Ervin Salianji, kryetari i Komisionit Hetimor Parlamentar për sistemin Tims, ka reaguar pasi Kushtetuesja rrëzoi PS-në për ligjin e ri të komisioneve hetimore.
Ervin Salianji ironizoi maxhorancën, teksa u shpreh se janë në paligjshmëri dhe në antikushtetuetshmëri në lidhje me vendimet e tyre në mbledhjet e mëparshme për t’i zhvilluar me dyer të mbyllura.
“Rrini me kokën ulur, jo si shumica që vjedhin dhe e mbajnë kokën lart”, iu drejtua Salianji.
Deputeti demokrat theksoi se ligjvënësit e PS janë të kapur nga Gjykata Kushtetuese në shkelje.
“Marrja e provave nga Komisioni hetimor duhet të synojë të sjellë dritë në errësirë për sqarimin e përgjegjësive politike, thotë Gjykata Kushtetuese. Ndërkohë që ju siç jua kam thënë e keni bërë edhe kur kemi pasur drita e keni kthyer në errësirë si lakuriqët e natës. Çdo mbledhje këtij komisioni që duhet të sillte transparencë për çdo funksionar që ka shkelur ligjin, ju e keni mbyllur me vendimmarrje të ndërmjetme, duke qenë edhe ju në shkelje të ligjit. ‘Vendimi i ndërmjetëm për refuzimin e provave duhet të jetë përjashtim nga rregulli i përgjithshëm sipas të cilit provat e kërkuara nga pakica parlamentare duhet të merren, vendimi për refuzimin e provave duhet të jetë i arsyetuar në drejtim të shkaqeve. Po ashtu është shfuqizuar neni për marrjen e lejes nga prokuroria dhe gjykata për thirrjen e dëshmitarëve, si edhe me të drejtën e dëshmitarit për të refuzuar të dëshmojë. Edhe këtë pikë e kemi bërë debat 4 orë. Ne kërkonim të vinte të dëshmonte, ju kërkonit me ngulm që të trokisnim në dyert e institucioneve për të marrë leje.
Ja ku jeni në kapur nga Gjykata në shkelje. Jeni në antikushtuetshmëri. Më vjen mirë që rrini me kokën ulur se është gjë e mirë, e keni shumicën që vjedhin e rrinë me kokën lart, kurse ju u kapët me shkelje dhe rrini me kokën ulur. Nuk keni se çfarë të thoni”, tha Salianji.
Kryetari i Komisionit u shpreh se në lidhje me mbledhjet që janë zhvilluar me dyer të mbyllura duhet të zbardhen procesverbalet ose të thirren sërish dëshmitarët për t’u marrë në pyetje në mbledhje me dyer të hapura.
“Të gjitha mbledhjet që i keni bërë të mbyllura gjasme sikur ka pasur ndonjë sekret shtetëror, ju keni qenë dëshmitar që nuk jeni njohur me asnjë dokument të klasifikuar si dokument shtetëror, të zbardhen tani procesverbalet ose të thirren për tu marrë në pyetje me dyer të hapura për tu kthyer në shinat e vendimmarrjes që ka marrë Kushtetuesja për ligjin për komisionet hetimore”, tha Salianji.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al