Më mirë të më kishin vrarë, sesa të më kishin djegur punët”. Ky është mendimi që e ka shoqëruar gjithë jetën artistin Maks Velo.
Por ai është i ndërgjegjshëm se në kohën kur Mehmet Shehu deklaronte “Asgjë personale në art”, ishte e pamundur të krijoje i lirë. “As fëmija yt s’është më personal se arti yt”, thotë Velo. Por sot, këtë art personal, ai do t’ua dhurojë të gjithëve. “Unë në shtëpi ruaj një dokument shumë të rëndë, edhe pse është vetëm dy fletë, ai është procesverbali që shteti komunist më ka konfiskuar veprat.
Babai, para se të vdiste, e kishte ngjitur në albumin e shtëpisë dhe kur dola nga burgu e gjeta. Është shumë simbolike dhe me shumë rëndësi. Tani janë dy dokumente, ai i konfiskimit dhe djegies dhe ky i dhurimit”. Për artistin Maks Velo që ka provuar magjinë e krijimit dhe dhimbjen e shkatërrimit, është një ditë e veçantë: i dhuron Galerisë Kombëtare të Arteve 54 vepra.
Në mbyllje të ekspozitës së tij personale në GKA, u zhvillua një ceremoni dhurimi, ku mori pjesë edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. “Javën e kaluar Maks Velo i dhuroi një pjesë të mirë të arkivave të tij, që kanë të bëjnë me arkitekturën, Institutit të Monumenteve të Kulturës. Maks Velo, si me jetën dhe me veprën e tij është një copëz historie e historisë së arkitekturës shqiptare në shumë dimensione.
Sot jemi këtu për një tjetër akt shumë të rëndësishëm, sepse Maks Velo i dhuron Galerisë së Arteve një pjesë të rëndësishme të veprës së tij artistike. Kam kënaqësinë të them se ky nuk është thjesht një gjest bujarie, por është një akt qytetar dhe një qëndrim i artistit ndaj trashëgimisë kulturore dhe ndaj kulturës së ardhshme në të njëjtën kohë”, tha Kumbaro.
VEPRAT E DHURUARA
Mes veprave të dhuruara, 10 syresh i përkasin ekspozitës që u hap më 10 shtator në GKA, ndërsa 44 të tjera ishin pjesë e fondit privat të artistit, kryesisht vizatime nga arkitektura karakteristike e qyteteve shqiptare. Ndër to: “Selvitë”, “Nudo në dritare”, “Tre shenjëza”, “Jeniçerë, “Çifti lab”, “Gjirokastra”, “Rrugë në Tiranë”, etj. Për drejtorin e Galerisë Kombëtare, Artan Shabani, veprat e dhuruara janë një vlerë kulturore artistike e shtuar në fondin e GKA-së.
“Sot është një ditë feste për kulturën shqiptare, sepse një akt i tillë i një artisti shqiptar që dhuron kaq shumë vepra nga koleksioni i tij, nuk ka ndodhur më parë në memorien e këtij institucioni. Këto vepra do të jenë për të gjitha gjeneratat, sidomos për brezat e rinj që kanë nevojë për një ndjenjë dashurie, sepse arti pa dashuri nuk mund të komunikojë drejtpërdrejt”, tha Shabani. Një moment po aq i veçantë është edhe për studiuesen Suzana Varvarica Kuka, e cila ka meritën e kurimit të ekspozitës së Maks Velos, të parës në GKA, që ka përzgjedhur me durim ato vepra që do e shpalosnin të plotë portretin e artistit.
“Këto vepra nuk janë thjesht një dhurim ndaj arkivave të shtetit, por ato janë dhuratë për studiueset, historianët e artit, të cilët kanë mundësi për ta njohur më mirë krijimtarinë tuaj”, iu drejtua ajo artistit. Si gjithnjë një shpirt i lirë, kundër çdo diktature, Maks Velo dëshiron të bëjë të kundërtën e asaj që regjimi komunist ka bërë me veprën e tiu. Ndërsa regjimi i hidhte veprat e artit në “turrën e druve”, ai dëshiron t’ua dhurojë ato brezave që vijnë.
E duke kujtuar atë procesverbal të tmerrshëm të konfiskimit dhe djegies së veprave të tij, ai thotë: Tani janë dy dokumente, ai i konfiskimit dhe djegies dhe ky i dhurimit, ku ka disa edhe nga ato që më janë djegur të cilat i kam ribërë. Pra ne kemi kaluar në ekstreme, në urrejtje të pallogaritshme ndaj artistëve. Kjo është një gjë monstruoze. Në fakt, akti im është e kundërta e asaj që bëri shteti atëherë. Ka rëndësi që ne të kultivojmë këtë ndjenjën e dhurimit ndaj shtetit, e njohur në të gjithë botën. Sot janë koleksionistët ata që i mbledhin e i koleksionojnë, pastaj vjen një moment që gjërat të ruhen, t’i shërbejnë shoqërisë dhe për këtë, vend më të mire se arkivat e shtetit nuk ka”, u shpreh Velo.
ALMA MILE
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al