Lufta me korrupsionin, “betejë e pafituar”

Jul 30, 2024 | 7:38
SHPËRNDAJE

GËZIM TUSHIGËZIM TUSHI

Përveç arsyeve të brendshme “material” dhe “ekzistenciale që shfaqen si “botë e mbyllur” dhe “identitet më vete”, zgjerimi epidemik i korrupsionit në shoqërinë tonë ka edhe një shkak tjetër me natyrë socialpsikologjike, të cilin shpesh e neglizhojmë ose e anashkalojmë dhe rrallëherë e ndeshim në trajtesat mediatike, interpretimet politike e juridike. Së pari, unë jam i bindur se përhapja në përmasat e “kancerit” social dhe si një nga fenomenet më eruptive, është e lidhur me faktin se në këtë klimë “sunduese” korrupsioni edhe njeriu i zakonshëm fillon të infektohet, madje edhe të influencohet nga “vëzhgimi” i sjelljes së korruptuar të njerëzve që janë në pushtet apo kanë poste në administratën shtetërore dhe institucionet e jetës publike. Personalisht kjo tendencë që neglizhohet apo konsiderohet si “aspekt dytësor” është kthyer në element “molepsës”, që nxit mentalitetin vulgar, që pastaj shndërrohet në “helm social” dhe bëhet virus infektues toksik, duke e konsideruar korrupsionin si fait accompli ose si “rrugë e mundshme që mund dhe duhet përdoret për t’u pasuruar”. Kjo është arsyeja pse pa frikë mund të themi se lufta është e vështirë, pikërisht nga që korrupsioni po shfaqet gati si “ideologji e jetës së përditshme”. Kjo situatë kërkon një koncept të ri. Korrupsioni dhe të korruptuarit nuk duhen parë nga pikëpamja moralistike e optikat fetare, por me objektivitet ligjor si problem i ndërlikuar strukturor. Nëse nuk veprohet kështu, atëherë do vazhdojnë të krijohen situata sociale të paqarta, shpeshherë të vështira për të ndarë të vërtetën e veprimeve të korruptuara nga thashethemet, përshtypjet dhe vlerësimet subjektive.

Jemi në situatën kur nuk duhen shumë argumente për të bërë të vërtetë tezën, se me gjithë përpjekjet herë serioze e të qëndrueshme, herë sporadike dhe si “sulme në gjunjë”, lufta kundër korrupsionit në Shqipëri është “betejë e pafituar”. Kjo do të thotë nëse korrupsioni do vazhdojë të konceptohet, trajtohet apo luftohet nga politika dhe drejtësia si deri tani, duke e parë në pamjen e jashtme apo si problem social empirik i zakonshëm, i kuptueshëm e spontan që ka kapur vetëm disa njerëz të veçantë, problemi jo vetëm nuk do zgjidhet, por mund të ndërlikohet akoma më shumë.

Në këto kushte, është konditë sine qua non të organizojmë betejën e madhe për emancipimin qytetar të shoqërisë, e cila ka nevojë të besojë me shpirt se liria në këtë qytetërim nuk është kurrë e barabartë me korrupsionin, i cili është një nga shkaqet thelbësore të krijimit të kaosit social, i cili është bërë “kancer” i demokracisë dhe po dëmton rëndë cilësinë e ndërtimit civil, të qëndrueshëm të rendit të besueshëm qytetar. Ndikimi i përhapjes së korrupsionit me anë të “vëzhgimit qytetar”, është një sindromë që nuk na lë ta sulmojmë atë qytetarisht, por përkundrazi ndikon në krijimin e një lloj klime familjarizuese, bashkëjetese të detyruar me këtë të keqe të madhe sociale.

Unë mendoj se duhet vlerësuar momenti, sepse koha as nuk pret, nuk e duron ngadalësinë e luftës me këtë patologji sociale, e cila nëse nuk sulmohet frontalisht, ka rrezik të bëhet “normë” e pranuar në heshtje si modus viventi i pashmangshëm në jetën e përditshme. Madje, është krijuar një lloj fataliteti, për shkak të zgjerimit të korrupsionit nga njëra anë dhe “luftës në gjunjë” që zhvillohet kundra tij. Madje në “eter” ndihet një lloj konformizmi social, pajtueshmërie në heshtje, duke u bazuar në sintagmën degraduese se “të shmangësh korrupsionin do të thotë të shmangësh jetën e përditshme”. Kjo jo vetëm është ide shumë e deformuar dhe shumë e frikshme, e vështirë për ta përballuar.

Në betejën me korrupsionin janë disa faktorë me aftësi të gjëra disiplinuese e ndëshkuese që kërkojnë më shumë ligje precize, rregullore të qarta e sanksione të patolerueshme. Doemos edhe media ka rolin e vet të pazëvendësueshëm, sepse ajo ka fuqinë e ndërgjegjësimit të opinionit publik, për krijimin e konsensusit shoqëror për efektet shkatërruese të korrupsionit dhe nevojën imediate për demaskimin e të korruptuarve. Sociologët e medias mendojnë se akoma më mirë dhe më shumë, media duhet të mësojë t’i “fryjë bilbilit” kundër korrupsionit dhe njerëzve të korruptuar. Sepse duke vepruar kështu, kthehet në faktor, që ka aftësi të gjëra të ndihmojë në krijimin e “konsensusit shoqëror” për të perceptuar publiku atë që quhet dhe që është korrupsion “fryjë bilbilit” kundër korrupsionit dhe njerëzve të korruptuar. Sepse duke vepruar kështu, kthehet në faktor, që ka aftësi të gjëra të ndihmojë në krijimin e “konsensusit shoqëror” për të perceptuar publiku atë që quhet dhe që është korrupsion.

Për të kuptuar situatën dhe nivelin e korrupsionit, në kushtet kur ai dhe të korruptuarit përpiqen të bëhet të “padukshëm”, sot janë dy burime më të sigurta gjykata dhe media, ndjekja me vigjilencë e informacionit që qarkullon nëpërmjet tyre. Një gjë duket qartë dhe është bërë problematike në perceptim dhe reagimin publik, politik e juridik. Koha kërkon jo justifikime e argumente të alambikuara justifikuese për korrupsionin në Shqipëri. T’i lëmë llafet e kota dhe justifikimet zbutëse. Sepse praktikisht, për fat të keq janë tejet shqetësuese përmasat e shfaqjes, intensiteti përfshirjes së njerëzve të pushtetshëm, politikanë e njerëz publikë, të cilët me qëllim kanë harruar maksimën e vjetër filozofike e morale të artikuluar shekuj më parë nga filozofi John Stuart Mill, sipas të cilit, “njeriu me post publik është i detyruar dhe duhet të kontrollojë vetveten”. Sepse te njerëzit e pushtetshëm ka një rrethanë të vërtetuar katërcipërisht, që midis njeriut dhe tundimit korruptiv ekziston një betejë e gjatë e përjetshme sociale dhe individuale.

Tani është koha e duhur kur duhet goditje e fortë kundër korrupsionit dhe njerëzve të korruptuar. Vetëm miopët mund të mos dallojnë përmasat e tij shqetësuese. Goditja nuk mjafton të jetë juridike e materiale. Kjo po e po, por duhet sulmuar ideja e përhapur, që shpesh duket sikur favorizon dhe mbështet “epërsinë morale” të njerëzve të korruptuar.

A mund të luftohet dhe të fitohet beteja me korrupsionin dhe të korruptuarit?

Duke vlerësuar shkaqet e kësaj të keqeje sociale sikurse është korrupsioni, është imperative që të forcohet beteja me të. Por kjo jo me falsitet, që është i neveritshëm apo me hipokrizi të urrejtshme që përdoret për të “hipnotizuar” njerëzit me realitete iluzive.

Së pari, duhet kuptuar dhe pranuar, se korrupsioni nuk është “pasojë e një shkaku” por e një numri shkaqesh të sinetizuara me natyrë ekonomike, ligjore, sociale e materiale që plotësojnë njëra-tjetrën. Që herë janë të dukshme dhe evidente për t’u dalluar e herë latente e të padukshme, direkte apo indirekte. Unë mendoj se korrupsioni nuk mund të luftohet, nëse lufta është e orientuar kundrejt krimit të rrugës dhe atij ordiner dhe nuk merremi me krimin e njerëzve të “jakave të bardha” të politikës apo administratës së shtetit. Padyshim edhe nëse forcohet më shumë kontrolli mbi politikanët dhe punonjësit e administratës.

Por nga ana tjetër, duhet rritur “çmimi”, “kostoja” që duhet të paguajnë të korruptuarit. Kjo kërkon shtimin dhe përcaktimin e saktë e të qartë të sanksioneve ndëshkuese. Mbi të gjitha, duhet goditur pa mëshirë ideja e shëmtuar qarkulluese që është dominante, jo vetëm te njerëzit e pushtetshëm, por edhe te njeriu i zakonshëm, i cili paradoksalisht mendon se korrupsioni është fenomen i rastësishëm, i lidhur nominalisht me njerëz të veçantë të politikës apo administratës, apo akoma më keq gjykimi idiot sipas të cilit “korrupsioni është pjesë e funksionimit të modelit të ekonomisë së tregut”.

Nëse do të bënim një trajtim të sintetizuar të situatës së korrupsionit, atëherë duhet të themi, se nëse ai do vazhdojë të trajtohet si deri tani nga politika e drejtësia, duke e katandisur në përmasat e thjeshtëzuara të fenomenit empirik, si ngjarje spontane që ka përfshirë njerëz të veçantë, ai as do mund të mposhtet as do zgjidhet. Sepse jemi në situatë kruciale, kur sikurse shihet për nga gjerësia, shtrirja dhe intensiteti me të cilin shfaqet, korrupsioni është kthyer në “ideologji të jetës së përditshme”.

Pse duhet thelluar dhe intensifikuar lufta komplekse kundër korrupsionit dhe politikanëve dhe nëpunësve të korruptuar në Shqipëri? Janë të shumta arsyet me natyrë politike, psikologjike, material e morale. Por, kryesore është se niveli i korrupsionit ka qenë dhe mbetet një nga faktorët dhe shkaqet që ka dalë si pengesë thelbësore në rrugën e zhvillimit ekonomik. Jo vetëm kaq, por ajo që është akoma më shqetësuese lidhet me faktin se korrupsioni ndikon për keq dhe cenon efektet e politikave publike.

Nuk mund të mohojmë se në Shqipëri nuk është luftuar kundër korrupsionit. Me të gjitha mjetet e mundshme ligjore, juridike, shtetërore, policore, mediatike e kulturore. E megjithatë, rezultatet nuk kanë qenë aq të kënaqshme sa duhet, apo sa janë pritmëritë e publikut. Nëse do t’i bënim një vlerësim sintetik betejës së zhvilluar kundër korrupsionit në Shqipëri, mendoj se janë disa karakteristika tipike që kanë ndikuar në “abortimin” e kësaj lufte, duke e bërë betejën e korrupsionit të vështirë për ta fituar. Personalisht mendoj se janë disa karakteristika e tipare të kësaj lufte, që kanë penguar në arritjen e rezultateve të pritshme apo të premtuara nga politika. Kjo luftë është bërë shpeshherë me fushata, nën ndikimin e sensibiliteteve rastësore publike apo mediatike. Në përgjithësi ka munguar thellësia, qëndrueshmëria e aksionit antikorrupsion, duke bërë atë një veprimtari me frekuenca të shkëputura, me prirje të trajtimit sipërfaqësor të madhësisë, intensitetit të korrupsionit dhe njerëzve të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Dhe ajo që është më e rëndësishme, shpesh lufta kalon “tangent” rrënjëve të vërteta të problemit të korrupsionit. Padyshim në arsenalin e mjeteve të luftës kundër korrupsionit, një rol prioritar ka media investigative dhe “gazetaria hetuese”. Së bashku me opinionin publik, sepse është e njohur praktika e mirë sociale, sipas të cilës kur ka opinion publik të fortë, e ka të vështirë të mbrohet i korruptuari dhe të mbulohet hajdutëria. Sepse sikurse dihet, ekzistenca dhe zhvillimi galopant i korrupsionit përveç të tjerash, flasin për mos funksionimin ose funksionimin e keq të reagimit social dhe kundërshtimit të vendosur qytetar të opinionit publik të shoqërisë. Sociologët dhe psikologët mendojnë se korrupsioni është “formë sjelljeje” e paparashikueshme edhe pse gjuha e korrupsionit, sinjalet gjuhësore që përdorin të korruptuarit janë tejet të sofistikuara. Por ato janë veprime të cilat i kanë të qarta, të kuptueshme “domethëniet korruptive”. Korrupsioni dhe të korruptuarit kanë aftësi të veçanta, mjeshtëri sui generis për të ndjerë, kuptuar dhe penetruar nëpër vakumet ligjore apo mangësitë e legjislacionit jo adekuat. Kjo duhet kuptuar mirë dhe duhen marrë masa, për të mos lejuar vakume spekulative në legjislacion, sepse sikurse dihet korrupsioni ka aftësi të veçanta për të spekuluar me “natyrën e turbullt” të ligjeve. Unë mendoj se nga mënyra si zhvillohet lufta, ka disa mangësi thelbësore në betejën me korrupsionin, i cili është një nga krimet që përpiqet të fshihet, të mbulohet nga “sekreti veprimit korruptiv”. Shumë pak, për të mos thënë fare pak gjendet i regjistruar në statistika zyrtare masa e madhe e veprimeve korruptive në politikë, administratë, ekonomi, media, gjyqësor, arsim, shëndetësi, etj.. Vetëm kohët e fundit, pas daljes në skenë të SPAKut, ka filluar të bëhet viziv, realitet i vërtetë lufta kundër korrupsionit. Unë besoj se veprimtaria e SPAKU-t, që nuk duhet të mbetet “aktor i izoluar” apo faktori i vetëm në këtë betejë, i cili të paktën aktualisht ka meritën e madhe sepse po thyen mitin dhe perceptimin e “natyrës së butë” të shtetit përballë shkeljeve ligjore, veprimeve arbitrare e korruptive. Ajo që po presin qytetarët nga kjo luftë strukturore e SPAK-ut dhe institucioneve të tjera komplementare të drejtësisë, është të korrigjohen dëmet e mëdha që korrupsioni i ka sjellë shoqërisë, të forcohet perceptimi publik se qeveria dhe drejtësia do t’i zbatojnë ligjet në mënyrë të plotë, të barabartë duke thyer imazhin e dikurshëm se ato kanë qenë pushtete që kanë “mbrojtur të fortët”.

Beteja që ka filluar besoj se do të ndihmojë të bëhen hapat e duhura të përmirësimit të qëndrimit deontologjik të politikanëve dhe nëpunësve të lartë të shtetit, për të kuptuar njëherë e mirë kufirin që ndan paprekshmërinë e financave publike nga ato private, të ardhurat e ligjshme të tyre. Gjithashtu këto kohët e fundit mbase edhe nga frika, (një mjet i nevojshëm në këtë betejë) tek politikanët dhe nëpunësit, do krijohet ideja normale qoftë në mënyrë të ndërgjegjshme apo me “dhunë ligjore”, se posti publik nuk mënyra e duhur, as ligjshme për t’u pasuruar. Përkundrazi ajo është krejt kriminale. Padyshim është e shpjegueshme një tendencë zmadhimi dhe hipertrofizimi të rolit dhe pritmërive që kanë qytetarët nga SPAK-u. Por gjërat duhet vlerësuar me masë dhe secili aktor i përfshirë në betejën me korrupsionin duhet të “luajë rolin”, të mbajë përgjegjësitë e veta ligjore. Unë mendoj se përpara veprimeve të pavarura të drejtësisë, duhet forcuar shteti dhe pushteti i tij, si instrumenti i kontrollit dhe vënies para përgjegjësisë të punonjësve publikë të korruptuar, që i shmangen apo shkelin normat ligjore. Padyshim, jemi në një situatë kur është zgjeruar sensibiliteti politik dhe publik në këtë luftë. Asnjëherë më parë se sa sot shoqëria shqiptare nuk ka qenë kaq “reaktive”. Pikërisht tani jemi në fazën e reagimit të fortë publik kundër korrupsionit dhe të korruptuarve. Urrejtja sociale dhe publike ndaj tyre nuk është reagim instiktiv e inatçor, por qëndrim i pjekur që tregon se shqiptarët si qytetarë janë të bindur se korrupsioni është pengesë më serioze e zhvillimit ekonomik që kërkon koha, dinamikat e zhvillimit. Një gjë është e sigurt: Korrupsioni nuk luftohet me fjalë dhe hipokrizi por me vendosmëri…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura