Prishja e Kishës në Dhërmi dhe nacional-katolikët

Sep 1, 2015 | 8:51
SHPËRNDAJE

lubonja2FATOS LUBONJA

Motivi se pse u prish në atë mënyrë demonstrative, të dhunshme dhe të paligjshme Kisha e Shën Thanasit në Dhërmi mbetet ende i errët. Nëse do t’i referohem cicërimës së parë të Kryeministrit në “Twitter”, motivi që paraqitej dukej estetik. “Kisha si një garazh.”

Që ajo soleta e betonit ishte një gjë e shëmtuar dhe që një kishë s’meriton një çati të atillë, kjo s’ka diskutim. Por a mjafton kaq për të shembur në atë mënyrë një objekt kulti, duke iu kundërvënë një komuniteti të tërë? Absolutisht jo. Aq më tepër kur ke parasysh se shëmtimi që i krijonte ajo kishë peizazhit të fshatit Dhërmi është shumë herë më i vogël nga ai që është bërë me ndërtimet qoftë në fshat, qoftë në bregun poshtë tij. 

Për të mos folur për shëmtimin që i është bërë e po vazhdon t’i bëhet tërë Jugut e tërë Shqipërisë, çka kërkon një fshesë gjigante riestetizimi të atij peizazhi. Më pas Kryeministri na paraqiti një foto të Kishës si ka qenë duke nënkuptuar se do të rindërtohet duke u kthyer në atë pamje.

Ide e mirë, por a nuk do të ishte më normale që këtë ide Shteti ta bisedonte më parë me pronarin, që rezulton se është Kisha Ortodokse dhe komunitetin i besimtarëve dhërmiotë, t’u paraqiste një projekt dhe, pasi të merrte edhe aprovimin e tyre, të ndërmerrte, duke respektuar tërë hapat ligjorë, kthimin e kishës në pamjen dhe dinjitetin që ka pasur përpara se të prishej më 1972, ndoshta edhe duke ndarë të hollat e rindërtimit me KOSH?

Kështu duhej të kishte ndodhur, por fakti që u bë ashtu si u bë, e ka një motiv, që mbetet i errët. Por ndërsa motivet dhe “përfitimet” e prishësve mbeten ende të errëta, dëmet që i sollën Shqipërisë si shtet janë shumë më “të ndritshme”.

DËMI NË ASPEKTIN E SHTETIT TË SË DREJTËS

Ky veprim krijon imazhin e një shteti që vepron si një grup banditësh që i përdorin instrumentet e dhunës, që shteti duhet t’i përdorë vetëm për rastet ekstreme, në mënyrë abuzive dhe të papërgjegjshme, duke shkatërruar për qëllime të errëta apo deri thjesht për kënaqësi sadiste pronën dhe jetën e qytetarëve të vet. Pas këtij akti dhune të pajustifikuar, deri edhe ndaj një institucioni të tillë siç është Kisha, çdo qytetar shqiptar ndihet shumë më i pasigurt përpara arrogancës dhe papërgjegjshmërisë së pushtetarëve të vet.

Duke pasur parasysh selektivitetin, brutalitetin që po përdoret jo rrallë në akte të tilla dhe faktin se më anë tjetër nuk po bëhet asgjë që t’u japë shqiptarëve shpresë për një jetë më të mirë dhe më të sigurt, po rritet perceptimi se qeveria po ia hap me të shpejtë gropën vetes. Problemi është se hedhja e kësaj qeverie në gropë nga veprime të dhunshme shkatërruese njerëzish të shtyrë deri në dëshpërim do të ishte një katastrofë e re për të gjithë shqiptarët.

DËMI KULTUROR

Ky u shkaktua nga fakti se në mbrojtje direkt apo indirekt të prishjes së Kishës, apo si nxitës të këtij akti, u rreshtuan një numër politikanësh e intelektualësh – midis tyre edhe një këshilltar i Kryeministrit – nga deklaratat e të cilëve del qartë një mbetje e vendit në kulturën e ideologjisë nacional-komuniste të Enver Hoxhës që, ndërkohë që me propagandë i ushqente shqiptarët me mburrje kombëtare, duke nacionalizuar historinë, duke bërë shqiptare çdo gjë në këto treva që nga koha e gurit, e duke u premtuar një të ardhme të ndritur (komuniste), realisht i mbante në varfëri, injorancë ekstreme dhe të izoluar nga bota për t’i sunduar më lehtë.

Ndryshmi i vetëm në mendjet e mbyllura të këtyre nacionalistëve të rinj është një lloj zëvendësimi i propagandës komuniste me katolicizmin medemek duke e njësuar të ardhmen europiane me identitetin katolik, sepse kështu na pranon më lehtë Europa. Me këtë diskurs këta mjerisht i bëjnë dëm jo vetëm kulturës shqiptare e idesë së Europës, por edhe katolicizmit që vetëm me nacionalizmin nuk ka të bëjnë për dy arsye themelore: së pari, pasi besimtari i vërtetë e ka fenë mënyrë jetese dhe jo çështje mburrjeje identitare dhe, së dyti, pasi katolicizmi është një fe e përbotshme besimtarët e së cilës i përkasin një komuniteti që s’i dallon njerëzit nga identiteti kombëtar.

Duke instrumentalizuar katolicizmin, shembjen e kishës ortodokse nacionalistët tanë e justifikuan dhe nxitën me pretendimin se në këtë kishë paska ushtruar aktivitetin e tij në shekullin XVII Nilo Catalan, një prift spanjoll që paska ardhur në këto treva për t’i lidhur apo mbajtur shqiptarët etnikë nën Papatin nëpërmjet fesë uniate apo katolike të ritit bizantin, apo greko-shqiptar, siç quhet duke hapur madje për këtë deri shkolla shqipe.

Duke i dhënë aktivitetit fetar të Catalanit konotacion nacionalist, e quajtën madje edhe si një protorilindas shqiptar – njëlloj si në historiografinë e Enver Hoxhës që i ka paraqitur Buzukun, Budin, Bogdanin sikur e kanë shkruar shqipen për qëllime nacionaliste. E pra, sot, çerek shekulli pas rënies së nacional-komunizmit, çdo nxënës i shkollës së mesme do të duhej të dinte, edhe në respekt të njohjes së historisë së fesë katolike, se shkrimi i shqipes në atë kohë nga këta autorë nuk ka të bëjë fare me nacionalizmin dhe përpjekjet e Rilindësve tanë të shekullit XIX për të krijuar një identitet shqiptar, por me Kundër Reformën që ndërmori Vatikani në shekullin XVI si reagim ndaj Reformës së Luterit që përktheu Biblën në gjermanisht, pra, për ta prurë fenë sa më afër besimtarëve që flisnin gjuhën shqipe.

E njëjta gjë mund të thuhet edhe për aktivitetin e Catalanit. Por dëmi kulturor i instrumentalizimeve të tilla të historisë nuk mbetet vetëm në kuadrin e njohjes mbrapsht të historisë. Problemi tjetër i madh është se kjo padituri e kthyer në veprim arrin të nxisë apo të justifikojë aksione të tilla me pasoja të mbrapshta për sa i përket ndërtimit të atyre vlerave të humanizmit e pluralizmit e bashkë- jetesës në harmoni e paqe me të ndryshmit që kërkohen të ndërtohen në këtë vend.

Dashur pa dashur këto diskurse krijojnë identitete superiore dhe inferiore, miqësore dhe armiqësore të komuniteteve të ndryshme fetare që banojnë në Shqipëri dhe përçarje midis tyre. Shembja në atë mënyrë e kishës e justifikuar me këtë diskurs nuk mund të mos interpretohet si një sulm ndaj identitetit ortodoks të banorëve të sotëm të asaj zone, qofshin ata shqiptarë apo grekë etnikë, dhe rindërtimi i saj pas kësaj shembjeje vështirë të mos marrë simbolikën e ngritjes atje me dhunë të një simboli që iu kundërvihet ndjenjave të këtij komuniteti.

DY FJALË PËR IDENTITETIN
Sipas një koncepti bashkëkohor, ai që mund të quhet identitet i një populli nuk mund të jetë një identitet i vetëm dhe aq më pak i ngurtë, por kemi të bëjmë me shumë identitete në proces, ku këto identitete të shumta (“të lëngshëm” i quan Zigmund Bauman), bashkëjetojnë e bashkëveprojnë me njëri-tjetrin apo edhe pasojnë njëri-tjetrin për sa i përket rëndësisë dhe dominancës.

Edhe kur flasim për shqiptarët dhe veçanërisht për raportin e feve të tyre me të ndjerit shqiptar, duhet të flitet për shumë identitete ku hyjnë edhe identitetet fetare që ata kanë përqafuar në shekuj si të krishterë ortodoksë dhe katolikë, myslimanë sunitë dhe bektashi etj., e, po ashtu, duhet pasur parasysh se kemi të bëjmë me një proces historik në të cilin kanë ndodhur ndryshime e formime dhe zhdukje e sinkretizma identitetesh në rrjedhë të shekujve, ku spikasin gjatë shekullit XX edhe shqiptaria e shqiptaristëve që, nën thirrjet e Vaso Pashës, vunë atdheun mbi fenë, edhe identiteti i komunistëve që e mohuan fenë gjithë duke ekzaltuar shqiptarinë, por edhe identitetet paskomuniste të atyre që iu kthehen feve të paraardhësve të tyre, që përqafuan fe të tjera apo që ruajtën ateizmin e tyre.

Problemi është se i gjithë ky proces që në fakt gjeneron nga nevoja të së sotmes, shpesh ngatërrohet me historinë e së shkuarës që manipulohet pra për qëllime të së tashmes. Veçanërisht kjo ndodh në mendjet e njerëzve të paditur apo të cilëve nuk ua kanë mësuar kurrë historinë siç ka qenë dhe as konceptin e identitetit si një proces historik, përkundrazi që dje u kanë thënë se ju keni qenë shqiptarë kështu siç jeni sot që në kohën e gurit, kurse sot u thuhet se ju, përpara se të bëheshit myslimanë, keni qenë të krishterë, madje katolikë dhe kjo është feja juaj e vërtetë dhe identiteti juaj i vërtetë.

Në këtë kontekst diskursi nacional-katolik që justifikoi shembjen e kishës synon të na thotë se shqiptarët në krye të herës kanë qenë katolikë (prandaj dhe Skënderbeun e kanë bërë nga ortodoks në katolik), dhe se bërja europian nuk është gjë tjetër veçse kthim në fenë e të parëve.

Nuk mund të mos rikujtoj me këtë rast edhe faktin se me rastin e vizitës së Papës Kryeministri ynë pagëzoi të birin si katolik dhe, një e dy, sa herë takon politikanë apo gazetarë perëndimorë, u thotë se ka pasur një gjyshe katolike. Mirëpo një diskurs i tillë nuk mund të mos përjetohet si një akt diskriminues si ndaj komunitetit ortodoks, qofshin këta shqiptarë apo të etnisë greke etj., edhe ndaj komuniteteve të tjera fetare.

E them këtë pasi tentativa për t’i dhënë apo theksuar identitetin uniat kësaj kishe e për ta justifikuar shkatërrimin e saj me kthimin në këtë identitet në thelb, është e njëjta histori me tentativën për t’i kthyer në kishë rrënojat e kishëxhamisë në kalanë e Shkodrës që bëri të revoltohet krejt komuniteti mysliman. Në fakt, nëse Kisha e Shën Thanasit paska qenë njëfarë kohe në shekullin XVII katolike e ritit bizantin, nuk mund të mohohet se ajo ka qenë edhe bizantine, edhe ortodokse në kohën e Perandorisë Osmane, edhe e varur nga kisha autoqefale ortodokse shqiptare deri kur është prishur nga komunistët.

Dhe vlerën historike duhet ta ketë e gjithë kjo histori e jo të instrumentalizohet historia e saj duke iu glorifikuar një moment katolik e duke iu harruar krejt historia tjetër, siç bënë nacional-katolikët tanë.

DËMI NË ASPEKTIN E TË DREJTAVE TË MINORITETEVE
Nuk ka pikë dyshimi se ky akt ndaj Kishës, për të cilin ka zëra që thonë se është thjesht një akt i lidhur me babëzinë e panginjshme për prona të deputetit të zonës, Koço Kokëdhima, vishet lehtësisht me një petk nacionalist në Dhërmi – duke ilustruar edhe një herë atë shprehjen “nacionalizmi është streha e fundit e horrave”, – pasi atje jeton një komunitet, i cili në pjesën më të madhe e konsideron veten minoritet grek.

Me këtë akt, direkt apo indirekt, këtij komuniteti i thuhet se ne shqiptarët këtë kishë, që ju e quani tuajën, domethënë greke, e shkatërrojmë sepse në fakt kjo është shqiptare, pasi në shekullin XVII atje është folur shqip dhe madje-madje ju në fakt nuk jeni tjetër veçse shqiptarë të greqizuar.

Mirëpo ka një princip, sipas të cilit identitetin etnik nuk ta përcakton ajo se çfarë ke qenë ti në shekullin XVII, por ajo se çfarë ndihesh dhe deklarohesh ti sot. Kjo e bën edhe më të rëndë incidentin, pasi ky komunitet, qoftë edhe vetëm një pjesë e banorëve të Himarës, ka gjithë të drejtat ta quajë veten të dhunuar dhe të diskriminuar nga qeveria shqiptare në ndjenjat e veta identitare e në të drejtat e veta fetare dhe gjuhësore.

Është pikërisht kjo gjë që ka shkaktuar ndërhyrjen e shtetit grek, duke krijuar një incident diplomatik goxha serioz dhe krejtësisht të panevojshëm. Në kontekstin e perspektivave europiane që kërkojmë të ndërtojmë për të ardhmen e rajonit, minoritetet duhet të jenë ura lidhëse midis vendeve dhe jo faktorë ndarës e armiqësimi. Prandaj të kryesh me kaq lehtësi një akt që armiqëson komunitetin etnik grek me atë shqiptar në ato zona, më duket një akt i papërgjegjshëm edhe sikur ky të kryhet nga individë, e jo më kur kryhet nga shteti.

Është edhe më e papërgjegjshme të ngulmosh në mbrojtjen e këtij akti duke instrumentalizuar pastaj ndjenja urrejtjeje nacionaliste antigreke ndër të gjithë shqiptarët apo duke e justifikuar këtë akt me racizmin ndaj shqiptarëve që kanë manifestuar grekët – siç bëjnë disa – apo me akte të papërgjegjshme shtetasish shqiptarë të etnisë greke që kanë ndodhur apo ndodhin në ato zona.

SI PËRFUNDIM
Ekzistenca e larmisë së objekteve të kultit në Shqipëri, si kisha ortodokse dhe katolike, xhami teqe apo e objekteve si kishëxhamija në kalanë e Shkodrës, janë simbol i historisë së të gjithë shtetasve shqiptarë në këto treva, të çdo etnie qofshin ata, janë një pasuri kulturore e të gjithëve që edhe vetëm me ekzistencën e tyre na mësojnë bashkë- jetesën midis të ndryshmëve.

Pikërisht për këtë ata nuk duhet kurrsesi të përdoren për interesa politike apo ekonomike, të bëhen instrument i një komuniteti që pandeh se është më i fuqishëm për të shembur simbolet e një komuniteti tjetër. Enver Hoxha këtë ka bërë gjoja në emër të shqiptarisë me pasojat që dihen.

Diskurset që justifikuan dhe nxitën prishjen e kishës janë marrë hua nga mendësia e asaj kohe. Edhe ideja se Europa na pranon më lehtësisht nëse bëhemi të krishterë apo katolikë është sa e rreme aq edhe kundër produktive. Në fakt, vlerat europiane të lirisë, demokracisë dhe shtetit të së drejtës që na mungojnë kanë të bëjnë pikërisht me mbetjen në trashëgiminë e shtetit autoritar e arrogant që u manifestua edhe me aktin e prishjes së asaj kishe.

Prandaj gjykoj se shteti shqiptar duhet t’i kërkojë ndjesë në emër të të gjithë shtetasve shqiptarë Kishës Ortodokse dhe komunitetit dhërmiot për atë aksion të shëmtuar që kreu dhe të ndërmarrë hapa të shpejtë për rindërtimin e Kishës së Shën Thanasit, duke i kthyer asaj bukurinë dhe historinë e vërtetë shumëshekullore.

Të gjitha të drejtat e këtij artikulli janë të www.panorama.com.al
Ndalohet rreptësisht riprodhimi i tij i paautorizuar

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura