Leonidha Musaj
Kërkohet për terrorizëm, Gjykata lë në burg rusin e kërkuar nga Interpol.
E thërrisnin si Maradona, flet rusi i arrestuar për terrorizëm: Mos më dorëzoni në Rusi, më rrezikohet jeta. Çfarë kam bërë për Sirinë
Gjykata e Durrësit ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me burg” për shtetasin rus Rasul Mislaev, 34 vjeç, me qëllim ekstradimi. Rusi ishte shpallur në kërkim nga Interpoli në Moskë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor në Nadterechni e akuzon për veprën penale “Pjesëmarrja në organizatë terroriste”.
Mislaev kishte hyrë në vendin tonë si emigrant i paligjshëm, ndërsa arrestimi i tij u bë i mundur katër ditë më parë, pas një kohë të gjatë që iu deshën autoriteteve për identifikimin e tij. 34-vjeçari thuhet se në qershor të vitit 2013 është larguar nga Rusia për në Siri, ku i është bashkuar Shtetit Islamik (ISIS), duke qenë pjesëmarrës aktiv në luftime kundër forcave qeveritare në Siri.
Rasul Mislaev, gjatë seancës për rivlerësimin e masës së sigurisë në Gjykatën e Durrësit, ka mohuar akuzat nga autoritetet ruse. 34-vjeçari ka deklaruar se në Siri ka qenë për të krijuar një organizatë për t’u ardhur në ndihmë viktimave të luftës dhe jo për të luftuar krah ISIS-it. “Kam krijuar një organizatë për të mbledhur ndihma për viktimat e luftës në Siri, nuk jam terrorist. Mos më dorëzoni në Rusi se më rrezikohet jeta“, është shprehur Mislaev. Mirëpo, sipas provave të autoriteteve ruse Mislaev ka qenë pjesë e grupimit terrorist të Jaish al Muhaxhirin al Answar, pjesë e ISIS-it. Rusi ka qëndruar për gati një vit në qendrën e paraburgimit administrativ në Kareç, në Durrës.
Ai ka hyrë në territorin e vendit tonë bashkë me emigrantë të tjerë nga vende në konflikt. Ndonëse shpeshherë është marrë në pyetje për identitetin e tij, Mislaev nuk ka pranuar asnjëherë të flasë, deri në momentin kur autoritetet bënë identifikimin e tij përmes agjencive partnere, nga ku u zbulua se ishte një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Ai rezulton se ka udhëtuar në vitin 2013 nga Rusia në Turqi dhe mandej në Siri, ku në qytetin Kharitan i është bashkuar njësisë së armatosur të organizatës terroriste. Mislaev prezantohej përpara stafit të Kareçit si “Diego Maradona”.
Vetë stafi dhe punonjësit e Policisë Kufitare ia kishin vendosur emrin X, ndërsa njëkohësisht të huaj dhe agjentët e antiterrorit, të bindur se bëhej fjalë për një terrorist, vazhdonin të komunikonin me ndërkombëtaret dhe t’u kërkonin shenjat e gishtave.
Ajo që e tradhtoi nuk ishte karakteri i tij i çuditshëm apo fakti që qëndronte i mënjanuar nga të tjerët, por e tradhtoi një telefonatë, një telefonatë e cila i çoi autoritetet shqiptare në një komunikim të vazhdueshëm me Rusinë, e cila nga ana e saj konfirmoi se ky shtetas ishte me kartelën ‘alarm i kuq’.
Kur ai mbërriti në Shqipëri verën e 2018-ës së bashku me një grup emigrantësh që vinin nga lufta, rusi u shtir si një person që as dëgjonte dhe as fliste.
Pas shumë kohësh që u mbajt në vëzhgim, ngriti gjithnjë e më shumë dyshime se në fakt nuk ishte një person që po largohej nga lufta. Ai kishte arritur të mashtronte për identitetin e tij edhe emigrantët e tjerë, me të cilët kishte hyrë në territorin e vendit tonë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al