Lëkundjet e tokës në Zharrëz, Prokuroria heton ‘Bankersin

Feb 6, 2017 | 13:17
SHPËRNDAJE

Lëkundjet e tokës në zonën e Zharrëzës në Fier bëhen sërish objekt hetimi për Prokurorinë.

greve-zharrez

Hetimi mësohet se ka nisur disa javë pas daljes në publik të përplasjes mes ambasadorit amerikan në Shqipëri, Donald Lu, dhe prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla. Ky i fundit deklaroi se një biznesmen e më pas edhe ambasadori Lu i kishin kërkuar që Prokuroria të mos hetonte kompaninë “Bankers Petroleum” në lidhje me shpërthimet në Patos-Marinzë, në prill 2015.

Por dy vite më pas, bazuar në kallëzimet e banorëve të zonës dhe në referimet e Policisë së Fierit, Prokuroria e këtij qyteti ka vendosur nisjen e hetimeve. Vendimi është marrë pak javë më parë, pasi banorët e zonës së Zharrëzës hynë në grevë urie disaditore e, madje bllokuan edhe rrugën nacionale. Burimet e Prokurorisë thanë se hetimi mësohet se ka nisur pas rasteve të përsëritura të lëkundjeve të tokës gjatë muajve të fundit në zonën e Zharrëzës.

Më 20 dhjetor 2016, policia ka referuar materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, për shtetasit me iniciale P.N., F.D., Q.Rr., e A.Xh., të gjithë banues në fshatin Zharrëz, pasi në bashkëpunim, këta persona kanë marrë pjesë në një grumbullim e mbajtur në formë proteste në këtë zonë.

Protesta është kryer duke bllokuar qarkullimin e mjeteve në rrugën nacionale Fier-Berat, në shenjë kundërshtimi dhe me qëllim tërheqjen e vëmendjes në lidhje me lëkundjet e vazhdueshme të tokës në Zharrës, të cilat kanë ndotur ambientin dhe kanë dëmtuar banesat e zonës. Protestat e banorëve u zhvilluan pas një serie lëkundjesh të tokës, të cilat u bënë shkak edhe për nisjen e hetimeve nga ana e Prokurorisë së Fierit. Qëllimi i hetimit të nisur nga Prokuroria është që të verifikohet nëse lëkundjet e tokës vijnë për arsye sizmike apo nga kërkimet nëntokësore të kompanisë “Bankers Petroleum”, tashmë nën pronësi kineze.

HETIMET E LËKUNDJEVE

Hetimi i nisur nga ana e Prokurorisë është në fazën e caktimit të një grupi ekspertësh që do të bëjnë vlerësimin dhe përcaktimin e shkaqeve të tronditjes së tokës në Zharrëz. Specialistët nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore dhe institucione të tjera të specializuara do të përcaktojnë me kërkesë të Prokurorisë, nëse lëkundjet e tokës gjatë dhjetorit 2016, por edhe në janar 2017, kanë ndodhur nga kërkimet për naftë apo nga lëvizjet sizmike. Mësohet se një drejtim tjetër i hetimit është evidentimi dhe dokumentimi i dëmeve të shkaktuara nga fenomeni në fjalë te banesat e zonës, por edhe te prona publike si shkolla, rrugët etj. Hetimi duket se do të marrë drejtim përcaktues pikërisht pas ekspertizës nga grupi i specialistëve, që do të identifikojë shkakun e lëkundjeve.

RASTI I 2015

Në vitin 2015, pas lëkundjeve të tokës në zonë, Prokuroria e Fierit ka identifikuar të paktën 7 persona, drejtues administrativë dhe teknikë të “Bankers Petroleum” dhe kompanive nënkontraktorëve të saj, si përgjegjës për shpërthimet e gazit natyror në zonën e Marinzës. Ngjarja ndodhi asokohe në datë 1 prill 2015. Prokuroria e Fierit i pati hetuar personat e dyshuar për veprat penale “shkatërrim i pronës” nga pakujdesia dhe “ndotja e ajrit”, por më pas hetimi në fjalë ishte mbyllur.

Prokuroria heton “Bankers” për “evazion 100 milionë dollarë”

Prokuroria gjatë vitit të fundit ka në hetim edhe një dosje tjetër në lidhje me kompaninë “Bankers Petroleum” për një shmangie detyrimesh në vlerën e rreth 100 milionë dollarëve. Hetimi që është regjistruar në Prokurorinë e Tiranës në qershor 2016, ka pasur si bazë një kallëzim të bërë nga KLSH në vitin 2015. Kallëzimi në fakt është bërë ndaj disa zyrtarëve të AKBN, të cilët, siç dyshohej, me mosveprime ndaj kompanive të naftës kanë shpërdoruar detyrën.

“Në kallëzim përmendej shpesh edhe “Bankers Petroleum”, referuar kontrollit të kryer te kjo kompani nga KLSH në periudhën 2013-2014. Pasi ishte nisur hetimi për zyrtarët e AKBN dhe çështja kishte vazhduar si një e tërë, nga mesi i vitit 2016, në qershor të vitit që shkoi, nga Prokuroria veçohet procedimi për konstatimet e KLSH-së ndaj “Bankers”, pasi grupi i hetimit gjykoi se nevojitej hetim më vete për “fshehje të të ardhurave dhe kontrabandë”.

“Duke iu referuar sasisë së përdorur dhe asaj që duhej të përdorte, rezulton se është përdorur 100 mijë metër kub hollues gazoil 1000 PPM më tepër nga nevojat. Kjo sasi e shumëzuar me vlerën mesatare minimale të blerë, rezulton me një çmim 1000 dollarë/m3, që arrin vlerën e 100 milionë dollarëve, i cili konsiderohet si dëm ekonomik ndaj shtetit shqiptar dhe në rast se nuk do të riparohet, do të ndikojë direkt në vlerësimin e faktorit “R<1”, thuhet në kallëzimin e bërë nga ana e KLSH-së edhe për kompaninë “Bankers Petroleum”, referuar kontrollit të kryer në periudhën 2012-2013

TRAZHGIM SOKOLAJ/PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura