Një tjetër pioniere e skenës u nda nga jeta. Këngëtarja Pavlina Nikaj u përcoll për në banesën e fundit ditën e premte, duke lënë pas, tek të gjitha ata që e njohën, buzëqeshjen e bukur dhe zërin e papërsëritshëm
Kur ajo shkonte udhës, ishte e pamundur që djemtë të mos kthenin kokën. Ishte aq e bukur! Të kishte lindur diku tjetër, do kishte qëndruar pa frikë në radhët e Marlen Ditrich apo Greta Garbos. Në skenë ajo kishte një nur, që pak e kishin. Por Pavlina Nikaj mbeti e bukur deri në fund, deri kur iku, gati në heshtje… Ditën e premte, kolegë, miq, të afërm, i dhanë lamtumirën e fundit këngëtares me zë të papërsëritshëm, e cila u nda nga jeta ditën e enjte, në moshën 80-vjeçare. Sot, pak kanë mbetur këngëtarë të brezit të saj, kurse ata që e mbajnë mend në kulmin e saj, sot janë moshuar. Së bashku me Anita Taken dhe Pjetër Gjergjin, mund të konsiderohen si “pionierët” e interpretimit të muzikës së lehtë shqiptare, ndaj dhe dhimbja më e madhe është pikërisht për mikeshën e saj, këngëtarjen Anita Take. “Kam humbur një shoqe. Me Pavlinën kam bashkëpunuar në disa shfaqje dhe kam kujtime të bukura. Ikja e saj është një humbje e madhe për muzikën e lehtë shqiptare”, tha Take, teksa nuk e fshihte dot mallëngjimin. “Isha i ri kur dëgjoja këngët e saj me atë zë, ku tingulli më dukej si mrekulli e natyrës. E më pas u rrita mes këngëve të saj dhe duartrokisja me sa fuqi që kisha e bërtisja me të madhe ‘edhe një herë'”, kujton regjisori Sulejman Dibra, teksa shton se recitali i saj i vitit 1986, ku ka bashkëpunuar me të, do të mbetet kujtimi më i bukur i jetës së tij.
Pavlina Nikaj ka lindur në qytetin e Korçës, më 15 maj 1931. Për herë të parë ka kënduar në vitin 1945 në korin e sindikatave në Korçë, më vonë në Radio-Korça. Në vitin 1950 u caktua këngëtare profesioniste pranë Ansamblit të Ushtrisë, ndërsa në vitin 1957 kaloi këngëtare profesioniste në Teatrin e Estradës së Tiranës, ku këndoi afro 20 vjet. Me një zë altoje, të qartë, të purpurt, të fuqishëm dhe shumë emocional, filloi të interpretojë me shumë sukses këngë të lehta të kompozitorëve shqiptarë dhe të huaj. Po kështu, ajo ka në repertorin e saj shumë këngë korçare, patriotike, partizane etj. Në fillimet e punës së saj ka punuar në Ansamblin e Ushtrisë Popullore dhe, më pas, me krijimin e Estradës së Tiranës, ajo u inkuadrua pranë këtij teatri. Shumë kompozitorë filluan të shkruajnë këngë të reja me destinacion zërin e saj. Së bashku me Anita Taken, formuan duetin e papërsëritshëm “Nikaj-Take”. Ka marrë pjesë në shumë aktivitete artistike, koncerte, festivale, spektakle, festa popullore etj. Me këngët dhe interpretimet e bëra, ajo ka merituar plotësisht simpatinë dhe duartrokitjet e publikut. Në repertorin e saj shënohen këngë, që kanë mbetur në fondin e artë të muzikës së lehtë shqiptare, si: “Udhët e lumturisë”, “S’të harroj”, “Kënga ime të kushtohet ty”, “Një lule”, “Kujtim i shtrenjtë”, “Ç’po dremit liqeni i kaltër”, “Midis gushës ke një pikë”, “Autobusi”, “Kujtimet e studentit”, “Shtëpia e pushimit”, “La Paloma”, “Me duar të arta”, “Gaz zemra ime”, “Trëndafil mos u zemëro” etj.
Ajo është e njohur dhe me një aktivitet të gjerë në lëvrimin e këngës popullore vlonjate. Dalja e saj e fundit në skenë është recitali i vitit 1986 në Teatrin e Estradës së Tiranës, me regjisor Kosta Kamberin. Pavlina Nikaj është dekoruar nga Presidenti i Republikës me urdhrin “Naim Frashëri”, i argjendtë në vitin 2005, ndërsa në vitin 2005 u nderua me titullin “Qytetare Nderi” e Tiranës.