grabitjes së Rinasit, i cili mbeti i vrarë nga policia gjatë ndjekjes. Vëllai i tij Viktori drejtonte biznesin e shitjes së automjeteve, ku u modifikua furgoni që do shërbente për grabitjen e Rinasit. Përveç strehimit të një prej autorëve, ata kishin dijeni dhe për vendin e fshehjes së parave dhe ky ka qenë një nga arsyet kryesore të vrasjes së tyre.
Kështu që Talo Çela akuzohet se ka porositur vrasjen e vëllezërve Haxhia sepse ata nuk po i jepnin paratë që grabitën bashkë në Rinas. Nga ana e tij, Klevis Alla i tregoi Prokurorisë edhe vendin ku ishin fshehur armët. Ai ka treguar dhe pozicionin dhe veprimet kriminale që kishin kryer të gjithë pjesëmarrësit. Sipas rrëfimit të Klevis Allës, ditën e ngjarjes së vrasjes së dy vëllezërve Haxhia, vetë ai ka qenë shofer i një automjeti “Toyota” të vjedhur. Ndërsa Altin Ndoci, ka qenë me armë kallashnikov në sediljen e parë të makinës. Në sediljen e pasme mësohet se kanë qenë të pajisur me dy kallashnikovë, Nuredin Dumani dhe Talo Çela. Gjithmonë sipas Klevis Allës, ata kanë mbajtur në mbikëqyrje dy vëllezërit kur i kanë pikasur, ata i kanë ndjekur nga pas dhe i kanë qëlluar. Dy personat që i kanë qëlluar ishin Nuredin Dumani dhe Talo Çela, ndërsa sipas bashkëpunëtorit Altin Ndoci, nuk ka hapur zjarr.
Vrasja e Bujar Çelës, vëllait të Talo Çelës
Sa i përket vrasjes së vëllait të Talo Çelës, Bujar Çela, policia ka akuzuar 39-vjeçarin nga Dibra, Nuredin Dumani i cili u kap mbrëmjen e sotme në Fier nga forcat RENEA. Dumani akuzohet edhe si autori i vrasjes së dy vëllezërve Haxhia në Durrës dhe Klevis Kapllanajt në Rrogozhinë. Nuredin Dumani dhe Klevis Kapllani, janë nga i njëjti fshat, Sinaballaj dhe para se Dumani të shpallej në kërkim nga policia, ata shoqëroheshin bashkë në publik. Ai akuzohet se është i implikuar edhe në dy ngjarje të rënda në Durrës, me një bilanc prej 4 viktima, Besmir Haxhia, Viktor Haxhia, Dorjan Shkoza dhe Anxhelo Avdylit, në 2 mars të vitit 2020.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al