Avokatët e Berishës kërkuan përjashtimin e gjyqtares, GJKKO shtyn seancën për ish-kryeministrin. Ja kur do të mbahet!

Oct 24, 2023 | 17:24
SHPËRNDAJE

Pala mbrojtëse përfaqësuar nga avokati Genc Gjokutaj njoftuan për mediat se kanë kërkuar përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka, për shpërdorim detyre. Pas kësaj kërkese GJKKO ka vendosur shtyrjen e seancës për ish-kryeministrin Sali Berisha.

berisha gjokutaj

Sipas njoftimit zyrtar nga Gjykata e Posaçme, seanca gjyqësore tani do të mbahet të mërkurën e 25 Tetorit në orën 14:30.

Njoftimi zyrtar:

Seanca gjyqesore shtyhet per t’u zhvilluar neser, dite e Merkure, ora 14:30, pasi mbrojtesit kerkuan kohe te njihen me aktet.

LEXO EDHE: Seanca ndaj Berishës, flet avokati: Kërkuam përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka! Ka shpërdoruar detyrën

Gjokutaj tha se gjykimi është ndërprerë për të shqyrtuar këtë kërkesë të tyren.

“Nga ana e Berishës sot është bërë kallëzim në SPAK ndaj gjyqtares së çështjes, për shpërdorim detyre, sepse vendimi është në shkelje të Kushtetutës. Kemi kërkuar përjashtimin e Irena Gjoka. Gjykimi është ndërprerë për të shqyrtuar këtë kërkesë. Po presim për vendimin e shqyrtimit për përjashtimin e saj. ”, tha Gjokutaj.

Avokati Gjokutaj tha se janë autorizuar nga Berisha dhe gjykata e ka pranuar këtë autorizim për të vijuar gjykimin në prezencë të mbrojtjes.

“Ai na ka autorizuar neve, dhe gjykata e pranoji të vijojë gjykimin në prani të mbrojtjes, pasi në prokurën e Berishës janë përfshirë të gjitha tagrat dhe përfaqësimi”, tha ai.

Gjyqtarja Irena Gjoka është gjyqtarja e çështjes ndaj Sali Berishës, dhe  ka firmosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje” ndaj tij, me urdhër të SPAK.

Më herët u njoftua shtyrja e seancës për në orën 18:00 të ditës së sotme. Vendimi u mor pasi avokatet e Berishës kërkuan më shumë kohë për t’u njohur me aktet dhe dokumentacionin.

Ish-kryeministri refuzoi kërkesën e GJKKO-së për t’u paraqitur në Gjykatë për t’u marrë në pyetje në lidhje me hetimet për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.

“Gjykata e Posaçme e Shkalles se Pare per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ne daten 24.10.2023, dite e Marte, ora 14:00, ka caktuar seancen gjyqesore te marrjes ne pyetje te personit nen hetim Sali Berisha, bazuar nenit 248 pika 1 te K.Pr.Penale”, njoftoi Gjykata.

Por Sali Berisha s’ka pranuar të shkojë për të dëshmuar në lidhje me privatizimin e ish kompleksit Partizani, për të cilin është arrestuar dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Në ambientet e gjykatës është paraqitur avokati i Berishës, Genc Gjokutaj rreth orës 13:55, orar kur ishte parashikuar edhe nisja e seancës ndaj ish-kryeministrit, ndaj të cilit është vendosur masa “detyrim paraqitje”, si edhe iu është bllokuar pasaporta.

I pyetur në lidhje me këtë vendim, gjatë një konference me gazetarët, ish kryeministri u shpreh se do të shkojë sa herë të thirret, por vetëm kur gjykatësi të heqë masën e sigurisë ndaj tij, të cilën e cilësoi si antikushtetuese.

“Është ndryshe kjo. Nuk është se unë nuk e pranoj. E deklarova më parë dhe e deklaroj me sinqeritetin më të madh, se unë sa herë të thirrem do të shkojë. Të heq gjykatësi masën antikushtetuese dhe ta provojë a do të shkoj unë apo jo. Por vendosja e masës antikushtetuese pa marrë leje nga parlamenti është përdhosje e kushtetutës dhe ligjeve të vendit.

Se ka një gjykatëse të papërgjegjshme, vasale të mjerë që i lejon vetes një vendim, unë nuk mund ti lejoj vetes të shkel kushtetutën. Që nesër po të sjellin amendamentin e vitit 2012 në parlament, Sali Berisha e voton.

Unë jam për barazi të qytetarëve para ligjit themelor të shtetit. E kam dëshmuar që nuk kam qenë për asnjë diskriminim mes deputetit dhe zgjedhësit. Në këtë mënyrë siç i bën Edi Rama është republika e kanabisit, drogës.“, tha Berisha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura