Malaj, anëtar i Këshillit Mbikëqyrës me 107 vota

Jul 22, 2016 | 8:20
SHPËRNDAJE

Arben Malaj është anëtari i ri i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Kuvendi miratoi mbrëmjen e djeshme edhe kandidaturën e Arben Malajt si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.

Arben-Malaj

Votimi i projektvendimit “Për zgjedhjen Arben Malajt anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë” u votua me 107 vota pro, asnjë votë kundër dhe abstenim. Ish-deputeti socialist, njëkohësisht edhe ish-ministri i Financave, Arben Malaj, u propozua për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës në Bankën e Shqipërisë nga disa deputetë të PS-së.

Ai do të zëvendësojë në këtë post Ermelinda Meksin, e cila ka dhënë dorëheqjen në muajin shkurt të këtij viti. Gjatë raportimit dy ditë më parë në Komisionin e Ekonomisë, Arben Malaj vlerësoi se rritja e konsumit mund të vijë nga rritja e të ardhurave dhe kreditimi.

“Ne kemi një politikë monetare që ka ende dhe pak hapësirë për t’u përdorur për lehtësimin e konsumit e investimeve. Jam dakord që nuk ka mbërritur ende tek ekonomia reale plotësisht. Sipas BSH-së, shenjat kanë filluar. Edhe unë do të dëshiroja që të kishim një konsum më të madh, por ai të vinte kryesisht nga rritja e të ardhurave dhe rritja e kredisë. Kontaktet me Këshillin Mbikëqyrës dhe administratorët e BSH-së të mos jenë vetëm për raportet e detyrueshme vjetore, por edhe për çështje specifike, për të gjetur opsionet më të mira për kontributin në ekonomi”, pohoi Malaj.

MARRËVESHJA E KARPENIT

Kuvendi mbrëmjen e djeshme miratoi edhe marrëveshjen për ndërtimin e portit në Karpen. Miratimi i marrëveshjes i hap rrugë fillimit të negocimeve për hartimin e kontratës. Projekti për ndërtimin e Portit të Karpenit u prezantua në Kuvend nga ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi.

Ministrja e Ekonomisë e cilësoi një investim strategjik me vlerë 5 miliardë dollarë, nga i cili pritet të krijohen mbi 62 mijë vende të reja pune. “‘Projekti Morgan’ është një projekt-propozim i pa kërkuar për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe menaxhimin e një porti në Karpen, zonës mbështetëse të portit dhe asaj ekonomike, i paraqitur nga ‘Star Bridge Port Developments Limited’ dhe ‘Star Bridge’ është një subjekt për qëllime të veçanta, i regjistruar në Angli. Kemi të bëjmë me një propozim të iniciuar nga vetë investitorët”, tha Ekonomi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura