Loreta Berhami, botuesja e koleksionit “Lotus” të autoreve femra: “Sa të ketë përçarje mes sekseve, temat mbi femrat janë aktuale”

Feb 10, 2014 | 14:38
SHPËRNDAJE

Libri i parë i përkthyer nga Mirela Kumbaro në zemër të këtij projekti
ka qenë “Moderato Cantabile” nga Marguerite Duras, por do të ketë edhe një të dytë, një libër shumë i veçantë, ndaj të cilit ajo personalisht, me sa më ka thënë, është shumë e lidhur. Libri titullohet “Persepolis” dhe është një libër i vizatuar (comics apo fumetti, në anglisht dhe italisht), i cili është kthyer në një klasik të këtij zhanri, por jo vetëm. Libri tregon historinë e vërtetë të një vajze iraniane dhe nëpërmjet syve të saj përshkruan historinë e Iranit dhe të femrës në gjirin e këtij kombi të lashtë. Është një libër i dhimbshëm, por edhe edukues, dhe deri diku shpresëdhënës. Është kthyer edhe në film dhe ka përfituar nga një kritikë pozitive ndërkombëtare

Një koleksion librash, i gjithi i parë me syrin e femrës e kushtuar femrës. Gjejmë në të profesionisten, nënën, gjyshen, mendjelehtën, princeshën…, sepse titujt e librave të koleksionit “Lotus”, që shtëpia botuese “Pegi” ka zgjedhur të nxjerrë në treg, janë më shumë se 10. Kanë dalë vetëm të parët, njëri prej të cilëve “Moderato Cantabile” i Margarite Duras, është përkthyer nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Një tjetër titull pritet të dalë së shpejti prej saj, ndërsa të tjera përkthyese femra, ndër më të njohurat, i janë bashkuar këtij “qëllimi” femëror… Loreta Berhami, na tregon për secilën.  

Çfarë përmban koleksioni “Lotus”?
Koleksioni “Lotus” është një koleksion librash letrarë (romane, tregime, pra nga të cilët përjashtohet eseistika), i cili i përkushtohet femrës në të gjitha dritëhijet dhe rolet e saj, qofshin këto natyrale apo sociale, të lindura apo të sajuara. Në historitë e këtyre romaneve dhe tregimeve do të gjejmë femrën në rolin e bashkëshortes, profesionistes, nënës dhe gjyshes, por jo vetëm. Do të gjejmë femrën mendjelehtë, femrën princeshë, femrën burrërore, femërore e shumë të tjera. Për shembull, në librin “Djemtë e pashëm” gjejmë një femër në kërkim të princit të kaltër, e cila me autoironi dhe kurajë rritet ndërsa rrjedhin rrethimet dhe kupton se jeta dhe personaliteti i saj mund të ekzistojnë edhe të pavarur e të shkëputur nga një mashkull, qoftë ky edhe ai i ëndrrave të saj. Ndërsa në librin me tregime të Elsa Morante-s, “Shalli andaluzian”, gjejmë gjyshen, nënën dhe bashkëshorten e kohërave të kaluara, të cilën shpesh, fatkeqësisht, e takojmë ende sot në Shqipëri, por jo vetëm.
Cilët janë disa nga autorët e përzgjedhur dhe temat të cilat trajtojnë?
Tematikat do të jenë të ndryshme, por asnjëra nuk përjashtohet, me kusht që të jetë një letërsi e shkruar nga një femër, për femrat dhe nga një perspektivë femërore. Pra mendësia, ose të themi zëri tregimtar, duhet të jetë ai i një femre. Për shembull, në “Moderato Cantabile” të Marguerite Duras-it, të përkthyer nga Mirela Kumbaro, na vjen ëndërrimi i një pasioni rinor nëpërmjet zërit të një bashkëshorteje dhe nëne të pezmatuar. Burgimi i saj shpirtëror tingëllon shumë i afërt me realitetin e shumë grave, megjithëse i shkruar para mbi 50 vjetësh.
Autoret e botuara deri tani janë: Delphine de Vigan, Marguerite Duras dhe Elsa Morante. Së shpejti do të vijë edhe Simone de Beauvoir natyrisht, por edhe Fay Weldon, Virginia Wolf, Rebecca du Maurier e disa të tjera. Janë të gjitha autore që kanë shtuar diçka në këtë lëmë, dhe jo gjithmonë në mënyrë të vetëdijshme.
Nga sa di, edhe përkthyeset janë zgjedhur të jenë femra. Pse?
Përkthyesit e përzgjedhur nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë vetëm femra, megjithëse këtyre u është dhënë prioritet. Arsyeja përse janë përfshirë edhe meshkujt ka qenë thjesht një arsye logjistike dhe gatishmërie të përkthyesve. Ndërsa, natyrisht që zgjedhja e parë do të binte te femrat për një koherencë më të madhe me shpirtin e projektit që përmenda më parë.
Cili është qëllimi i këtij projekti?
Qëllimet e projektit janë të shumta: të sjellë letërsi të mirë, të pabotuar më parë në shqip, deri diku provokuese, por më e rëndësishmja për ne ishte mundësia e rinisjes ose rilindjes së një debati shoqëror dhe mediatik rreth gjendjes së femrës në shoqërinë shqiptare. Problemet, siç e kemi parë qartë tashmë nga kronika, por jo vetëm, janë të shumta dhe prekin pothuajse çdo rol të saj në shoqërinë shqiptare. Çdo institucion dhe çdo individ ka mundësi, do të guxoja të thosha edhe detyrën, për të bërë diçka, për të ngritur zërin, për të sensibilizuar opinion, për të ndryshuar qëndrimin e vetvetes dhe të tjerëve, për t’u hapur sytë shumë nga atyre që janë ende të verbër. Për ne, si ndërmarrje, për mua personalisht si botuese, ishte dhe është një temë që nuk duhet anashkaluar kurrë, për të cilën nuk flitet kurrë mjaftueshëm, dhe së cilës nuk do t’i kalojë koha për aq kohë sa të kemi përçarje shoqërore midis sekseve, role të caktuara gjinore dhe një mendësi e cila, përtej gjestit fizik, vret femërinë duke e ngujuar dhe përkufizuar atë në mënyrë të ngurtë e të patundshme.
Cilat janë disa nga përkthyeset? Ndërsa Mirela Kumbaro ka dalë… A do të ketë përkthime të tjera prej saj?
Përkthyeset janë Edit Dibra, Mirela Kumbaro, Diana Çuli, Amantia Kapo e Ledia Dushi, por do të ketë edhe të tjera. Libri i parë i përkthyer nga Mirela Kumbaro në zemër të këtij projekti ka qenë “Moderato Cantabile” nga Marguerite Duras, por do të ketë edhe një të dytë, një libër shumë i veçantë, ndaj të cilit ajo personalisht, me sa më ka thënë, është shumë e lidhur. Libri titullohet “Persepolis” dhe është një libër i vizatuar (comics apo fumetti, në anglisht dhe italisht), i cili është kthyer në një klasik të këtij zhanri, por jo vetëm. Libri tregon historinë e vërtetë të një vajze iraniane dhe nëpërmjet syve të saj përshkruan historinë e Iranit dhe të femrës në gjirin e këtij kombi të lashtë. Është një libër i dhimbshëm, por edhe edukues, dhe deri diku shpresëdhënës. Është kthyer edhe në film dhe ka përfituar nga një kritikë pozitive ndërkombëtare të jashtëzakonshme. Unë dhe Mirela jemi tepër entuziaste që vendosëm ta sjellim në shqip dhe që patëm mbështetjen e BE-së për këtë titull, ashtu si për të dhjete titujt e parë të koleksionit “Lotus”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura