Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Koçijançiç, thotë se deklaratat e partive politike që vënë në dyshim integritetin e përfaqësuesit të Bashkimit Evropian në Tiranë janë të papranueshme.
Sipas saj, deklaratat dhe veprimet e përfaqësuesve të BE-së përfaqësojnë pikëpamjet e Bashkimit Evropian, ndërsa e vlerëson të shkëlqyer punën e ambasadorit, Luigi Soreca.
Presidenti i Republikës, Ilir Meta akuzoi pak ditë më parë ambasadorin Soreca se është përgjegjës për situatën me Gjykatën Kushtetuese.
Reagimi i plotë:
“Deklaratat e përfaqësuesve të autoriteteve shqiptare dhe partive politike që vënë në dyshim integritetin e bashkësisë diplomatike të Bashkimit Evropian në Tiranë për qëndrime të shprehura në cilësinë e tyre institucionale janë krejtësisht të papranueshme.
Deklaratat dhe veprimet e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian përfaqësojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e BE-së. Ne përsërisim mbështetjen tonë të plotë për punën e shkëlqyer që Ambasadori i BE-së dhe Delegacioni i BE-së po bëjnë për ta sjellë vendin më pranë Bashkimit Evropian.
Bashkimi Evropian, të gjithë përfaqësuesit e tij dhe vendet anëtare po punojnë për t’i mbështetur në mënyrë efektive përpjekjet e Shqipërisë për t’i çuar përpara reformat thelbësore në dobi të qytetarëve shqiptarë.
Ne besojmë se respekti dhe bashkëpunimi është i garantuar nga të gjithë aktorët në vend, me qëllim promovimin e partneritetit tonë me Shqipërinë”.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al