Është vënë në pranga pas 3 muajsh në kërkim 24-vjeçari i cili organizoi transportimin e 7 emigrantëve, të cilët humbën jetën së bashku me drejtuesin e automjetit në një aksident rrugor në aksin “Këlcyrë-Përmet” më 2 prill të këtij viti.
Policia bën me dije se në pranga ka rënë 24-vjeçari Stiviljano Ndou i shpallur në kërkim nga Policia e Gjirokastrës.
Gjatë ndalimit nga policia, i riu tentoi t’iu ikte shërbimeve të Policisë së Shkodrës me motomjetin me të cilin lëvizte, por nuk arriti të largohej.
Për Stiviljano Ndouu Prokuroria e Gjirokastrës ka nxjerrë urdhër ndalimi për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se Ndou, kundrejt pagesës ka organizuar në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë (drejtuesin e automjetit, i cili humbi jetën në aksident, dhe me shtetasit A. Gj. dhe R. D., të cilët u arrestuan më datë 03.04.2024), transportimin e 7 emigrantëve nga Pakistani, të cilët synonin të kalonin ilegalisht kufijtë, me destinacion shtetet e BE-së.
Njoftimi i policisë
DVP Shkodër/Kërkime intensive në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Organizoi transportimin e 7 emigrantëve, të cilët humbën jetën, së bashku me drejtuesin e automjetit, në një aksident rrugor, më datë 02.04.2024, në aksin “Këlcyrë-Përmet”, arrestohet në Shkodër, 24-vjeçari i shpallur në kërkim nga Policia e Gjirokastrës.
I ndaluari tentoi t’iu ikte shërbimeve të Policisë së Shkodrës, me motomjetin me të cilin lëvizte.
Si rezultat i kërkimeve të kryera nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe koordinimit të punës me shërbimet e Policisë së Gjirokastrës, me qëllim kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim për rastin e datës 02.04.2024, kur në një aksident rrugor, në aksin “Këlcyrë-Përmet”, humbën jetën 8 shtetas, 7 emigrantë nga Pakistani dhe drejtuesi i automjetit me të cilin transportoheshin ata, në kundërshtim me ligjin, u mundësua lokalizimi në Shkodër, kapja dhe vënia në pranga e shtetasit S. N., 24 vjeç, banues në Shkodër.
Për këtë shtetas Prokuroria e Gjirokastrës ka nxjerrë urdhër ndalimi për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, kundrejt pagesës, ka organizuar në bashkëpunim me 3 shtetas të tjerë (drejtuesin e automjetit, i cili humbi jetën në aksident, dhe me shtetasit A. Gj. dhe R. D., të cilët u arrestuan më datë 03.04.2024), transportimin e 7 emigrantëve nga Pakistani, të cilët synonin të kalonin ilegalisht kufijtë, me destinacion shtetet e BE-së.
24-vjeçari iu dorëzua shërbimeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Si ndodhi aksidenti tragjik
Aksident tragjik me 8 viktima ndodhi në orët e para të mëngjesit të 2 prillit në Këlcyrë, ku drejtuesi i automjetit ka qenë, shtetasi, Edison Bregaj.
Automjet tip “Benz” i marrë me qira, me të cilin Bregaj po transportonte 7 klandestinë, përfundoi në shtratin lumit Vjosë, ku si pasojë humbën jetën të gjithë.
Mjeti u pikas nga një patrullë policie, e cila i ka bërë thirrje të ndalojë, por Bregaj ka refuzuar t’i bindet urdhrit të policisë duke shtuar shpejtësinë.
Efektivët i janë vendosur në ndjekje, por më pas u ka humbur nga sytë. Pas shumë kontrolleve u verifikua rreth orës 04:00 se ‘Benz’-i kishte përfunduar në shtratin e lumit Vjosë.
Drejtuesi i mjetit raportohet se ka qenë duke udhëtuar me mbi 200 km/orë, duke bërë që të humbiste kontrollin dhe të “fluturonte” rreth 300 metër në vijë ajrore nga rruga drejt lumit.
Shpejtësia e lartë e mjetit konfirmohet edhe nga fakti se para momentit fatal ‘Benz’-i që drejtohej nga një Edison Brengaj, nuk është përplasur fare me bordurën metalike të rrugës, por ka përfunduar në shtratin e lumit. Sa i përket shtatë emigrantëve, ende nuk ka informacion për indentitetin e tyre.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al