Gjykata Kushtetuese rrëzoi dje Byronë Kombëtare të Hetimit, duke e cilësuar atë antikushtetuese.
Shtatë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese votuan kundër ligjit të ri të miratuar nga qeveria që i jepte kompetenca Byrosë Kombëtare të Hetimit të luante rolin e Prokurorisë.
Përmes një njoftimi për mediat, Gjykata Kushtetuese bëri publik vendimin e saj: “Shpalljen si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të Kreut VI Byroja Kombëtare e Hetimit (nenet 27-36) të ligjit nr. 108/2014 ‘Për Policinë e Shtetit’”. Sipas Gjykatës, Byroja e Hetimit bie ndesh me Kushtetutën dhe nenin 108 të saj, sepse ndjekja penale është kompetencë e Prokurorisë dhe jo e Ministrisë së Brendshme. Kushtetuesja ka rrëzuar 10 nenet e ligjit për Policinë e Shtetit dhe pikërisht të gjithë kapitullin për Byronë Kombëtare të Hetimit.
Ende nuk është zbardhur argumentimi i shtatë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që votuan kundër ligjit të qeverisë, por mësohet se sipas Gjykatës, “Byroja Kombëtare e Hetimit bie ndesh me nenin 108 të Kushtetutës; ndjekja penale është kompetencë e Prokurorisë dhe jo Ministrisë së Brendshme”.
Gjatë debatit të zhvilluar në Gjykatën Kushtetuese për këtë ligj, përfaqësuesi ligjor i deputetëve demokratë që e çuan çështjen në këtë gjykatë argumentoi se vetëm prokurori përfaqëson shtetin përballë Gjykatës.
“Ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit pengon veprimtarinë e Prokurorisë, çka do të sjellë që hetimet nga profesionale të shndërrohen në hetime politike. Ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit shmang prokurorin, si mundet që Ministria e Brendshme të hetojë? Me këtë ligj Kryeministri kthehet ne kryeprokuror. Për këto arsye ligji duhet të shpallet antikushtetues”, tha përfaqësuesi i demokratëve në Gjykatën Kushtetuese.
Por për Qeverinë, qëllimi i këtij ligji është rritja e eficiencës në hetimin e zyrtarëve shtetërorë për korrupsion. “Ngritja e Byrosë Hetimore si nevojë për të luftuar korrupsionin, pasi të gjitha raportet ndërkombëtare flasin se korrupsioni është shqetësim i vazhdueshëm”, tha juristja e Kuvendit.
Ndërsa anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, u shpreh se me këtë Byro qeveria po e kthen prokurorin në një menaxher, gjë që është e paligjshme.
SHKELJA E KUSHTETUTËS PËR BYRONË E HETIMIT
• Byroja Kombëtare e Hetimit bie ndesh me nenin 108 të Kushtetutës, ndjekja penale është
kompetencë e Prokurorisë dhe jo e Ministrisë së Brendshme
• Struktura e re ngrihet nga Ministri i Brendshëm, i cili merr kompetenca për hetimin
• Sipas Kushtetutës, vetëm prokurori përfaqëson shtetin përballë Gjykatës
• Ligji i ri krijon mbivendosje kompetencash mes institucioneve të pavarura dhe ekzekutivit
• Ligji ka përplasje mes një ligji të miratuar me shumicë të thjeshtë dhe një Kodi me shumicë të
cilësuar
• Byroja Kombëtare e Hetimit cenon të drejtën e qytetarëve për një proces normal ligjor si pasojë
e marrjes në dorë të gjurmimit dhe hetimit të individëve nga Ministria e Brendshme
• Ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit pengon veprimtarinë e Prokurorisë
• Ligji shkel parimet kryesore kushtetuese të Republikës së Shqipërisë që kanë të bëjnë me liritë dhe të drejtat themelore të njeriut
• Struktura e re e ngritur nga ministri i Brendshëm nuk mund të hetojë korrupsionin për zyrtarët,
pasi nuk është një institucion i pavarur
ARISTIR LUMEZI
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al