Me 100 vota pro në Kuvend, Evgjeni Bashari është zgjedhur kryetarja e re e Inspektoriatit të Lartë të deklarimit të pasurive dhe konfliktit të Interesave. Ajo ka mbajtur më parë detyrën e Sekretares së Përgjithshme pranë ILDKPI-së, ndërsa tanimë do të zëvendësojë në këtë detyrë, ish-kryetarin, Shkëlqim Ganaj.
Kujtojmë që në garë për këtë detyrë ishin dy kandidate, Evgjeni Bashari dhe Helena Papa.
Komisioni i Ligjeve kualifikoi vetëm këto dy emra në garën për kreun e ILKPI-së. Komisioni skualifikoi pas seancave dëgjimore Lefterie Lleshin, Evis Ficon dhe Dhimitrulla Spiron. Ndërkaq vendosi të tërhiqej vetë nga gara Eridjan Salianji.
Kujtojmë që institucioni në fjalë merret me një çështje të ndjeshme siç është deklarimi i pasurive të zyrtarëve të lartë dhe kryetari zgjidhet nga Kuvendi me mandat 7-vjeçar. (LEXO RAPORTIN)
Po ashtu sot, Violeta Staka u zgjodh anëtare e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al