“Ky është vetëm fillimi”, Temperaturat ekstreme përfshijnë gjithë botën, Evropa Jugore prej ditësh “nën pushtetin” e flakëve

Jul 18, 2023 | 12:44
SHPËRNDAJE

Temperaturat e larta pritet të vazhdojnë në pjesë të Evropës Jugore gjatë kësaj javë. Ekspertët paralajmërojnë se kontinenti evropian po përgatitet për valën e dytë ekstreme të të nxehtit, duke vënë në rrezik shëndetin e njerëzve dhe duke krijuar mundësi për rënien e zjarreve.

WhatsApp Image 2023-07-18 at 12.26.39

Italia, Spanja dhe Greqia tashmë janë duke luftuar me temperatura të larta dhe rënie të zjarreve në një pjesë të madhe të territorit të tyre.

Në Itali temperaturat në shumë qytete pritet të rriten mbi 40 gradë Celsius (104 Fahrenheit).

“Ajri i nxehtë që u fut nga Afrika tani ka bërë që nxehtësia në det, tokë dhe ajër të vazhdojë të rritet me ritme të shpejta”, ka deklaruar Hannah Cloke, shkencëtare klimatike, sipas CNN.

Temperaturat e larta arritën në 52.2 gradë Celsius të dielën, në Kinën veriperëndimore. Ndërsa në SHBA, Lugina e Vdekjes në Kaliforni arriti gati 52 gradë Celsius.

Studiuesit kanë paralajmëruar se situata e krijuar në të gjithë botën është vetem fillimi, duke theksuar se pritet që në vijim temperaturat të arrijnë shifra edhe më të larta, si dhe valët e të nxehtit do të bëhen më të shpeshta dhe më intensive.

Temperaturat globale janë rritur tashmë 1.2 gradë Celsius nga nivelet para-industriale. Qershori ishte muaji më i nxehtë i planetit.

Kulmi i nxehtësisë në Itali sipas ekspertëve do të jetë mes të hënës dhe të mërkurës, ku temperaturat pritet të ngjiten mbi 45 gradë Celsius në disa pjesë të vendit. Në Greqi temperaturat janë rritur mbi 40 gradë Celsius, autoritetet u detyruan të mbyllin Akropolin në Athinë, nga mesdita deri në orën 17:00.

Në Spanjë, temperaturat në qytetet e Seviljes, Kordobës dhe Granadës kanë arritur deri në 40 gradë Celsius. Edhe rajoni normalisht më i freskët i Navarrës në veri të vendit, po përjeton deri në 40 gradë Celsius.

Nxehtësia e madhe ka ndihmuar gjithashtu në rënien e zjarreve në këto rajone, të cilat prej  disa ditësh tashmë kanë shkrumbuar sipërfaqe të mëdha pyjesh e banesash.

Zjarret në ishullin La Palma në ishujt Kanarie të Spanjës, të cilat filluan të shtunën në mëngjes, kanë djegur 11,490 hektarë tokë pyjore dhe jo vetëm, duke shkatërruar 20 shtëpi dhe duke detyruar evakuimin emergjent të mijëra njerëzve. Në zonën e Loutraki, një qytet në jugperëndim të Athinës, u evakuuan 1200 fëmijë nga një kamp veror pasi shumë pranë tyre u krijuar një vatër e madhe zjarri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura