Maxhoranca dhe opozita e re bashkojnë votat. Shtyhet deri në 23 qershor Gjendja e Fatkeqësisë Natyrore

Apr 23, 2020 | 13:07
SHPËRNDAJE

Parlamenti vendimi Fatkeqesia natyroreParlamenti ka votuar sot me 91 vota pro shtyrjen e gjendjes së Fatkeqësisë Natyrore deri në muajin qershor.

Maxhoranca në Kuvend ka konfirmuar serish se ka me vetë votat e deputetëve të opozitës së re, të cilët kanë bashkuar serish ‘kartonat jeshil’, për të shtyrë deri në 23 qershor të këtij viti gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore.

“Dhënien e pëlqimit për zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, të shpallur me vendimin nr. 243, datë 24.03.2020 të Këshillit të Ministrave “Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore”, deri në datën 23.06.2020”, thuhet në vendimin e miratuar sot nga Kuvendit.

Kundër këtij vendimi kanë votuar kundër 5 deputetë, ndërkohë që kanë abstenuar vetëm 3 ligjvënës.

Qëllimi

Në relacionin e vendimit te maxhorancës thuhet se: “Projektvendimi ka për objektiv garantimin e sigurisë së jetës së popullatës për shkak të përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19.

Këshilli i Ministrave me vendimin nr. 243, datë 24.3.2020 ¨Për shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore¨, shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore për një periudhë 30 ditore, për shkak të përhapjes së infeksionit, afat që përfundon deri në datën 24.4.2020. Masat e marra deri tani kanë ndihmuar shumë në mospërhapjen në masë të infeksionit i cili ka pasur një përhapje gjeografike pothuajse në të gjithë vendin. Sipas relacionit të qeverisë, vendi ndodhet në një situatë të kontrolluar, por është shumë e rëndësishme që qytetarët të respektojnë rregullat lidhur me distancimin fizik si e vetmja mënyrë e kufizimit të përhapjes së infeksionit.

Sipas argumentave të parashtruara nga përfaqësuesit e qeverisë në mbledhjen e Komisionit, shtyrja e gjendjes së fateqësisë natyrore do të jetë në funksion të monitorimit të vazhdueshëm nga ana e qeverisë ndaj efekteve që do të shoqërojnë masat e reja lehtësuese të aplikuara nga qeveria për lëvizjen e qytetarëve dhe hapjen e disa bizneseve për dy javët në vazhdim. Në rast se këto masa do të shkaktojnë shtim të përhapjes së infeksionit në popullatë, qeveria do të detyrohet të shtrëngojë përsëri masat e marra gjatë ditëve në vijim.

Duke qënë se situata është alarmante në të gjithë botën, shtyrja e afatit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore është një domosdoshmëri, në mënyrë që kjo situatë e vështirë pandemie të kalojë me sa më pak të prekur. Në vijim të argumentave të mësipërme, Këshilli Ministrave, me vendimin nr. 312, datë 18.04.2020 ¨Për propozimin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për dhënien e pëlqimit për zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, të shpallur me vendimin nr. 243, datë 24.3.2020 të Këshillit të Ministrave¨, i propozon Kuvendit të japë pëlqimin për shtyrjen e fatkeqësisë natyrore deri në datën 23.06.2020″./PANORAMA.al

vendimi gjendja e jashtezakonshme

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura