E ardhmja e PD-së si ideal dhe realitet

Jul 31, 2017 | 14:20
SHPËRNDAJE

FATOS LUBONJA

Shqetësimi për fatet e opozitës sot duhet parë i pandarë nga shqetësimi për të ardhmen e vendit, veçanërisht në një situatë ku gjithkush ndien rrezikun e mbetjes pa opozitë. Me këtë vështrim kam ndjekur zhvillimet e fundit në PD, pas humbjes së rëndë të zgjedhjeve, veçanërisht polemikat brenda dhe jashtë saj të iniciuara nga kritikët e Bashës Në këtë shkrim do të ndalem në disa tema kryesore të kësaj çështjeje.

auto_Fatos_Lubonja1477810771

PD DHE TRASHËGIMIA E SAJ

Tema kryesore e kritikave dhe sulmeve kundër Bashës ka qenë mungesa e demokracisë në vendimmarrjet e tij: për hapjen e mbylljen e çadrës, për marrëveshjen me Ramën, për listat e deputetëve, për mosdhënien e dorëheqjes, për mënyrën se si i organizoi zgjedhjet për kryetar. Janë të gjitha kritika të drejta, por puna është se ato janë ndalur te faza akute e sëmundjes (Basha) duke lënë jashtë shkakun e vërtetë të sëmundjes: kulturën politike të kalçifikuar në PD gjatë periudhës së Berishës, protagonistë të së cilës kanë qenë edhe shumica e kritikëve të sotëm të Bashës. Në kritikat e tyre periudha e Berishës u mistifikua si një periudhë “e artë” e “fitoreve”, dhe PD u trajtua si një “pasuri kombëtare” që po shpërdorohet apo po shitet nga Basha te kundërshtari. Kurse gabimet e përgjegjësitë e asaj periudhe u kaluan me një frazë të vetme: “për këtë janë dhënë dorëheqjet”.

Gjykoj se një qasje e ndershme dhe serioze do të ishte ajo që do ta fillonte kritikën me atë periudhë, me ballafaqimin me vetveten, me Berishën, që do të çonte në një trajtim krejt tjetër të trashëgimisë së PD-së. Sepse e vërteta historike është se pas atij momenti të parë të shkurtër kur PD përbashkoi shumicën e shqiptarëve kundër regjimit, ajo, me në krye liderin e saj historik, ka bërë thuajse vetëm gabime për sa u përket idealeve të lirisë dhe të demokracisë që po përmenden aq shumë sot si atribute të saj. Lideri Sali Berisha, fill pasi mori pushtetin, filloi të pastrojë partinë nga kundërshtarët, kryesisht intelektualë, të demonizojë opozitën, të uzurpojë e shpërdorojë televizionin publik, të vërë nën kontroll drejtësinë, shoqërinë e porsalindur civile. Këto e çuan te rënia e shpejtë e popullaritetit, çka e shtyu të rrëmbejë me dhunë zgjedhjet më 1996, ndërkohë që ekonominë e vendit e kishte futur në një hulli kriminale, atë të trafiqeve, të kontrabandës e pastaj të piramidave financiare që u bënë aleatet elektorale të tij. Kështu, në harkun e disa vjetëve, PD degjeneroi deri në atë pikë sa brenda dhe jashtë vendit sistemi që ajo kishte ngritur u cilësua si “regjim gangsterësh”.

Kjo është trashëgimia e PD-së gjatë pushtetit të parë. Ishte një PD kaq e mbrapshtë që mbajti në këmbë një tjetër “pasuri kombëtare”, që meritonte të shkrihej, partinë ish-komuniste të kthyer në PS.

Nuk mohohet se gjatë periudhës opozitare (1997 – 2005) PD ka luajtur një rol kundër sistemit të kapjes së shtetit nga oligarkët, që ndërtuan socialistët e Nanos, Metës e Ramës, por e bëri në mënyrë të rrejshme sepse, me ardhjen në pushtet, në vend sa ta luftonte sistemin kriminal që kishte denoncuar, e kalëroi, duke zhgënjyer edhe një herë rëndë shqiptarët.

Kjo është trashëgimia e vërtetë e PD-së që duhet marrë në analizë seriozisht nëse kërkohet një ndryshim i vërtetë. Sepse degjenerimi i sotëm i PD-së, ashtu sikurse edhe ai që po njeh vendi sot nën drejtimin e Edi Ramës, nuk mund të kuptohen pa këtë trashëgimi.

PD DHE DEMOKRACIA

Lulëzim Basha erdhi te kjo parti pasi kishte kaluar një periudhë pune në ambiente europiane ku – siç tregonte edhe vetë në fillim – kur shkonte në mëngjes në punë, eprorët e tij mblidhnin stafin dhe bënin atë FATOS LUBONJA që në gjuhën angleze quhet “brain storming”, që do të thotë se shtronin problemet dhe vilnin mendimet e të gjithë pjesëtarëve. Kur u fut në partinë e Berishës, veçanërisht pasi PD mori pushtetin, pa se punët nuk shkonin kështu. Eprori i madh me nofkën “doktori” nuk bënte “brain storming”, por u jepte urdhra vartësve që duhet t’i zbatonin. Basha iu përshtat kësaj “forma mentis” të liderit me “forma mentis”-in e vartësit shqiptar, i cili nuk e kundërshton apo kritikon kurrë liderin e vet, por vetëm i bën qejfin. Gjykoj se me këtë “forma mentis” kanë punuar me Berishën edhe ata që kritikojnë sot Bashën.

E pra, idealisht, ndryshimi i PD-së duhet të fillonte që këtu. Ajo nuk ka nevojë për një lider të modelit Sali Berisha e për vartës të modelit Basha, por për drejtues që kanë më- suar se ku të çon kjo rrugë dhe prandaj, me përunjësi dhe respekt ndaj të tjerëve, do të duhej të mblidheshin e të bënin analizën e të kaluarës së tyre antidemokratike dhe pastaj të gabimeve që e kanë sjellë në këtë gjendje, përfshirë edhe ato të fundit të Bashës. Duke bërë këtë PD-ja do t’i jepte nismën një ndryshimi kulturor që nuk ka filluar ende në Shqipëri. Vetëm kjo mënyrë sjelljeje do të mund të krijonte njerëz me personalitet dhe dinjitet që dinë të respektojnë veten më së pari prandaj edhe të tjerët. Por, për fat të keq, nuk po ndodh kjo. Lulëzim Basha po bën të kundërtën: po përpiqet të ndërtojë figurën e liderit që jep urdhra se çfarë duhet të bëjnë vartësit e tij dhe po zgjedh vartës që të pranojnë këtë rol të tij.

PD-JA – IDENTITETI DHE PËRFAQËSUESHMËRIA E SAJ

Si rezultat i varfërimit intelektual e ideal që ka sjellë mungesa e debatit dhe e njerëzve me personalitet në PD, ka ardhur edhe paqartësia për sa i përket identitetit dhe vizionit të kësaj partie. Ajo u vetëpërcaktua kur lindi si parti e djathtë. Ky ishte një identitet që ajo e mori duke iu referuar kundërshtarit të atëhershëm që ishte partia komuniste, që teorikisht konsiderohej e majtë, madje e ekstremit të majtë.

Por çfarë partie u bë PD në të vërtetë? Ajo u bë një parti që synoni të përfaqësonte të gjithë popullin, njëlloj si partia-shtet që kishte edukuar Sali Berishën. Si e tillë kundërshtarët politikë ajo i trajtoi me të njëjtën frymë siç i trajtoi Enver Hoxha ish-reaksionarët apo kulakët: duke i demaskuar, duke i mbiquajtur trashëgimtarë të bllokmenëve, pra si një e keqe që duhej eliminuar dhe jo si një “pjesë”, nga vjen dhe fjala “parti”, me të cilët duhet të dialogonte mbi bazë programesh dhe përfaqë- sueshmërie të ndryshme. Kështu, ndërkohë që teorikisht programet e të dyja partive kryesore PD – PS u bënë thuajse të njëjta për sa u përket retorikave nacionaliste, të integrimit në Europë, të tregut të lirë, privatizimeve, reformave standarde dhe ndërkohë që prapa kë- tyre retorikave punonin të dyja për të njëjtët oligarkë, PD, me një propagandë trushpëlarëse manipulonte elektoratin e saj duke i ekzaltuar përkatësinë familjare antikomuniste “të djathtë”, ndonëse, për shkak të persekutimit të gjatë, ishte shtresa më e varfër dhe më në nevojë për politika të majta. Duke ruajtur në mënyrë manipulative dallimin sipas të cilit i djathtë baras i mirë, i majtë baras i keq PD pranonte që PS ta quante veten të majtë, ndonëse kjo parti harroi krejtësisht principin e së majtës së barazisë apo barazisë së mundësive dhe ajo filloi të bëhet gjithnjë e më shumë parti e njerëzve që hanin njeriun për t’u pasuruar.

Mirëpo pas një çerek shekulli, për shkak të ndryshimit të brezave, për shkak të fallcitetit të këtyre retorikave, si dhe të halleve e nevojave të përditshmërisë e kaluara historike e njerëzve ka humbur peshën. Njerëzit tashmë janë shumë të qartë se përtej këtyre manipulimeve të dyja partitë kur vijnë në pushtet ushtrojnë vendimmarrje në favor të një pakice të pasurish kundër shumicës gjithnjë e më të varfëruar (pavarë- sisht se për shkak të manipulimit e lënies në injorancë një pjesë ende nuk arrijnë ta kuptojnë se, në terma teorike kjo është sjellje partish ultra të djathta se ky është fashizëm ekonomik). Si të tilla këto “pjesë” që punojnë për një pakicë dhe pretendojnë se mbulojnë të tërën prej kohësh janë shndërruar në dy banda të destinuara të hanë njëra-tjetrën. Dhe siç treguan zhvillimet e fundit, partia e destinuar për t’u ngrënë është PD-ja. Edi Rama e ka manifestuar më qartë se kushdo këtë synim. Ai pretendon sot se përfaqëson të gjithë popullin edhe ish-të persekutuarit, edhe ish-komunistët, edhe të pasurit, edhe të varfrit, dhe prandaj dhe në fushatë elektorale i mori PD-së edhe shenjën e vet dalluese, V-në e dy gishtave.

Në këtë situatë dëgjoj nga kritikët brenda dhe jashtë PD se ajo duhet të korrigjojë gabimet duke u kthyer tek ish-të persekutuarit, të tregojë më respekt për parti të djathta si Balli Kombëtar apo Legaliteti, apo Partia Republikane si parti e ish-pronarëve, si dhe të forcojë lidhjet me biznesin. Ajo që dëgjoj pak ose aspak është fakti se askush nuk kritikon politikat vendimmarrëse të PD-së në pushtet, në favor të pakicës shpesh edhe kriminale, dhe se çfarë duhet të ndryshojë ajo për të përfaqësuar të papërfaqësuarit. Opozita që na duhet sot është ajo që do të kthejë vëmendjen drejt politikave sociale, drejt mbrojtjes së pasurisë publike, mbrojtjes së territorit që po gërryhet përditë nga çakejtë që do të thotë një parti të shumicës kundër partisë së pakicës së të pasurve. Nëse PD ngulmon ta quajë veten të djathtë, nuk i mjafton për këtë vetëm përkatësia historike e një pjese të elektoratit. Një mundësi do të ishte të kthehen nga e djathtë liberale në të djathtë sociale p.sh., por ajo që shqetësoj është se ky lloj debati mbi përfaqësueshmërinë e saj as nuk ceket fare në PD. Ajo ka mbetur një parti që, ashtu si dhe PS-ja, kërkon që kur t’i vijë radha e pushtetit, të thotë se përfaqëson të gjithë popullin, dhe të punojë për të njëjtin grusht oligarkësh dhe njerëzish të lidhur me krimin e organizuar. Por dyshoj shumë se mund t’i vijë ndonjëherë më kjo radhë po vazhdoi kështu.

* Shkrim ekskluziv për Gazetën Panorama. Ndalohet publikimi i tij. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura