Lirohen tre anëtarë të Bandës së Lushnjës

Sep 21, 2011 | 9:55
SHPËRNDAJE
Avokatët e bandës së Lushnjës në gjyq

Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda shpalli vendimin përfundimtar ndaj të akuzuarve si anëtarë të bandës së Lushnjës, duke deklaruar të pafajshëm një prej tyre dhe dërguar dy të tjerë në prag lirimi nga qelitë.Vendimi që zbuti dënimet ndaj një prej organizatave kriminale më famëkeqe të krijuara pas vitit 1997 në vend, u shpall nga një pesëshe e Apelit, pak pas mesditës së djeshme. Sipas vendimit, gjykata rrëzoi të gjitha akuzat ndaj të pandehurit Afrim Hoxha. Ai u deklarua i pafajshëm për të gjitha veprat penale që i “faturoheshin” nga Prokuroria. Në gjykimin në Shkallën e Parë, Hoxha ishte dënuar me 18 vjet burg, dënim që u prish nga Apeli. Ndaj tij gjykata urdhëroi lirim të menjëhershëm. I afërt është lirimi edhe për dy të pandehurit e tjerë, Rexhep Gina dhe Arjan Aliço. Për të pandehurin Gina, Apeli dha 10 vjet heqje lirie, në një kohë që në Shkallën e Parë të Krimeve Gina u dënua me 16 vjet burg. I pandehuri Arjan Aliço u dënua me 5 vjet burg. Burime pranë Gjykatës bënë të ditur se të pandehurit Rexhep Gina dhe Arjan Aliço janë në prag lirimi, për shkak se dënimi i tyre pothuajse është konsumuar me kohën e qëndrimit në paraburgim. Ndërkaq, Apeli la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë për “burgim të përjetshëm” ndaj të pandehurve Arben Boriçi dhe Ilir Stërgu. Të pandehurit Boriçi dhe Stërgu nuk mundën t’i shpëtojnë burgimit të përjetshëm, ndonëse gjykata pushoi akuzën për vrasjen e Xhevat Demirit. Po ashtu, të pandryshuara mbetën dënimet edhe për të pandehurin Erion Cici, i cili u dënua me 25 vjet burg, si edhe për të pandehurin Jorgo Muzaka, me 6 vjet burg.
SHKALLA E PARE
Në 25 nëntor të vitit të kaluar, Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda u shpreh me vendim ndaj të akuzuarve si “anëtarë” të bandës së Lushnjës. Shkalla e Parë vendosi burg përjetë për të pandehurit Arben Boriçi dhe Ilir Stërgu. Për pesë të pandehurit e tjerë, Afrim Hoxha, Erion Cici, Arjan Aliço, Jorgo Muzaka e Rexhep Gina, gjykata vendosi një total prej 75 vjetësh burg. Në vendimin e Shkallës së Parë, gjykata përjashtoi nga “organizata kriminale” të pandehurit Afrim Hoxha dhe Rexhep Gina. Sipas këtij vendimi, të akuzuarit e dosjes u deklaruan të fajshëm   për “vrasjen me paramendim” të Xhevat Demirit, Nimet Zenelit, Masar Aliut dhe Luan Bilbilit. Të fajshëm ata u deklaruan edhe për “vrasjet me paramendim, mbetur në tentativë” për Nimet Zenelin dhe Gramoz Selmanin. Ndërsa për vrasjen e shtetasit Idajet Beqiri, gjykata pohoi se vepra penale u kualifikua si “vrasje e thjeshtë”, pasi në të nuk ekzistonte paramendimi. Po ashtu, ‘fajtorë’ ata u shpallën edhe për veprat penale të “mbajtjes pa leje të armës luftarake” dhe “shkatërrimit të pronës me zjarr”.
BANDA
Sipas Prokurorisë, “momenti kyç” në krijimin e organizatës kriminale ishte vrasja e Ramadan Shkurtit, vëllait të Alfred Shkurtit, i njohur edhe si Aldo Bare. Po sipas akuzës, për shkak të vrasjes së Ramadan Shkurtit nga ana e Artur Dajës, vëllai i tij Aldo Bare krijoi “bandën e Lushnjës” për t’u hakmarrë. “Aldo Bare kishte rol dhe autoritet të padiskutueshëm në organizatë”, thuhej në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë. Po sipas vendimi, pas ngritjes së organizatës, veç veprimtarisë kriminale, ajo është përfshirë në veprimtari ekonomike në qytetin e Lushnjës. Këto veprimtari shtriheshin në lagunën e Karavastasë, në shoqërinë e Sport-Klub Lushnjës, në bingon e qytetit e të tjera. Në të njëjtin vendim, togat e zeza përmendnin edhe “bazën” e “bandës” në Lushnjë, atë të Komisariatit Nr.2, i cili ishte ngjitur me Komisariatin e Policisë së qytetit. “Anëtarët ekspozoheshin në rrugë të armatosur dhe të veshur me uniforma policie, për të dhënë idenë se ishin të paprekshëm dhe se ishin ata shteti”, thuhej në atë vendim.

Dosjet e bandës së Lushnjës mbetën 10 vjet të pazbardhura
Fillesat e aktivitetit të bandës së Lushnjës kanë qenë në vitet 1997-1998. Në atë kohë, strukturat lokale të policisë ishin dobësuar ndjeshëm, ndërsa prokuroria ishte kufizuar ndjeshëm në mundësitë e hetimit të krimeve të bandës, e cila nga dita në ditë fitonte gjithnjë e më shumë pushtet në Lushnjë. Megjithatë, dosjet e krimeve të bandës së Lushnjës u hapën, e megjithëse qëndruan për mbi dhjetë vite pa autor, pas vitit 2004, kur u krijua Prokuroria e Krimeve të Rënda, hetimet u vunë në lëvizje. Një pjesë e konsiderueshme e akteve të vendit të ngjarjes, dëshmi dhe prova të tjera, të mbledhura herët nga policia dhe Prokuroria e Lushnjës, i hynë në punë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila që pas vitit 2005, kur ra në pranga në Turqi Aldo Bare, hapi një front të gjerë hetimi, duke zbardhur njëra pas tjetrës bëmat e anëtarëve të bandës së Lushnjës. Shumica e dosjeve për ngjarjet e asaj kohe në Lushnjë janë transferuar në Tiranë nga Prokuroria e Lushnjës. Këto dosje për më se dhjetë vjet kishin mbetur pa autor jo për shkak të mungesës së provave dhe indiceve, por për shkak të pamundësisë së hetimit të plotë.

Akuzat
Arben Boriçi

Në kuadër të organizatës kriminale:
“Vrasje me paramendim” të shtetasit Xhevat Demiri (pushuar)
“Vrasje me paramendim” të shtetasit Nimet Zeneli
“Vrasje me paramendim” të mbetur në tentativë të Masar Aliut
“Vrasje me paramendim” të mbetur në tentativë të shtetasit Gramoz Selmani
“Vrasje me paramendim” të shtetasit Masar Aliu
“Vrasje me paramendim” të shtetasit Idajet Beqiri
“Vrasje me paramendim” të shtetasit Luan Bilbili
“Mbajtje pa leje të armës luftarake”
“Shkatërrimit të pronës me zjarr”
“Kryerje të veprave penale nga organizata kriminale”
“Dhunimit të varreve”
“Pjesëmarrjes në organizatën kriminale”

Ilir Stërgu
“Vrasje me paramendim” të shtetasit Xhevat Demiri (pushuar)
“Vrasje me paramendim” të shtetasit Nimet Zeneli
“Vrasje me paramendim” të mbetur në tentativë të shtetasit Masar Aliu
“Vrasje me paramendim” të mbetur ne tentative te  shtetasit Gramoz Selmani
“Vrasje me paramendim” të shtetasit Masar Aliu
“Vrasje me paramendim” të shtetasit Idajet Beqiri
“Vrasje me paramendim” të shtetasit Luan Bilbili
“Mbajtjes pa leje te armes luftarake”
“Shkaterrimit te prones me zjarr”
“Dhunimit të varreve”
“Pjesemarrje ne organizaten kriminale”

Afrim Hoxha
“Vrasje me paramendim” të shtetasit Xhevat Demiri (pushuar)
“Kryerje të veprave penale nga organizata kriminale”
(pushuar)
“Pjesëmarrje në organizatën kriminale”  (pushuar)
“Mbajtje pa leje të armës luftarake” (pushuar)

Erion Cici
“Shkatërrimit të pronës me zjarr” të banesës së shtetasit
Shkëlqim Haxhiu
“Kryerje të veprave penale nga organizata kriminale”

Arjan Aliço
“Pjesëmarrje në organizatën kriminale”
“Vjedhje me dhunë”

Jorgo Muzaka
“Shkatërrimit të pronës me zjarr” të banesës së shtetasit
Shkëlqim Haxhiu
“Kryerje të veprave penale nga organizata kriminale”
“Pjesëmarrje në organizatë kriminale”

Rexhep Gina
“Shkatërrimit të pronës me zjarr” të banesës së shtetasit
Shkëlqim Haxhiu
“Kryerje të veprave penale nga organizata kriminale”
“Pjesëmarrje në organizatë kriminale” (pushuar)
“Vrasje me paramendim të mbetur në tentativë” në dëm të
shtetasit

Arben Kicja
“Mbajtje pa leje të armës luftarake”
“Shkatërrim të pronës me eksploziv”

Banda u krijua për hakmarrje
Organizata kriminale e njohur si “banda e Lushnjës”, drejtues i së cilës akuzohet të ketë qenë Aldo Bare, i shënon fillesat e saj në korrik të vitit 1997. Krijimi i kësaj bande u pasua me ngjarje të rënda kriminale, përfshi vrasjet me paramendim. Sipas Prokurorisë, veprimtaria kriminale e kësaj organizate u shtri në vitet 1998-2005. Një nga akuzat e paprovuara ndaj kësaj bande ishte ajo e shëtitjes së kokës së prerë të Artur Dajës, kundërshtarit kryesor të Aldo Bares, nëpër rrugët e Lushnjës, tetorin e vitit 1998.

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura