KPK e konfirmoi në detyrë prokurorin që kërkoi arrestimin e Tahirit, Komisioneri Publik e apelon: Të shkarkohet, ka shkaqe të mjaftueshme ligjore që…

Dec 20, 2019 | 15:01
SHPËRNDAJE

besim-hajdarmataj

Komisioneri Publik, ka paraqitur brenda afatit ligjor ankimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit te marre me datë 16 tetor nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, për Besim Hajdarmataj, me detyrë prokuror pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.

Ne njoftim thuhet se Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin e mësipërm të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit për të paraqitur ankim, vlerëson se vendimi për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Besim Hajdarmataj është i cenueshëm në tërësinë e tij dhe përmban shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’iu paraqitur juridiksionit kontrollues dhe rivlerësues të Kolegjit.

Komisioneri Publik kërkon që shkaqet e këtij ankimi të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe, në përfundim të shqyrtimit të çështjes në seancë publike, të vendosë ndryshimin e vendimit nr. 200, datë 16.10.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit,  z. Besim Hajdarmataj.

Mbështetur në pikën 1, të nenit 16, të rregullores së Institucionit të Komisionerëve Publikë, ankimi është publikuar në faqen zyrtare të këtij institucioni: http://ikp.al/ankime/

Institucioni i Komisionerëve Publikë është ngritur dhe funksionon në bazë të nenit 179/b dhe aneksit të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Komisionerët Publikë përfaqësojnë interesin publik gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura