EMISIONI VETTING
Por çfarë e bën situatën më të rëndë në këtë tender?
Nga hulumtimet e “Vetting” është zbuluar se aksionerja e kompanisë “Orthonet”, Kira Cami është e bija e kirurgut ortoped tek SUT, Ergys Cami, ndërsa aksionerja tjetër, Floresha Haxhimemini, është e ëma e Sedi Meminit, edhe ky kirurg ortopedie në SUT. Ergys Cami, sipas informacioneve, mësohet se punon në një spital privat si shef i ortopedisë, ndërkohë që paguhet edhe në Spitalin e Traumës.
Kompania “Orthonet 360” shpk ka marrë në konflikt të hapur interesi tenderat nga SUT-ja dhe ia ka kaluar familjarëve të doktorëve që janë të punësuar në këtë spital.
Në këtë rast kemi konflikt të pastër interesi me tenderin, pasi Kira Cami ka firmosur një prokurë të posaçme, ku Ergys Cami ka të drejtë të jetë përfaqësues dhe të kryejë veprime të ndryshme në emër të kësaj kompanie.
Por nyja gordiane e të gjitha këtyre aferave me tenderat e ortopedisë gjenden te drejtuesit, të cilët janë në të njëjtin sektor me familjarët e personave që zotërojnë Orthonet 360.
Lidhjet thellohen më shumë pasi kompania private “Life Plus”, me administratore Daniela Nelaj ka si aksioner kirurgët e SUT, Serdi Memini, Ergys Cami, Alfred Cake, Erion Qato dhe Korab Sejdini. Gjithashtu, aksionerë janë Dorina Ruci dhe Lidia Manushi.
Sipas burimeve konfidenciale, Alfred Cake është zv.Drejtor i SUT, ndërkohë që i ka dhënë tenderat e ortopedisë Ergys Camit, ortakut të vet në klinikë dhe familjarit të Serdi Meminit.
Të njëjtat burime pohojnë se, në Komisionet e Specifikimeve Teknike dhe të pranimit të mallit për materialet ortopedike, janë Alfred Cake, Erion Qato dhe Serdi Memini. Ky i fundit është i biri Floresha Haxhimeminit, aksionere e kompanisë “Orthonet”. Në këtë rast, kompania “Orthonet 360” shpk rezulton e lidhur me mjekët në QSUT, duke marrë tendera, të cilët janë në shkelje të ligjit.
Problemet nuk ndalen me kaq pasi në repartin e ortopedisë mungojnë letrat për numrin e operacioneve. Ajo që vihet re është mospërputhja e numrit serial dhe të gjitha këto mungesa raportohen për kompaninë “Orthonet” së bashku me “T R I M E D” dhe “Layo” shpk. Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit përforcon atë skemën e korrupsionit që “Vetting” ka zbuluar për aferat me protezat.
Sipas KLSH: “Kampioni i përzgjedhur prej 14 pacientë është përfaqësues për të gjitha të dhënat e materialeve ortopedike të implantuara tek këta pacientët, pasi të gjithë pacientët që janë të regjistruar në 3 (tre) regjistrat që përfshijnë periudhën 2021 dhe 2022, rezulton se nr.serial (Loti) i materialeve ortopedike nuk kanë përputhje midis materialeve te vendosura, atyre te kërkuara dhe atyre te shkarkuara ne kartelën elektronike.”
Drejtues të SUT nuk kanë dhënë shpjegime se çfarë cilësie janë këto implante, përse ka mospërputhje dhe se si po merr masa spitali për t’i rregulluar këto çështje. “Vetting” kontaktoi Spitalin Universitar të Traumës për numrin e operacioneve, por pyetja për çështjen e protezave mbeti pa përgjigje nga SUT deri në publikimin e këtij materiali.
Burime të rezervuara kanë bërë të ditur se pas kërkesës së parë nga emisioni “Vetting” për numrin e operacioneve kanë filluar dorëheqjet nga Komisioni i tenderave, por gjithçka mbetet për t’u verifikuar nga vetë drejtuesit e këtij spitali.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al