Gjykata e Tiranës e ka dënuar sot me 35 vite burg, ish-gardistin Alket Arapaj i cili u shpall fajtor për vrasjen e bashkëshortes së tij.
Ngjarja tronditi opinionin publik dy vite më parë, më 12 shkurt 2019, kur në orët e para të mëngjesit, në banesën e tyre në Allias, Arapaj u mori jetën me armën e shërbimit gruas së tij Ervilma Seferaj, asokohe 36-vjeçe.
Referuar hetimeve, dyshimet u ngritën se shkak për vrasjen u bë xhelozia dhe mendimi se bashkëshortja e tij takohej me persona të tjerë.
“Kohët e fundit më ishin shtuar dyshimet se ajo më tradhtonte. Dyshoja sepse kur kthehesha nga puna gjeja objektet e levizura ne shtëpi”- është shprehur edhe vetë autori gjatë një seance gjyqësore pas krimit.
Prokuroria ngriti ndaj tij akuzën “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, për të cilën parashikohet masa ekstreme e dënimit, burgim i përjetshëm.
“Hajdeni më arrestoni”, telefonata e gardistit pasi vrau gruan
Nëna e një vajze 3 vjeçe asokohe, u qëllua për vdekje nga bashkëshorti gardist, pas dyshimeve për tradhti.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 06:00 të mëngjesit në rrugën “Vangjel Capo”, në zonën e Alliasit. Autori i dyshuar i krimit, Alket Arapaj, 44 vjeç, kolonel në Gardën e Republikës, teksa bëhej gati për t’u paraqitur në shërbim ate dite, debatoi me të shoqen, Ervilma Seferaj. Në debat e sipër e qëlloi atë tri herë me armën e shërbimit.
Menjëherë pas ngjarjes, ai i ka telefonuar sallës operative të Policisë së Tiranës. “Kam vrarë gruan, hajdeni më arrestoni”.
Kjo ka qenë telefonata që vuri në lëvizje fillimisht shërbimet e Komisariatit nr.4, që shkuan menjëherë në vendngjarje. Më pas aty mbërritën edhe oficerët e Krimeve të Rënda dhe ekspertë kriminalistë, që kryen veprimet hetimore.
Ndërsa autori u prangos duke u transportuar në Drejtorinë e Policisë së Tiranës. Burimet thanë se në apartamentin e çiftit, u gjet arma e krimit, pistoleta e shërbimit të gardistit që ekzekutoi bashkëshorten.
NGJARJA
Alket Arapaj ishte zgjuar herët në mëngjes dhe kishte veshur uniformën e Gardës, pasi do të paraqitej në shërbim.
Ka marrë pistoletën e punës, që e mbante me vete edhe në shtëpi dhe ende nuk kishte dalë nga dhoma e gjumit, kur nisi një debat me të shoqen, Ervilma Seferaj.
Edhe ajo ishte zgjuar si zakonisht, për të bërë punët e shtëpisë, të përgatiste vajzën për në kopsht dhe më pas të shkonte edhe vetë në punë.
Ditët e fundit mes çiftit kishte pasur debate, por diten e krimit situata është acaruar edhe më shumë.
Në debat e sipër, gardisti 44- vjeçar ka nxjerrë armën e shërbimit që e kishte vënë në brez dhe ka qëlluar 3 herë në drejtim të gruas, duke e lënë të vdekur në vend.
Menjëherë pas ngjarjes, ai i ka telefonuar Policisë, duke rrëfyer krimin. Ndërsa u ka treguar se është efektiv i Gardës së Republikës. Për këtë arsye, në vendin e ngjarjes, përveç shërbimeve të Policisë, kanë qenë të pranishëm edhe oficerë të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, të cilët kryen arrestimin në flagrancë.
AUTORI I KRIMIT NË FAMILJE, 21 VJET PJESË E GARDËS SË REPUBLIKËS
Alket Arapaj, prej 21 vitesh kishte qenë pjesë e Gardës së Republikës.
Ai kishte përfunduar arsimin e lartë ushtarak në vitin 1997 dhe që pas asaj kohë i ishte bashkuar Gardës.
Së fundmi, ai kishte mbajtur gradën Kapiten. Prej disa vitesh, ai shërbente në Njësinë nr.3 të Gardës, te Pallati i Brigadave. Ndërsa më herët kishte qenë edhe shoqërues i PLSH-ve (Personaliteteve të Larta Shtetërore). Në rrethin shoqëror dhe familjar Alket Arapaj njihej si person i sjellshëm dhe praktikues i fesë islame, ndërsa edhe gruaja ishte e mbuluar.
Arapaj ishte i pajisur me armën e shërbimit tip pistoletë, të cilën në bazë të ligjit ka të drejtë ta mbajë me vete edhe jashtë orëve të shërbimit. Nga ana tjetër, burime nga Garda e Republikës, thanë se Arapaj ishte një efektiv i rregullt, i përpiktë dhe pa masa disiplinore. Edhe bashkëshortja e tij, ishte me arsim të lartë, e diplomuar për Histori-Gjeografi.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al