Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka shpallur sot (5 korrik) të pavlefshëm mandatin e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri.
Në seancën e sotme ishte i pranishëm dhe vetë Fredi Beleri, i dënuar me dy vite burg për blerje votash në zgjedhjet vendore të 14 majit të 2023, i cili u paraqit në sallë me pranga në duar dhe i shoqëruar nga efektivët e burgjeve.
Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi, argumentoi se nuk do të kishte kuptim ligji i dekriminalizmit nëse nuk i hiqej mandati vetëm sepse ai ishte dënuar pasi ishte shpallur fitues i garës për bashkinë.
Ndër të tjera, ai u shpreh se kundër këtij vendimi mund të bëhet ankimim në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve brenda 30 ditëve nga dita e shpalljes.
“Kemi një kryetar të zgjedhur që nuk është në detyrë për ato arsye që janë bërë publike dhe pse me KQZ është shpallur fitues. Nëse ndalojmë dikë të kandidojë dhe i themi vazhdo qëndro në detyrë edhe pse ke kryer një nga ato vepra për të cilat ligji të ndalon të kanidosh, nuk ka kuptim ligji i dekriminalizimit. Duhet ta pranoj se kaq qartë dhe literale në ligj nuk është e shkruar, por në kuptim dhe interpretimit të qëllimit të atij ligji mendoj se kjo është shumë e qartë.
Nuk jam në pozitën për të komentuar sesi kemi ardhur në këtë situatë, por kjo është situata, që ai ka një vendim të formës së prerë. Mendoj se jemi ne kushtet e humbjes se mandate të kryetarit të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, dhe e shpallim të pavlefshëm këtë mandat. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankimim në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve brenda 30 ditëve nga dita e shpalljes së këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë”, u shpreh Celibashi.
Ky ishte një vendim i pritshëm nga ana e KQZ, gjë që e konfirmoi edhe vetë Beleri gjatë fjalës së tij, ku tha se ishte i vetëdijshëm që do t’i hiqej mandati.
“Siç erdha sot këtu mund të kisha shkuar në Himarë e të isha betuar. Vullnet politik ishte sot, drejtoria e Burgjeve që është në varësi të Ministrit të Drejtësisë dhe Kryeministrisë më dha leje.
Këtë leje mund ta merrja për të bërë betimin, ata që vendosën rrëmbimin e Bashkisë Himarës duhet të lini të pinë gotën e helmit deri në fund. Unë duhet të betohem dhe më pas të më shkarkojnë. Jam i qartë që mandati im si kryetar i Bashkisë së Himarë ka mbaruar”, tha ai.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al