Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka anuluar axhendën e ditës së sotme të fushatës elektorale në qytetin e Fierit.
“Panorama” mëson se vendimi i Bashës ka ardhur në shenjë nderimi për ndarjen nga jeta të parakohshme të socialistit Bashkim Fino, i cili gjithashtu ishte deputeti i qarkut të Fierit.
Mësohet se kryedemokrati i cili do të zhvillonte një takim elektoral në Fier këtë të hënë, është kthyer nga rruga duke e anuluar aktivitetin e fushatës për zgjedhjet e 25 prillit.
Në një reagim zyrtar të PD për mediat thuhet:
“Për shkak të ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit dhe deputetit të parlamentit Bashkim Fino, kryetari i PD Lulzim Basha vendosi të shtyjë aktivitetet politike të parashikuara për ditën e sotme në Fier me pjesëmarrjen e tij”.
Gjithashtu, kryetari i Partisë Demokratike të Fierit Luan Baçi, në një postim në rrjetet sociale shkruan se sot, do të respektohet dita e zisë kombëtare në nder të deputetit Bashkim Fino.
Kujtojmë që më herët edhe kryeministri Edi Rama njoftoi anulimin e fushatës elektorale të PS-së këtë të hënë ndërsa më vonë Qeveria e shpalli 29 marsin ditë zie kombëtare në nder të deputetit të ndjerë, që humbi jetën pas betejës me koronavirusin.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al