“Morën 3.3 milionë lekë në zyrë”, SPAK dërgon për gjykim dosjen e zyrtarëve të MSH-së dhe zbardh skemën: Si u përfituan shuma parash në mënyrë të paligjshme

Jul 17, 2023 | 11:39
SHPËRNDAJE

SPAK ka zbardhur skemën e korrupsionit në ministrinë e Shëndetësisë, ku e perfshire eshte edhe sekretarja e këtij institucioni Joana Duro.

joana-duro

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesë për dërgimin e çështjes për gjykim në ngarkim të të pandehurve Joana Duro, Laura Shteto dhe Vladimir Topi.

“Nga hetimi me metoda speciale është dokumentuar fakti i dërgimit të shumës së parave prej 330 000 (treqind e tridhjetë mijë) lekë nga ana e të pandehurës Laura Shteto tek e pandehura Joana Duro, kjo e fundit me detyrë Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Kjo shumë parash i është dorëzuar të pandehurës Joana Duro në zyrën e saj në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ku dhe është bërë kapja në flagrancë e saj dhe sekuestrimi i kësaj shume monetare”, thuhet ne njoftimin e SPAK.

Njoftimi i SPAK

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer hetime në kuadër të procedimit penal nr.10/1 të vitit 2023 dhe në përfundim të tyre në datën 17.07.2023 i është drejtuar Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me kërkesë për dërgimin e çështjes për gjykim në ngarkim të të pandehurve:

  1. Joana Duro, e akuzuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
  2. Laura Shteto, e akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245 dhe 25 i Kodit Penal.
  3. Vladimir Topi, i akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245 dhe 25 i Kodit Penal.
  4. Silvi Shehi, i akuzuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 245 dhe 25 i Kodit Penal.

Nga aktet e administruara ka rezultuar se e pandehura Joana Duro, me funksionin e lartë shtetëror, Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ka përfituar në mënyrë të parregullt vlerën monetare prej 330.000 (treqind e tridhjetë mijë) mijë lekë për të favorizuar shoqërinë “Dricons” sh.p.k, e cila ka fituar fazën e parë të tenderit të shpallur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale për LOT 1,“Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në Qarqet Tiranë dhe Durrës, me fond limit 805.872 lekë”.

Nga hetimi me metoda speciale është dokumentuar fakti i dërgimit të shumës së parave prej 330 000 (treqind e tridhjetë mijë) lekë nga ana e të pandehurës Laura Shteto tek e pandehura Joana Duro, kjo e fundit me detyrë Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Kjo shumë parash i është dorëzuar të pandehurës Joana Duro në zyrën e saj në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, ku dhe është bërë kapja në flagrancë e saj dhe sekuestrimi i kësaj shume monetare.

Nga hetimi ka rezultuar e provuar se se kjo shumë parash është dhënë si përfitim i parregullt nga i pandehuri Vladimir Topi, me detyrë administrator i operatorit ekonomik “Dricons” sh.p.k, i cili ka përfituar në mënyrë të paligjshme nga tenderi i zhvilluar në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Gjithashtu, rezulton se i pandehuri Silvi Shehi, me detyrë inxhinier pranë operatorit ekonomik “Dricons” sh.p.k, pas komunikimit me administratorin e kësaj shoqërie, të pandehurin Vladimir Topi, ka marrë shumën e parave prej 330.000 (treqind e tridhjetë mijë ) lekë nga i pandehuri Vladimir Topi dhe ja ka dërguar të pandehurës Laura Shteto, e cila më pas i ka dërguar tek Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Joana Duro, kjo e fundit e kapur në flagrancë me shumën e vlerës monetare të përfituar në mënyrë të parregullt.

Hetimet në lidhje me procedimin penal të ndarë vazhdojnë për fakte penale të tjera.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura