Ku gjenden saktësisht kufijtë kombëtarë në Evropën Juglindore? Kësaj pyetjeje nuk ka mundur t’i përgjigjet ende asnjë nga projektet e shumtë për rindarjen e rajonit.
Një plan i parë i përgatitur me ngut për ndarje të Jugosllavisë u zbatua me shpejtësi në vitin 1941: Kur Wehrmacht-i gjerman sulmoi dhe mundi shtetin shumëetnik të themeluar në 1918, pesë shtete fqinje përfituan menjëherë pjesë të territorit të deriatëhershëm të tij: Gjermania e Madhe, Italia, Hungaria, Bullgaria dhe Shqipëria.
Në pjesën që mbeti, krahas Serbisë së pushtuar, u krijua “Shteti i Pavarur Kroacia”, që përfshinte edhe gjithë Bosnjë-Hercegovinën. Krijimi i nazistëve mundi të arrijë “raporte të qarta” lidhur me etninë vetëm përmes gjenocidit: nga 320.000 deri 340.000 serbë, dhjetëra mijëra romë dhe hebrenj u vranë brenda më pak se katër vjetësh.
Që në shekullin e 19-të, kur Perandoria Osmane filloi të shpërbëhej, lindi pyetja se ku duhet të fillonin e ku të mbaronin shtetet pasardhëse që po krijoheshin. Në 1878 në Kongresin e Berlinit fuqitë e mëdha vizatuan në tavolinë kufij të rinj në Ballkan dhe në 1912/13 gjashtë ambasadorë evropianë përshtatën shtetin e ri të Shqipërisë. Shqiptarët, bullgarët, grekët, serbët, maqedonasit dhe malazezët as që u ftuan.
Kur shteti multietnik i Austro-Hungarisë u shpërbë në përfundim të Luftës së Parë Botërore, SHBA nën presidentin Woodrow Wilson mbështetën parimin e nacionaliteteve: “Popujt” duhet të përcaktonin vetë fatin e tyre. Por se çfarë ishte një popull dhe çfarë jo, mbeti e hapur. Koncepti amerikan për “kombin”, si popullsi e një shteti, nuk përshtatej. Të gjitha shtetet e reja në Evropën Lindore përbëheshin nga ana tjetër nga pakica të shumta kombëtare.
Identitet, centralizëm, autonomi
Sidomos në Jugosllavi, por edhe në Rumani, Bullgari, Greqi, Hungari, Çekosllovaki dhe Ukrainë, para dhe një kohë të gjatë pas Luftës së Dytë Botërore u zhvilluan shumë debate rreth identitetit, centralizmit dhe autonomisë. Por ndryshimet e kufijve ishin tabu, pasi gjermanët mes viteve 1939 dhe 1945 kishin pushtuar dhe rindarë të gjithë Evropën Lindore, shkatërruar Jugosllavinë, zvogëluar Rumaninë dhe zmadhuar Hungarinë, Bullgarinë dhe Shqipërinë.
Loja me harta fitoi përsëri konjunkturë, kur u shpërbë Blloku i Lindjes në fund të viteve 1980. Në Slloveni revista “Mladina” (rinia) botoi në 1989 në faqen e saj satirike një propozim, se si mund të riorganizohej Jugosllavia: Mes Austrisë, Hungarisë dhe një “Jugosllavie Jugore” të paqartë, mund të krijoheshin “Republikat e Bashkuara të Jugosllavisë Perëndimore” – me Slloveninë, Kroacinë, Bosnje Hercegovinën.
Serioziteti pason satirën
Ajo që në vitin 1989 u mendua si satirë, u bë seriozitet përgjakshëm dy vjet më vonë. Në 1991 Jugosllavia u shpërbë në republikat e saj përbërëse. Përcaktimi i kufijve të shteteve pasardhëse rezultoi jo më pak i vështirë se mbajtja bashkë e Jugosllavisë. Në tokën e Kroacisë anëtarët e pakicës serbe themeluan një “Republikë të Krajinës Serbe”. Edhe në Bosnjën fqinje u krijuan një “Republika Srpska” (Republika Serbe) dhe një “Republika Herceg-Bosna” kroate.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al