Letërsia për fëmijë, Qendra Kombëtare e Librit mbështet tri botime të reja

Aug 11, 2020 | 10:26
SHPËRNDAJE

Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit ndau dje çmimet e projektit “Fondi për mbështetjen e krijimtarisë letrare për fëmijë”.

Dje, gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve
Dje, gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve

Duke qenë se qershori u shpall Muaji i Letërsisë për Fëmijë, ky konkurs letrar erdhi si mbështetje e krijimtarisë së autorëve shqiptarë për fëmijë, me qëllim nxitjen e shkrimit të kësaj letërsie. “20 vepra u bënë pjesë e kësaj gare, e cila kishte për qëllim të motivonte nxitjen e shkrimit të letërsisë për fëmijë”, tha Alda Bardhyli, drejtore e QKLL-së.

Kryetari i jurisë, Gaqo Bushaka, u shpreh se letërsia për fëmijë po zhvillohet akoma më tej dhe ishte e vështirë përzgjedhja e fituesve.

Juria e përbërë nga Gaqo Bushaka, Anisa Ymeri, Enkelejd Lamaj kanë vlerësuar tri vepra si më të mira të këtij konkursi: romani “Udhëtim drejt planetit Arbër” me autor Luan Ramën, libri didaktikoletrar “Grama Tik-Tok” me autore Rudina Çupin, përralla “Fani në kërkim të dritës” me autore Rovena Rrozhanin. Fituesit u përkasin gjeneratave të ndryshme, duke sjellë edhe larmi në zhanret e lëvruara dhe duke pasuruar bibliotekat. Një prej të përzgjedhurve ishte Luan Rama, me romanin “Udhëtim drejt planetit Arbër”.

Ky libër u shpall fitues “Për temën interesante, sa kombëtare aq edhe universale që trajton dhe gjuhën e pëlqyeshme e të kuptueshme për fëmijët. Shkrimi i librit, qartazi është i paraprirë nga një kërkim jo i vogël dhe është një histori e bukur për fëmijët”.

Ndërsa autorja tjetër fituese ishte Rudina Çupi, me librin didaktiko-letrar “Grama Tik-Tok”. Libri i saj u veçua “Për vlerat e larta gjuhësore, që nxit lidhjen e “shkëputur” të fëmijëve me zotërimin e gjuhës shqipe përmes historive”.

Rovena Rrozhani, shkrimtare për fëmijë
Rovena Rrozhani, shkrimtare për fëmijë

Çupi shpjegoi në pak fjalë subjektin e librit të saj. “Ky libër i dedikohet gjuhës shqipe, edhe pse personazhet janë pak abstraktë, janë emri, mbiemri dhe gramatika është vendi ku jeton. Shpresoj që ky libër të bëjë që fëmijët ta kuptojnë ndryshe rëndësinë e gjuhës shqipe”, tha ajo.

Rovena Rrozhani u shpall fituese me përrallën “Fani në kërkim të dritës”. Libri i saj u përzgjodh “Për nxitjen e fantazisë së fëmijëve, duke i motivuar ata që të kërkojnë lidhjen e munguar me natyrën. I shoqëruar me ilustrime të arrira, libri e çon edhe më tej fantazinë e të vegjëlve”. Autorja u ndal te qëllimi motivues i librit të saj. “Fani është një xixëllonjë, që ndryshe nga tw tjerët në mbretërinë e saj se ka dritën. Ose më saktë, e ka brenda vetes, dhe duhet të udhëtojë shumë gjatë për ta gjetur. Ky është mesazhi për fëmijët dhe të rriturit, shoqërinë shqiptare dhe ata që hartojnë politika”, u shpreh shkrimtarja Rovena Rrozhani. Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit do të mbështesë botimin e këtyre 3 dorëshkrimeve që u përzgjodhën nga juria e këtij konkursi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura