Flutura Açka largohet nga grupi parlamentar i PD, dorëhiqet edhe si Kryetare e Komisionit për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik

Jul 25, 2024 | 7:55
SHPËRNDAJE

Deputetja Flutura Açka ka marrë vendimin për t’u larguar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, po ashtu ka dhënë dorëherqjen edhe nga funksioni i saj si Kryetare e Komisionit për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik.

Flutura-Acka-1068x745

Flutura Açka i është drejtuar me një shkresë Kuvendit, ku e njofton edhe për dy vendimet që ajo ka marrë.

Ky vendim vjen një ditë pasi opozita dhe mazhoranca ranë dakord për reformën zgjedhore, por sipas saj, “dje ra edhe maska e fundit”.

Me anë të një postimi në Facebook, deputetja thote se sulmet e fshehta dhe të hapura ndaj saj nuk lanë reshtur, me të gjitha format dhe mjetet.

Ajo argumentin se ne keto kushte të padrejta është përpjekur të përmbush detyrimin e saj kushtetues në mbarëvajtjen e punës së Komisionit Parlamentar që drejtonte.

“Ndaj, në respekt të çdo demokrati të ndershëm që kam njohur në jetën time dhe në detyrim të idealeve për të cilat u themelua Partia Demokratike në kapërcyell të 90’tës, jam e detyruar të mos e pranoj më gjendjen e pashëndetshme të krijuar nga presionet politike rreth meje”, shkruan Acka.

Reagimi i Flutura Açkës

Nga dje ra dhe maska e fundit, tani ju ka mbetur edhe akti i fundit, Komisioni AntiSPAK

Por unë nuk dua të bëj sehir minën ndaj demokracisë, ndaj largohem nga Grupi i PD

KUVENDI

Nr. ______prot.                                                                                  Tiranë, më 24 korrik 2024

Lënda: ​

  1. Dorëheqje nga Drejtimi i Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik
  2. Largim nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike

Drejtuar:          ​

Znj. Lindita NIKOLLA

​​​Kryetare e Kuvendit të Shqipërisë

​E Nderuara, zonja Nikolla

​Sikurse edhe jeni në dijeni, në mbledhjen e parë të këtij sesioni parlamentar (në janar të këtij viti) të Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik, të cilin e drejtoj qysh prej vjeshtës së vitit 2021, ndodhi një incident i pakëndshëm me një grup kolegësh të Opozitës, mes tyre edhe drejtues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

Nga ajo kohë, sulmet e fshehta dhe të hapura ndaj personit tim nuk lanë reshtur, me të gjitha format dhe mjetet dhe shkakun e vetë: qasjet e ndryshme të sjelljes politike opozitare.

Edhe pse në këto kushte të padrejta, jam përpjekur të përmbush detyrimin tim kushtetues në mbarëvajtjen e punës së Komisionit Parlamentar që drejtoj.

Ndaj, në respekt të çdo demokrati të ndershëm që kam njohur në jetën time dhe në detyrim të idealeve për të cilat u themelua Partia Demokratike në kapërcyell të 90’tës, jam e detyruar të mos e pranoj më gjendjen e pashëndetshme të krijuar nga presionet politike rreth meje.

Në marrëdhënien time politike me Partinë Demokratike, jam udhëhequr vetëm nga parime të larta dhe në shërbim të aksionit opozitar, pa prekur lirinë time vetjake. Ndaj:

Që të mos jem më pjesë e alibisë së shkatërrimit të Opozitës, të cilën e ndanë dhe e shqyen para syve tanë personazhe me etje të pangopur politike;

Që të mos hesht përballë minimit që po i ndodh demokracisë shqiptare nga bashkëpunimi me pushtetin dhe në dëm të interesave demokrate e kombëtare, të një grupi të vogël opozitar me parime qokash dhe moral të dyshimtë politik;

Që të shfaq qartë dhe e pandikuar para demokratëve, votuesve dhe shqiptarëve – të cilët ende besojnë te politika e pastër – aksionin tim personal si opozitare ndaj kundërshtarit tonë të përbashkët politik, pa u ndikuar nga fryma që ka kapluar tashmë prej vitesh Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike;

Që të mos hesht përballë intrigave e makinacioneve të paprincip të personave të caktuar në Opozitë, të cilët, me betejat e tyre të rreme, e kanë diskretituar shpesh aksionin opozitar;

Deklaroj nga sot:

– Dorëheqjen time si Kryetare e Komisionit Parlamentar për Edukim dhe Mjetet e Informimit Publik.

– Largimin nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike.

Me respekt,

​​​​​​DEPUTETE

​​​​​​Flutura Açka

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura