“Majorka nuk është për shitje”

Jul 27, 2024 | 8:30
SHPËRNDAJE

Anet wolterNGA ANETA WOLTER 

Kjo ishte motoja e protestës së radhës në Spanjë. Por, pse po protestojnë spanjollët prej muajsh kaq ashpër dhe kaq të vendosur kundër turizmit masiv? Mendoj se Shqipëria, me futjen në hartën e turizmit dhe si një vend ende me pak përvojë në këtë sektor, duhet të jetë e vëmendshme ndaj asaj që po ndodh në Spanjën me përvojë mbi 100-vjeçare në turizëm – për të mësuar nga përvojat dhe gabimet e tyre.

Së pari, disa të dhëna statistikore mbi turizmin në Spanjë: Më shumë se 85 milionë turistë nga jashtë erdhën në Spanjën me rreth 47 milionë banorë vitin e kaluar, sipas Institutit të Statistikave të Spanjës (INE) – më shumë se kurrë më parë. Këtë vit, ekspertët presin edhe më shumë vizitorë ndërkombëtarë. Oferta e fluturimeve është rritur me 16 për qind brenda një viti. Edhe këtë verë ka përsëri fluturime direkte nga Nju Jorku në Palma. Por anglezët, gjermanët dhe francezët mbeten ende turistët më të shumtë në Spanjë. Veçanërisht ishujt Baleare dhe sidomos Majorka, me vetëm 1,2 milionë banorë vendës, ka pritur vitin e kaluar rreth 18 milionë turistë, nga këta 4,6 milionë vetëm nga ne, nga Gjermania. Ndërkohë që 2,5 milionë spanjollë janë të punësuar në sektorin e turizmit, të ardhurat nga turizmi përbëjnë rreth 13% të Produktit të Brendshëm Bruto të Spanjës, duke e renditur atë të nëntën në radhë për varësinë nga turizmi, varësi ekonomike e cila duhet pakësuar, sipas premtimeve të qeverisë.

Spanja mbetet një vend turistik shumë i dashur brenda dhe jashtë Evropës dhe spanjollët janë miqësorë me vizitorët. Spanja i afron të dyja llojet e turizmit: atë masiv dhe turizmin e luksit, i cili është në lulëzim sidomos në ishujt Baleare. Por të dyja format sjellin jo pak sfida për spanjollët. Të tilla janë: varësia ekonomike nga turizmi, i cili është sezonal dhe ka rroga të ulëta, kostot e konsumimit dhe të mirëmbajtjes së infrastrukturës, plazhet e mbipopulluara, mbetjet e shumta, shpërngulja e vendësve, humbja e identitetit kulturor vendas, trafiku i mbingarkuar.

Por dy prej tyre janë për vendësit më të mprehtat – mjedisi dhe cilësia e jetës së përditshme.

Konkretisht:

-Ndikimet mjedisore: Ndërtimi i hoteleve, komplekseve turistike dhe objekteve të tjera turistike çon në shkatërrimin e peizazheve natyrore dhe ekosistemeve. Ndërkohë që konsumi i lartë i ujit dhe energjisë në zonat turistike shkakton mungesa të këtyre burimeve dhe probleme mjedisore për banorët. Siç thotë gjeografi Celso Garcia nga Universiteti i Baleareve, shumë hotele me pesë yje janë hapur gjatë viteve të fundit. Dhe kjo po bëhet gjithnjë e më shumë një problem për ishullin. Ai bën kërkime për përdorimin e ujit në Majorka dhe ka zbuluar: Në disa komuna, turizmi konsumon deri në 65 për qind të ujit të disponueshëm. Konsumi varet nga kategoria e hotelit. Në një hotel me tre deri në katër yje, një mysafir ka nevojë statistike për rreth 275 deri në 300 litra ujë në ditë. Në një hotel me pesë yje me kopsht të madh dhe spa, në të kundërt, 600 deri në 800 litra. Në disa zona të shtëpive të pushimeve, një person përdor më shumë se 2.000 litra në ditë.

-Mungesa e banesave dhe rritja e qirave: Shumë banesa jepen me qira si shtëpi pushimi, gjë që zvogëlon disponueshmërinë e banesave për vendësit dhe rrit çmimet e qirave. Përveç kësaj, rritja e çmimeve të pasurive të paluajtshme për shkak të blerjeve nga investitorë të huaj dhe turistë e bën më të vështirë për vendësit të gjejnë banesa të përballueshme. “Investitorë të huaj dhe turistët e luksit janë duke blerë lagje të tëra, të cilat i japin me qira me dyfishin e çmimit të parablerjes. Kjo e vështirëson tmerrësisht gjetjen e një dhome apo banese të pagueshme për vendasit apo studentët”, – dëgjon shpesh. Në Majorka dhe Ibiza disa njerëz jetojnë bile edhe në karvanë. Ata tregojnë se me 600 euro pension në muaj nuk mund të paguajnë më një banesë. “Luksi juaj është mjerimi ynë”, – shkruhej në një pllakate ne protesta. Mijëra banorë vendës në protestat e tyre kërkojnë qartë një politikë turistike të qëndrueshme dhe të ekuilibruar, që merr parasysh me prioritet nevojat e popullsisë vendase dhe mbrojtjen e mjedisit. Vlen të theksohet që qeveria qendrore, por edhe ato lokale bien dakord me shqetësimet e banorëve dhe kanë premtuar të marrin masa të guximshme të nevojshme, të cilat sipas tyre do të jenë të dukshme pas disa muajsh. Siç thekson zv.kryeministri i vendit, ne duhet të vendosim kufij dhe të largohemi nga ideja e turizmit “vetëm në rritje”. Njerëzit në ishujt Baleare, Kanare, apo në Barcelonë janë të durueshëm, por tani ata po fillojnë të organizohen.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura