Ndryshimet kushtetuese, Basha pas takimit me aleatët paralajmëron mosnjohjen e tyre: S’janë të detyrueshme për opozitën, aq më pak për qytetarët

Jul 30, 2020 | 13:46
SHPËRNDAJE

basha me al

Kreu i PD, Lulzim Basha ka paralajmëruar mosnjohjen e ndryshimeve kushtetuese që u votuan sot në Kuvend. Në një deklaratë për mediat pas takimit me aleatët, lideri i opozitës, tha se këto ndryshime që sipas tij i hapin listat vetëm nga fundi dhe jo 100%, janë të njëanshme dhe për herë të parë në 30 vite ndodhin pa konsensusin e opozitës.

Pjesë nga fjala e Bashës: Ndryshimet e njëanshme pa konsensus me opozitën në shkelje të marrëveshjes së 5 qershorit e 14 janarit janë të papranueshme, nuk janë të detyrueshme për opozitën e aq më pak për qytetarët.

Akti i sotëm nuk e ndal dot ndryshimin, ai thjesht tregoi edhe një herë fytyrën e autokratit të tmerruar nga ndëshkimi që e pret.

Sot, Kuvendi gjysmak i Shqipërisë tregoi sërish, se nuk udhëhiqet nga interesat e qytetarëve, por është vetëm një çirak i interesave politikë të Edi Ramës. Interesi i qytetarëve sot u shkel me këmbë nga kryeministri në ikje dhe vartësit e tij.

Qytetarëve nuk po u jepen lista të hapura. Listat janë të hapura vetëm nga fundi i tyre, sepse Edi Rama refuzoi propozimin tonë për të hapur listat 100% dhe për të mos prekur koalicionet.

Sot në kuvendin gjysmak, Edi Rama dhe vartësit e tij shkelën me këmbë ligjet, shkelën Kushtetutën. Ata shkelën me këmbë historinë tonë. Ata shkelën me këmbë konsensusin, të cilin u detyruan ta firmosin.

Kurrë më parë në historinë tonë 30 vjeçare të pluralizmit, Kushtetuta nuk është ndryshuar në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensusin e opozitës.

Kurrë më parë në këto 30 vjet, rregullat për procesin zgjedhor nuk janë vendosur vetëm nga partia në pushtet. Ato kanë qenë një produkt konsensual, pavarësisht situatave të rënda politike që kemi kaluar në 3 dekada.

Kurrë më parë në 30 vjet, një kryeministër nuk ka vënë në mënyrë kaq brutale, interesin e vet personal, mbi interesat e të gjithë shqiptarëve.

Rama kërkon të marrë peng Shqipërinë për të shpëtuar veten. Rama kërkon të marrë peng të ardhmen europiane të shqiptarëve për të ruajtur karriken e tij.

Sepse siç ka bërë deri më sot, Shqipëria i është dashur Ramës vetëm për interesat e tij personale. Nuk do t’ia dalë!

“Makinacionet e kryeministrit në ikje nuk ndalin rotacionin”, Basha: Ndryshimet e njënashme, nuk janë të detyrueshme për opozitën dhe qytetarët

BASHA: Akti i sotëm sot është treguesi i fundit se Edi Rama e di që koha e tij po mbaron. Ai e ka humbur besimin e shqiptarëve dhe e vetmja që i ka mbetur, është të përpiqet sërish ta manipulojë sistemin, duke menduar se mund të zgjasë agoninë e pushtetit e tij të rrënuar.

Ndryshimet e njëanshme pa konsensus me opozitën dhe në shkelje të marrëveshjes së 5 qershorit dhe 14 janarit janë të papranueshme, nuk janë të detyrueshme për Opozitën, dhe aq më pak për qytetarët.

Akti i sotëm nuk e ndal dot ndryshimin, ai thjesht tregoi para shqiptarëve dhe partnerëve tanë edhe njëherë fytyrën e autokratit të tmerruar nga ndëshkimi që e pret.

Makinacionet e kryeministrit në ikje, që ka frikë të përballet me qytetarët, nuk kanë për ta ndalur rotacionin politik. Ndryshimi është i pashmangshëm.

Koalicioni ynë është me njerëzit, është me shqiptarët. Ne jemi bashkë për ta bërë këtë ndryshim. Ne duam dhe do të kujdesemi për vendin tonë, që ai të marrë prapë frymë lirisht.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura