“Një pjesë e meritës… i takon edhe kohës kur kam luajtur basketboll, qoftë për atë që kam mësuar nga fitoret, qoftë për atë çka kam mësuar nga humbjet. Kam përdorur dhe përshtatur shumë nga ajo jetë e dikurshme. Sigurisht, ka mjaft dallime, por ka edhe paralele. E kam shijuar tej mase të luajturit sport, por ajo që ka më tepër rëndësi është se ai më ka shërbyer për atë që bëj tani”. Kryeministrit Edi Rama më së shumti i përmendin faktin që ai është piktor.
Jo se atij i vjen keq për këtë, madje, gjatë dy viteve si kreu i qeverisë, ka hapur disa ekspozita vetjake me grafika, e megjithatë, duket se në punën e Ramës, më shumë se piktura, një rol të rëndësishëm luan sporti. Siç thotë ai vetë, e kaluara si basketbollist i “Dinamos” dhe Kombëtares, ka forcuar tek ai ndjenjën e punës në skuadër, ka mësuar të lexojë psikologjinë e kundërshtarit, të mësojë nga humbjet dhe fitoret… Ndër të tjera, instinkti prej sportisti e bëri “fitimtar”.
Kështu e ka konsideruar Alastair Campbell Kryeministrin shqiptar, këshilltar i të cilit ai ka qenë, ashtu si edhe atij britanik Tony Blair. Në librin e tij “Fitimtarët”, promovuar pak ditë më parë, Campbell mes shumë figurave të rëndësishme botërore, të politikës dhe jo vetëm, ai rendit dhe Edi Ramën. Ai ndërton profilin e Kryeministrit shqiptar, duke u nisur nga rrëfimi i vetë Ramës, në pozitat e një ish-sportisti. Fitorja, hyrja në Parlament, aleancat, krijimi i qeverisë…
ALASTAIR CAMPBELL
Edi Rama dallohet në dy aspekte. Duke qenë 1 metër e 98 centimetra (thuajse 6’6″), besoj se aktualisht është udhëheqësi më shtatlartë në botë, por, gjithashtu, edhe i vetmi kryeministër që ka përfaqësuar vendin e vet në sport. Këto dy fakte lidhen me njëra-tjetrën ngase sporti i tij ka qenë basketbolli, ku shtatshkurtrit nuk ia dalin mbanë. Kurse, Shqipëria, e cila, kur luante ai për Kombëtaren, ishte një vend komunist diktatorial, tani është një vend demokratik me të drejta të plota, ku koalicioni i Partisë Socialiste që Rama drejton, ka arritur një fitore të thellë në zgjedhjet e vitit 2013.
Ramën e njoh mirë, kam punuar si këshilltari i tij për disa vite, qoftë kur ishte në opozitë, qoftë tani në qeveri. Njësoj si Tony Blair-i, ai ka vendosmërinë e fitimtarit në ngritjen e një skuadre që i garanton arritjen e objektivave. Kur e takova për herë të parë, e njihja veç përciptazi, si artisti që u bë kryebashkiak i Tiranës e që përdorte artin në hapësirat publike, për të ndriçuar një qytet që ende s’kishte dalë nga trashëgimia e hidhur e sundimit 44- vjeçar të Enver Hoxhës.
Kisha dëgjuar gjithashtu edhe për ankesat e tij të vazhdueshme mbi vjedhjen e zgjedhjeve nga Partia Demokratike në fuqi, kur ai kishte kandiduar për një tjetër mandat si kryebashkiak. Njësoj si me Tony-n, në fillim i thashë jo propozimit të tij, sepse ndërkohë isha i zënë me shumë gjëra të tjera.
Përveç kësaj, edhe pse e njihja dhe e simpatizoja Shqipërinë qysh prej kohës së konfliktit në Kosovë, kaq s’mjaftonte për të më ndjellë siç më kishte ndjellë përpjekja për ndryshimin e qeverisjes në Mbretërinë e Bashkuar. Megjithatë, po ashtu si në rastin e Tony-t, zelli dhe etja e tij për fitore, vizioni pozitiv që ai kishte jo vetëm për vendin e vet, por për të gjithë rajonin e Ballkanit, e, në fund, dukja mjaft e këndshme e tij dhe e këshilltarëve të tij më lëkundën.
Ndikoi këtu edhe dashuria që kishte për sportin, e cila ishte po aq e madhe sa e imja. Madje, ai dinte diçka edhe për Burnley-n, dhe nuk pati kundërshtime kur i propozuam ta ndryshonte ngjyrën zyrtare të partisë së tij nga e trëndafiltë në vjollcë, ngjyra e skuadrës sime të zemrës.
Rama është një admirues i madh i Tony-t, i cili në Shqipëri ishte kthyer në njëfarë heroi, për shkak të rolit të rëndësishëm të luajtur për Kosovën, por edhe ngase, siç thotë vetë Rama: “New Labour dhe Rruga e Tretë e Tonyt kanë qenë model për ne”. Së bashku punuam për një imazh të ri të partisë nën flamurin e “Rilindjes”, e po ashtu edhe për një politikë e strategji komunikimi të ngjashme veçanërisht me atë të fushatës “New Labour, New Britain” të vitit 1997 e 2001.
* * *
Sidoqoftë, për qëllimin e këtij libri, interesi sesi ai fitoi është më i pakët krahasuar me atë se ç’mësoi ai prej sportit, që e ndihmoi të fitonte e të përgatitej për jetën e mëpastajme politike. Në fakt, duhet filluar pikërisht me shtatlartësinë dhe qasjen e tij për të. “Të qenët shtatlartë ishte aset në basketboll”, më thotë Edi një ditë, në një restorant pranë zyrës së tij në Tiranë, “por ndonjëherë është aset edhe në politikë”. Herën e parë që kishte hyrë në Parlament ishte befasuar nga ajo që e quan “pamja fizike e debatit politik”.
“Ndjekja e politikës përmes ekranit të televizionit më jep ndjesinë e të ndjekurit në televizion të ndeshjeve stërvitore të futbollit. Është e vështirë të entuziazmohesh, madje duket e vështirë edhe të kuptosh ç’po ndodh. Parlamenti në televizion nuk ta jep fare ndjesinë e aspektit fizik, staturës dhe formës së njerëzve, dhe as dallimin, përmes grupimeve dhe gjuhës trupore, se kush është më lart e kush më poshtë, kush ka më shumë besim në vetvete apo kush po e fiton debatin”…
Ndërsa përshkruan hyrjen për herë të parë në sallën e sesioneve të Parlamentit shqiptar, Rama thotë: “Për mua ishte si të hyja në fushën e basketbollit. E ndien menjëherë, edhe fizikisht madje, se në cilën anë je ti dhe në cilën anë janë kundërshtarët e tu. E ndien para se të thuhet ndonjë fjalë. Bëhet fjalë për vendin që zë, ç’njerëz ke pranë, shikimet që shkëmbehen mes njëri-tjetrit, ndjesia që përçohet përmes përkatësisë ‘në të njëjtën anë’.
Kjo ngjason shumë me sportin. Ndien skuadrën, e njëkohësisht edhe rëndësinë e përpjekjes së bashku për funksionimin e saj. Ndien nevojën për t’u bashkuar me shokët e skuadrës, për ta bërë anën tënde të ndihet e të shfaqet me vetëbesim dhe, në rastin tim si udhëheqës, për ta drejtuar atë përgjatë debateve”. Natyrisht, sporti i dha mundësinë të jetë për disa vite pjesë e skuadrave të mira, e po ashtu edhe të dobëtave, sikundër të mësojë prej të dyjave jo thjesht teknikat sportive, por edhe leksionet e tri sferave të ndërlidhura që shqyrtuam deri tani: strategjinë, udhëheqjen e, veçanërisht, shpirtin e ekipit.
Për sa i takon këtij të fundit, Rama thotë se, megjithëse ka mësuar shumë nga ekipi i tij, ka mësuar edhe më tepër nga ekipet përballë të cilave ka humbur. Ashtu si shumë sportistë e sportiste, ai thekson se shpesh humbja është një mësues më i mirë se fitorja. “Unë luaja për ‘Dinamon’, që ishte një nga ekipet e mira në Shqipëri, por mundeshim gjithmonë nga ‘Partizani’, skuadër të cilën do ta quaja ‘kampione e përjetshme’. Druaj se do ta quaja humbëse skuadrën time, ngaqë, edhe pse mundnim shumë skuadra të tjera, në përballjen me ‘Partizanin’, ata dilnin gjithnjë më mirë. Ata ishin kampionët e përhershëm, ndërsa ne pasuesit e përhershëm.
Ngjan me rastin e Mourinho-s së ‘Chelsea’-it dhe Wenger-it të ‘Arsenal’-it. Në aspektin cilësor ato janë shumë pranë, e megjithatë Mourinho, me sa duket, është përherë fitimtar në ndeshjet midis tyre. Kështu, edhe ne nuk ishim skuadër e keqe, por, me sa dukej, nuk e mundnim dot ‘Partizanin’”.
* * *
Me kalimin e kohës ai e kuptoi arsyen, dhe shpjegimi i tij sot tregon se sa e rëndësishme është të kuptohet lidhja e ngushtë mes strategjisë, udhëheqjes dhe shpirtit të ekipit, brenda çdo organizate fitimtare. “Skuadra e ‘kampionëve të përjetshëm’ kishte një strategji së cilës i përmbahej fort”, shprehet ai. “Ata ishin në gjendje t’i përmbaheshin asaj, sepse brenda skuadrës së tyre kishin udhëheqës që ndiheshin të sigurt në qëndrimet vetjake, edhe kur ishin nën trysni – e, për hir të së vërtetës, sidomos kur ishin nën trysni. Ishte ky besim tek aftësitë që kishin, te pozicioni i tyre, mbështetja e shokëve të skuadrës dhe trajnerit, që u jepte forcën të cilën ne na mungonte”
… Më pas, Rama kalon te përshkrimet komike të pasndeshjes, post-mortems, të cilat tingëllojnë si përpjekjet e takimeve plot debate të stafeve politike, për të nxjerrë arsyet e humbjes së një fushate. “Ne vërtet ishim dakordësuar për një plan, por pastaj shumëkush bënte në kokë të vet dhe plani prishej, e askush nuk merrte përgjegjësi, ashtu siç kurrkush nuk donte të merrte përgjegjësinë për gjithçka shkoi keq. Dikush thoshte: “Pse e bëre ti këtë?”.
Një tjetër: “Prit njëherë, se ishe ti i pari që e bëre atë!”, dhe gjërat silleshin e rrotulloheshin e rrotulloheshin dhe askush – kam qenë tepër i ri për një gjë të tillë, besoj – nuk ngrihej në këmbë të thoshte: “Prisni pak, kjo është arsyeja përse humbëm!”. Ai thotë se me gjasa “Partizani” mund të kishte vërtet lojtarë më të mirë edhe teknikisht, po s’ishte aftësia individuale, por mungesa e disiplinës në zbatimin e strategjisë ajo që e linte “Dinamon” përherë në vend të dytë.
Dhe kjo lidhej me personalitetin e njerëzve të përfshirë, të cilët ishin më individualistë, më pak të gatshëm për t’ia nënshtruar egon e tyre disiplinës së ekipit, që kësisoj ngjante më shumë me një klub politik sesa me një ekip sportiv. “Ndoshta kishim shumë intelektualë!”, buzëqesh ai…
Për ndërtimin e ekipit të tij politik, Rama është përpjekur të zbatojë mësimet që ka nxjerrë nga ajo çka skuadra e tij sportive e bënte mirë, nga ajo çka ata bënin keq, nga ajo çka “Partizani” bënte mirë dhe, për më tepër, nga ajo që mësoi kur iu bashkëngjit ekipit kombëtar. Ashtu si José Mourinho dhe Anna Wintour-i kishin mësuar prej bosëve të tyre të mëdhenj, ashtu edhe Rama përfitoi nga shembulli i kapitenit apo udhërrëfyesve, veçanërisht prej Agim Fagut, mbi mënyrën se si Fagu veçonte dhe motivonte talentet e reja. Më duhet të shtoj se në pjesën më të madhe të niveleve qeveritare, Rama ka një ekip të ri ministrash.
* * *
“Natyrisht, çasti më i rëndësishëm për një sportist është kur zgjidhet në ekipin kombëtar, ndaj s’do të ishte njerëzore të mos ndihej paksa më i sëkëlldisur apo më nervoz sesa zakonisht. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme mënyra si të sheh e të trajton kapiteni apo një lider i skuadrës, si të ndihmojnë të përshtatesh. Agimi tregohej veçanërisht i mirë me lojtarët e rinj.
Mundohej t’i vinte gjithnjë lojtarët më të vjetër të ndihmonin të rinjtë për të shënuar, i pëlqente t’u mësonte truqet, i nxiste të fitonin besimin në vetvete dhe përpiqej t’i bënte të ndiheshin të rëndësishëm”. Fagu i mbetej besnik pasionit të vjetër, duke u kthyer shpesh në fushë për të ndihmuar e mbështetur të rinjtë, dhe një ditë do të bëhej ambasadori i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar, duke i mbartur aftësitë sportive në diplomaci.
“Sporti në nivel të lartë më ka mësuar gjithashtu edhe rolet e ndryshme që mund të luajnë njerëzit në mosha apo faza të ndryshme të karrierës së tyre. Talenti është i kufizuar në çdo sferë, ndaj është e rëndësishme të nxjerrësh më të mirën nga talenti që të është dhënë. Merrni një lojtar të vjetër në fazat e fundit të karrierës së tij, kam parasysh këtu dikë si, fjala vjen, Ryan Giggs, në ekipin tim të preferuar anglez Manchester United, ose si Andrea Pirlo, i skuadrës italiane, për të cilën bëj gjithnjë tifozllëk në Kupën e Botës, pra lojtar, por edhe mësues e lider, nga përvoja e të cilit përfiton shumë më tepër sesa thjesht nga pasimi i topit.
Partizani kishte Gazmend Çaçin, i cili ishte një lojtar fantastik, por edhe mësues dhe lider i madh në fushë. Kështu që, kur luajtëm së bashku në ekipin kombëtar, mësova shumë prej tij dhe, para së gjithash, mora kënaqësinë e të luajturit krah një ylli të madh e bujar, i cili kënaqej më shumë nga fitorja sesa nga shkëlqimi i tij vetjak…”.
Edhe kjo vjen nga modeli i tij frymëzues, Gazmend Çaçi, i cili, i pajisur me besim të madh brenda vetes, fokusohej në performancën e gjithë skuadrës, të çdo lojtari më vete dhe shqetësohej më pak për çfarëdo kërcënimi, të ndjerë apo real, ndaj pozicionit të tij. “Ai ishte vërtet një forcë e natyrës. Sikur të kishte qenë në një tjetër ligë, sikur Shqipëria të mos kishte qenë diktaturë komuniste dhe ai të kishte pasur lirinë për të udhëtuar, atëherë do të ishte bërë lehtësisht yll, në cilindo ekip të madh europian. Kur luaja për Shqipërinë, kisha dëgjuar shpesh se Çaçi ishte në konflikt me një tjetër lojtar kyç, aq sa ata as nuk flisnin me njëri-tjetrin.
Megjithatë, kur luanin, ai e ndihmonte atë të shënonte më shumë pikë se më parë. Jashtë fushe urreheshin, por brenda saj i bashkonte një dëshirë e thellë për të fituar. Kjo ishte mbresëlënëse”. Rama mezi pret ta arrijë ngritjen e një skuadre të tillë në politikë, e kjo nuk është ambicie e keqe, po të marrim parasysh se, qoftë edhe sipas standardeve të debatit në Parlamentin britanik, ligjërimi politik në Shqipëri është një fushëbetejë e ashpër.
Në të vërtetë, zënkat midis qeverisë dhe opozitës janë përmendur shpesh nga Komisioni Europian si një arsye për pengimin e ecjes drejt statusit të vendit kandidat në BE, i cili tashmë është siguruar. Ky është një vend ku ish-kryeministri Sali Berisha u përpoq të bindte publikun se Rama vuante nga skizofrenia, duke kërkuar në televizionin kombëtar që vetë nëna e Ramës ta pohonte këtë, çka bëri që zonja Rama t’i kundërvihej në rrugë ligjore.
Dhe, kur një nga ministrat më të rinj e më të zgjuar të Ramës, Erion Veliaj, ishte në prag të martesës, Berisha u çua në Parlament e tha se bashkëshortja e tij e ardhshme ishte prostitutë. Veliaj nuk ndërmori asnjë veprim, përveç se tha se Berisha, jermet e të cilit mbroheshin nga imuniteti, ishte një plak i vjetër dhe i lodhur. Këto s’janë të këndshme dhe Ramës i duhet të dijë si të veprojë, pa rënë kurrë vetë aq poshtë…
“Shpesh të duhet të punosh me njerëz që nuk të pëlqen t’i ftosh në shtëpi apo të shkosh me ta në një ndeshje basketbolli. Por është pjesë e artit të udhëheqjes që të heqësh dorë nga mospajtueshmëria personale dhe të mobilizosh, për hir të suksesit, edhe njerëz që do të parapëlqeje mos t’i shihje”. Duke qenë se, që kur u zgjodh, ka përzgjedhur si prioritet strategjik përmirësimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, nuk do të ma dinte për nder po t’i përmendja emrat e atyre që ai i fut në këtë kategori. Kjo dëshirë e tij për ndërtimin e ekipit u bë tepër e dukshme gjatë negociatave parazgjedhore midis partive.
Përsëri, me gjithë rreziqet politike të sjelljes në ekip të atyre që ishin perceptuar si armiq, ai hyri në koalicion me një ish-kryeministër socialist, Ilir Metën, i cili kishte krijuar partinë e vet, LSI-në. Bashkimi i tyre, me gjithë vështirësitë e shkuara, ndihmoi garantimin e fitores së thellë dhe marrëdhëniet e tyre kanë qenë pjesë e rëndësishme e suksesit të qeverisë.
Kjo shkoi në sintoni edhe me mesazhin e tij të gjerë, se Rilindja duhej të përfshinte tejkalimin e ndarjeve të hidhura të së shkuarës, si brenda, ashtu dhe jashtë vendit. Kështu pra, fryma e ekipit mund të forcohet duke u lidhur me ekipe të tjera dhe duke ditur se pjesëtarët e skuadrës janë gjithnjë një përzierje talentesh, aftësish dhe personalitetesh të ndryshme. Detyra e udhëheqësit është të nxjerrë në pah më të mirën e tyre.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al