Gjykata e Apelit të Posaçëm ka vendosur të lërë në fuqi dënimin me dy vite burg, të kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri.
Gjithashtu vendimi i GJKKO, për shërim prove është lënë në fuqi edhe për Pandeli Kokaveshin.
Kujtojmë se Beleri (i cili është zgjedhur eurodeputet në Greqi) dhe Kokoveshi u arrestuan me urdhër të Prokurorisë së Vlorës në orët e para të mëngjesit të 12 majit 2023, vetëm dy ditë përpara datës kur do të votohej për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive.
Sipas organit të akuzës, rezultonte se i pandehuri Beleri ka ofruar nga 50 euro për tetë vota. Po ashtu, Beleri u akuzua se i kishte dhënë paratë nëpërmjet të pandehurit tjetër, Pandeli Kokaveshi.
Njoftimi i Apelit të GJKKO:
Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Daniela Shirka (kryesuese), Dhimitër Lara (anëtar), dhe Iliriana Olldashi (anëtare), më datë 25.06.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 32 akti, datë 08.05.2024 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesve/të pandehur Dh.A.B. dhe P.K., kundër vendimit nr. 14, datë 05.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:
- Deklarimin fajtor të të pandehurit P.K., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 328 e 25 të Kodit Penal dhe në bazë të këtyre dispozitave, dënimin e tij me 1 (një) vit dhe 6 (gjashtë) muaj burgim.
- Në aplikim të nenit 59 të K.Penal urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim, për pjesën e mbetur pa vuajtur të tij, duke e vënë të pandehurin P.K. në provë për një periudhë kohe prej 3 (tre) vjetësh, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte të rregullta me Zyrën e Shërbimit të Provës ku ka vendbanimin e tij.
- Në zbatim të nenit 261/1 shkronja “b” të K.Pr.Penale, shuarjen e masës së sigurimit personal “Detyrimi për tu paraqitur në Policinë Gjyqësore” e caktuar ndaj të pandehurit P.K. me vendimin nr. 19, dt. 01.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Dh.A.B., për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 328 e 25 të Kodit Penal dhe në bazë të këtyre dispozitave, dënimin e tij me 2 (dy) vite burgim.
- Vuajtja e dënimit për të pandehurin Dh.A.B., fillon nga dita e arrestimit të tij dt. 12.05.2023 dhe të kryhet në një IEVP, burg i sigurisë së zakonshme.
- Në zbatim të nenit 190/1 germat “a” dhe “ç” të K.Pr.Penale, në lidhje me provat materiale të sekuestruara për llogari të këtij procedimit penal, Gjykata disponon si më poshtë:
– Një CD-R Maxell mbi të cilën është shënuar me shkrim dore “Komisariati Himare Dt. 10.05.2023”, një DVD-R mbi të cilën është shënuar shkrim dore “Komisariati Himarë Dt.11.05.2023”, DVD+RW” EMTEC, mbi të cilën është shënuar me shkrim dore “Proc. Nr. 489 dt. 08.09.10.11 i 5 – 2023 Himarë. Vlorë, të qëndrojnë në dosje.
– 8 (tetë) kartëmonedha të prerjes 5.000 lekë, të konfiskohen dhe kalojnë në favor të shtetit.
– Aparat celular i llojit “RedMi”, ngjyrë e zezë, i përdorur nga i pandehuri P.K., të konfiskohet dhe kalojë në favor të shtetit.
– Aparat celular i llojit “Iphone” me ngjyrë të zezë, me mbrojtëse plastike me ngjyrë të zezë, i përdorur nga i pandehuri Dh.A.B., të konfiskohet dhe kalojë në favor të shtetit.
– Pajisje DVR e markës “Dahua”, numër serie SN 6J001308PA213DF64, sekuestruar shtetases E.S., ti kthehet kësaj shtetaseje.
– Aparat celular i llojit “Iphone 11 Pro Max”, ngjyrë e zezë, me veshje të jashtme plastike të kuqe, në gjendje të fikur, me IMEI: ***, i përdorur nga dëshmitari A.R., ti kthehet këtij shtetasi.
– Një qese plastike, ngjyra e bardhë, me mbishkrime me ngjyrë të gjelbër, brenda së cilës gjenden: – një faturë tatimore e subjektit me NIPT ***, e datës 11.05.2023, një faturë tatimore me shkrim në gjuhën Greke, me vlerë 27,00 EUR, dy tollona nafte 10 litra dhe dy tollona nafte 5 litra të karburant “***”, dy blloqe të vegjël shënimesh me fletë me ngjitëse me ngjyrë përkatësisht rozë dhe jeshile. Një kartë e re celulari sim Vodafone, në paketim letre, me numër ***, katër fletë letre me mbishkrime në gjuhën greke, të kapura së bashku, një kartë vizitë me shkrimin Laptop service, një portofol material lëkure brenda së cilit gjendet: një dokument me fotografi i plastifikuar, me shkrim në gjuhën Greke; një kartë debiti e bankës “Alpha Bank” me numër ***; një kartë debiti e bankës “NBG” me numër ***; një dokument me fotografi material plastik me mbishkrimin “Omonia” dhe me numër ***; dy karta plastike me mbishkrimin përkatësisht “***” dhe “***” si dhe tetë kartëvizita të tjera, sende këto të sekuestruara gjatë kontrollit të të pandehurit P.K., t’i kthehen këtij të fundit.
- Shpenzimet procedurale gjatë fazës së hetimit në shumen totale 166.920 (njëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë mijë e nëntëqind e njëzet) lekë si dhe shpenzimet gjyqësore, sipas formularit përkatës, u ngarkohen të pandehurve, në mënyrë solidare.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim nga palët brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, afat i cili fillon nga dita e nesërme e njoftimit të vendimit.
Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:
– Lënien në fuqi të vendimit nr. 14, datë 05.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
– Shpenzimet e gjykimit në apel, i ngarkohen solidarisht të pandehurve P.K. dhe Dh.A.B.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al