Lufta Civile dhe komploti i historiografisë

Dec 22, 2016 | 11:27
SHPËRNDAJE

ABEDIN PREZA*

Pak kohë më parë, kur në një debat televiziv ku merrnin pjesë historianë besnikë të vijës së vjetër të historisë që mbronin tezën se në Shqipëri dhe në Itali nuk ka pasur një luftë të egër civile, dhe historianë të rinj që thoshin se edhe këtu te ne, ashtu si edhe në Itali lufta civile ka qenë shumë e ashpër, më solli në mend një debat që u bë disa vite më parë. Në emisionin “Porta a Porta” të Bruno Vespës, ndërmjet Fausto Bertinotit ish-president i partisë komuniste të rithemeluar dhe Giampaolo Pansa, autor i disa veprave mbi luftën civile në Itali që u bë gjatë viteve 1943- 1945.

lufta

Pansa, atëherë, kishte botuar esenë historike “Il Sangue dei vinti” (Gjaku i të mundurve) ku tregonte hollësisht krimet e tmerrshme komuniste që kishin si qëllim shfarosjen e të gjithë kundërshtarëve që nuk pranonin planin e tyre që ishte krijimi i një republike sovjetike si në Bashkimin Sovjetik. Para dokumenteve të pamohueshme të Pansas, Bertinoti që nuk pranonte ekzistencën e luftës civile në Itali, u ndodh keq dhe zgjodhi heshtjen përpara të vërtetave që nuk i mohonte dot.

Libri i Pansas tregon vrasje dhe krime të bëra nga partizanët komunistë para dhe pas 25 prillit l945, ditës së lirimit të Italisë. Pa asnjë gjyq, vriteshin fashistët kriminelë, por edhe ata që dyshoheshin se kishin qenë të tillë. Po ashtu masakroheshin edhe demokratë kundërshtarë të shquar të komunizmit, klerikë, çifligarë, industrialistë dhe njerëz të kulturës. Në tregimet thuhet se në mes të të vrarëve kishte persona përgjegjës për krime ushtarake dhe civile, por edhe persona që, ndonëse të lidhur me fashizmin, nuk kishin kryer krime.

Në mes të të vrarëve pa gjyq t’atyre ditëve ishin kryer edhe vrasje të ndryshme të partizanëve jo komunistë, si dhe të gazetarëve pse kishin shkruar për krimet, dhunën dhe keqtrajtimet e ushtruara në t’ashtuquajturin “Trekëndëshi i vdekjes” (zona ndërmjet Bolonjas, Ferrarës dhe Rexhio Emilias), ku prania e komunistëve ishte shumë e madhe.

Vrasje të shumta filluan menjëherë pas 25 prillit 1945, ditës së lirimit, edhe brenda të njëjtit grupim ushtarak (se formacionet luftarake të rezistencës italiane ishin formuar me partizanë të të gjitha partive politike, por shumicën dërrmuese e përbënin komunistët) të partizanëve jo komunistë veç e veç edhe në grupe nga partizanët komunistë, si dhe vrasje të shumë komandantëve ithtarë të partive jo komuniste, ose komandantëve komunistë që ishin kundër vrasjeve të të pafajshmëve, vrasje që kryheshin edhe prapa krahëve dhe më vonë sajonin lloj-lloj gënjeshtrash, në fillim për t’i mbuluar këto krime që pastaj të kalonin në harresë me kalimin e kohës.

Deri para pak kohësh, thoshte autori në një intervistë, të flisje për luftën civile nuk priteshe fort mirë, se duhej folur vetëm për lirimin e vendit, se lufta për lirimin e vendit ishte për komunistët vepër e komunistëve dhe e askujt tjetër. Ky libër, i pasur në dokumente, nuk është vetëm një tregim historish të tmerrshme dhe hakmarrjesh të mbuluara nga heshtja, por nxjerr në dritë edhe qëllimin e vërtetë të partisë komuniste italiane, më e forta dhe më e organizuara n’ato vite në Itali, që lirimi nga fashistët dhe pushtuesit gjermanë të ishte fillimi i revolucionit komunist që do ta bënte Italinë një shtet komunist.

Të vërtetat e treguara në këtë libër dhe në dy të tjerë që u botuan më vonë, u pritën me kritika shumë të ashpra nga e majta italiane dhe nga shoqata e veteranëve, si edhe me kërcënime e dhunë ndaj autorit, sepse nxorën në dritë të vërtetën lakuriqe të krimeve komuniste që deri n’atë kohë kishin arritur t’i fshihnin me atë që në Itali u quejt Komploti i madh i heshtjes mbi historiografinë, në sajë të të cilit kishin arritur, pas mbarimit të luftës, me veglat e tyre të shtrira në të gjithë burokracinë e shtetit italian, të mbanin të gjallë idetë komuniste dhe arritën deri aty sa në librat e historisë në shkollat italiane mos të flitej kurrë për krimet e komunizmit gjatë luftës, por vetëm për krimet e antikomunistëve që quheshin tradhtarë pse luftonin për një Itali të lirë dhe jo për një Itali që të kalonte nga diktatura fashiste në një diktaturë më t’ashpër, siç ishte diktatura e proletariatit.

Edhe tani që trashëgimia politike e partisë komuniste po shkon duke u shuar, gjallojnë të palëkundur në bindjet e tyre të më- parshme katedrat universitare me akademikët e vjetër, të kapuna nga komunistët që kalojnë nga babai te fëmijët, nga dajat te nipat, si edhe te trashëgimtarët e partisë komuniste që i kanë dhënë vetes të drejtën të gjykojnë vetëm ata mbi historinë e luftës, kurse çka shkruajnë historianët jo akademikë që me dokumente hedhin poshtë tezat e akademikëve të vjetër, këta i quajnë diletantë të historisë dhe përdorin çdo mjet që e vërteta e fshehun deri tani mos të dalë në dritë, sepse me daljen në dritë të kësaj të vërtete, shembet kulla e mashtrimeve.

Po të heqim fjalët Itali dhe italianë që janë shkruar më sipër dhe t’i zëvendësonin me fjalët Shqipëri dhe shqiptar, do të na dilte i qartë kuadri i krimeve komuniste në vendin tonë që filluan me vrasjen e Besnik Çanos dhe Qeramudin Sulos, dy djem universitarë që lanë studimet për të luftuar kundër fashizmit, por pse ishin të inkuadruar në radhët e Ballit Kombëtar, me tradhti, u rrëmbyen dhe u çuan në Pezë ku, pas torturave çnjerëzore, i vranë dhe kufomat i lanë pa varrosur mbi shtratin e një përroi, për të vazhduar pastaj, pa ndërprerje, gjatë gjithë viteve të sundimit komunist me shfarosjen me gjyqe dhe pa gjyqe të të gjithë atyre që i quanin të rrezikshëm për diktaturën, vrasje që nuk i prenë edhe kur regjimi i tyre po jepte shpirt, edhe atëherë do ta tregonin se cilët ishin komunistët duke varur dhe duke e lënë tri ditë të varur në sheshin e Kukësit poetin Havzi Nela, poetin që e varën pse në vargjet e poezive të tij u këndonte atdheut dhe lirisë.

Krimet e komunistëve gjatë luftës civile në Itali dhe komploti i heshtjes mbi historiografinë gjatë dhe pas luftës, janë të njëjtë me krimet e luftës civile dhe me komplotin mbi historiografinë gjatë dhe pas luftës te ne, sepse komunistët kudo që janë, të gjithë janë të njëllojtë, si në fanatizmin e tyre ndaj doktrinës komuniste që e quajnë të pakundërshtueshme dhe ai që guxon ta kundërshtojë quhet tradhtar, e pra, duhet zhdukur, si duke larë duart për të gjitha të zezave që bëjnë duke akuzuar të tjerët për to, si në akte terroriste që të ngjallin tmerr në popull, për të vazhduar pastaj me krimet në masë pa dallim armiq dhe jo armiq, që të arrijnë qëllimin e tyre që ishte vendosja e diktaturës komuniste sipas modelit të Bashkimit Sovjetik që fatkeqësisht u vendos në vendin tonë.

Ajo që ndodhi pas botimit në Itali të librit “Gjaku i të mundurve”, siç e thashë më sipër, ndodhi edhe këtu te ne, pasi Presidenti i Republikës u dha dekoratën e martirit secilit nga të 65 të rinjve ballistë të vrarë nga Mehmet Shehu. Nostalgjikët nxorën përsëri mllefin e viteve të sundimit komunist, ndërsa historianët e përligjën atë masakër duke deklaruar se ishte gjendje lufte, megjithëse e dinin mirë që robërit nuk vriten, dinë gjithashtu se edhe të dënuarit me vdekje, para ekzekutimit, kurrë ndonjëherë nuk janë zhveshur dhe nuk janë vënë lojë, siç veproi Mehmet Shehu sipas urdhrave të padronit jugosllav Dushan Mugosha.

Por thanë historianët e vjetër se ata nuk janë martirë. Fjala martir është një fjalë latine me prejardhje greke që e meriton kushdo që me ndërgjegje pranon torturat edhe vdekjen dhe nuk mohon idealin e tij. Martirë i quejti kisha, pas vdekjes së Krishtit, të gjithë ata besimtarë të krishterë që u sakrifikuan në mbrojtje të fesë së krishterë që ishte ideali i tyre. Edhe 65 ballistët e rinj atdhetarë myzeqarë, luftëtarë në radhët e Ballit Kombëtar, pranuan më mirë vdekjen sesa të mohonin idealin për të cilin kishin rrokur armët, në këmbim të faljes së jetës nga Mehmet Shehu.

Kjo është e vërteta që nuk duan ta njohin disa historianë dhe disa politikanë, por koha që nuk ndalet, i merr pas vetes të gjithë pa dallim, për t’u hapur vend brezave të rinj që duke pasë parasysh kriterin bazë të historisë që është e vërteta dhe vetëm e vërteta që e kanë mësuar në universitetet që kanë kryer, do ta pastrojnë historinë tonë nga të gjitha falsifikimet që i janë bërë asaj gjatë sundimit komunist dhe që fatkeqësisht vazhdojnë edhe sot.

*Përkthyes, gjuhëtar

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura