MARK MARKU
Artikujt për Shqipërinë të botuar në Daily Mirror dhe Corriere Tv kanë shkaktuar një reagim të madh të institucioneve shtetërore ..mediave dhe opinionit publik shqiptar. Vetë ministri i Brendshëm, z. Tahiri, u ka drejtuar një letër mediave që i kanë botuar këta artikuj plot pezm dhe qortime se po prishin imazhin e vendit tonë.
Edhe pse në këtë rast jam emocionalisht përkrah ministrit të Rendit të vendit tim, pasi pezmi për njollosjen e imazhit të Shqipërisë është i njëjtë te kushdo që ndihet shqiptar, më duket se qasja ndaj këtij problemi është e gabuar. Për të qenë më i saktë, më duket i gabuar pozicioni i vetëviktimizimit që po synohet t’u injektohet shqiptarëve me këtë rast.
Dhe këtu nuk bëhet fjalë vetëm për letrën e ministrit Tahiri, por edhe për reagimin e mediave, të publikut të shprehur në rrjetet sociale. Nga kjo atmosferë të krijohet përshtypja sikur ne jemi viktimë e një komploti të koordinuar të shërbimeve sekrete të vendeve që nuk na duan dhe të mediave të huaja, sikur dikush po investohet për të prishur imazhin e vendit tonë.
Daily Mirror dhe Corriere Tv kanë publikuar shkrime ku bëhet fjalë për një veprimtari kriminale që ka si burim Shqipërinë dhe destinacion Italinë dhe Anglinë, veprimtari ku, sipas autorëve të shkrimeve, narkotrafiku është shtënë në dorë të ISIS-it dhe se prej këtij aktiviteti kriminal kjo organizatë terroriste nxjerr fitime prej miliarda eurosh.
Kjo tezë, sado që vjen nga media serioze, duket e ekzagjeruar, sidomos për sa i përket rolit të ISIS-it në këtë trafik. Por, logjikisht nuk ka pse të na habisë kaq shumë fakti që grupe që merren veprimtari kriminale, si kultivimi, përpunimi dhe shpërndarja e lëndëve narkotike, të hyjnë në marrëdhënie me grupe terroriste të çfarëdolloji qofshin ato, me frymë- zim fetar, politik apo thjesht ekonomik.
Kemi parë sa e sa regjime dhe forca diktatoriale që kanë mbështetur dhe janë mbështetur nga grupe të tilla. Pse grupet kriminale shqiptare (hipotetikisht) nuk mund ta bëjnë një gjë të tillë? Dhe, tek e fundit, pse ne fyhemi në krenarinë kombëtare se dikush “njollos” grupet kriminale shqiptare si bashkëpunëtorë të ISIS-it?
Por, nëse për pjesën e angazhimit të ISIS-it gazetarët e huaj ia kanë futur kot (personalisht mendoj se informacionet e tyre janë të pambështetura në fakte të besueshme), a kanë bazë reale shkrimet e tyre për sa i përket trafikut të lëndëve narkotike? Si për ironi të fatit, ende pa mbërritur letra e ministrit Tahiri në zyrat e redaksive të mediave që kanë botuar shkrimet, po nga këto media, sapo na mbërrin një lajm tjetër po aq i keq: autoritetet italiane kishin kapur afro një kuintal kokainë që trafikohej nga një grup në Shqipëri, vlera totale e të cilit ishte diku rreth 18 milionë euro.
Apo kapja po dje e 450 kg kanabis në portin e Brindizit dhe që kishte ardhur nga porti i Vlorës. A janë këto lajme pjesë e komplotit për dëmtimin e imazhit? Dhe po të bëjmë një bilanc të këtyre lajmeve që kriminaliteti shqiptar prodhon nëpër vendet evropiane, ai del i begatë.
Me siguri nuk janë mediat e huaja që i detyrojnë shqiptarët ta mbushin territorin e tyre me bimë narkotike, nuk janë mediat e huaja që i marrin gratë, vajzat apo motrat e shqiptarëve dhe i bëjnë të prostituojnë rrugëve të Evropës, nuk janë mediat e huaja që, të njëjtët persona të cilët në shtetet e tyre po t’i kapin, i fusin në burg, në Shqipëri na i shtijnë në parlament si deputetë, i kandidojnë për kryetarë bashkie, u japin tendera, i fusin në radhët e policisë, i gradojnë.
Besoj këtu nuk ka asnjë dyshim: komplotistët dhe atentatorët e imazhit të vendit tonë jemi ne, qeveria jonë, partitë tona politike. Ky farë vetëviktimizimi dhe fyerje në krenarinë tonë kombëtare më duket jo vetëm i pavlerë, por një sistem i strukturuar vetë- mashtrimi, krejt joproduktiv në mbrojtjen e vlerave kombëtare që na bëjnë krenarë.
Duhet të fyhemi më shumë pse një pjesë e bashkatdhetarëve tanë e kanë si front kryesor punësimi drogën. Duhet të fyhemi më shumë pse në ndryshim nga vendet e tjera që kanë kultin e njeriut të punës, të dijes, njeriut të ndershëm, të përkushtuar, në shoqërinë shqiptare ekziston kulti i të fortit, i trafikantit, i vrasësit, i xhahilit, matrapazit, xhambazit.
Askush nuk i bën pyetjen vetes, me çfarë parash e ka siguruar qytetari shqiptar pasurinë, sa viktima kanë shkaktuar pallatet në të cilat jetojmë, restorantet ku drekojmë, kafenenë ku i ankohemi për ditë njëri-tjetrit. Nuk na i vrasin të huajt bashkëqytetarët tanë, i vrasin kriminelët shqiptarë, nuk na e vjedhin pasurinë publike të huajt, por janë ministrat dhe politikanët tanë që e bëjnë këtë gjë në bashkëpunim të ngushtë me këta kriminelë, nuk janë të huajt që na korruptojnë mësuesit, pedagogët, gjyqtarët, mjekët, policët, deputetët, ministrat, jemi ne.
Është pikërisht ky realitet i vrazhdë, bërtitës që prodhon imazhin tonë. Natyrisht të huajt kanë paragjykimet e tyre, që prodhojnë vazhdimisht stereotipe, dhe që në jo pak raste ia veshin kujtdo që u del përpara. Predispozitën e tyre psikokulturore ndaj të tjerëve e ka përcaktuar Cvetan Todorovi në dy librat e tij, Pushtimi i Amerikës dhe Ne dhe të tjerët.
Kur flet për tipologjinë e raporteve me tjetrin, ai vëren se: “Ka tre akse rreth të cilave sillet problematika e raporteve me tjetrin. Në radhë të parë ka një gjykim vlerash: tjetri është i mirë ose i keq, është i njëjtë me mua apo është më inferior se unë. Më pas vjen aksioni i afrimit apo i largimit nga tjetri: unë i pranoj vlerat e tjetrit, identifikohem me të, ose e asimiloj tjetrin, i imponoj pamjen time.
Mes nënshtrimit ndaj tjetrit dhe nënshtrimit të tjetrit qëndron një mundësi e tretë që është shpërfillja ose ftohtësia ndaj tjetrit. Aksi i tretë ka të bëjë me shkallën e njohjes që kam unë për tjetrin e këtu kemi të bëjmë me një përshkallëzim të pafundëm të shtresave njohëse më të vogla dhe më të mëdha të tjetrit”. Në rastin tonë ne kërkojmë që gazetarët e huaj që vijnë te ne të vijnë vetëm me predispozitën e afrimit me ne, në mënyrë që ata të shohin te ne vetëm gjërat e mira dhe të mbyllin sytë para gjërave të tmerrshme që u ofrojmë bujarisht.
Nëse do të ishin kështu, mund të ishin humanistë të mirë, të dashuruar me Shqipërinë, por shumë pak gazetarë. Mëkat që mediat e huaja na dërgojnë gazetarë që e nakatosin imazhin e shqiptarëve dhe Shqipërisë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al