Manjani: Mjekësia Ligjore të shmangë zhvarrimet. Zbardhni shkaqet e çdo vdekjeje

Dec 18, 2015 | 14:02
SHPËRNDAJE

Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, paralajmëroi dje ndryshime në ligjin për Mjekësinë Ligjore.

Ndryshimet do të kenë si synim detyrimin e Institutit të Mjekësisë Ligjore të konfirmojë shkakun e vdekjes për këdo që ndërron jetë në spitale apo burgje. Sipas ministrit, kjo do të shmangë rastet kur gjykata vendos zhvarrimin e një personi për të përcaktuar arsyet e vdekjes pas ndarjes nga jeta të personit.

Ylli Manjani
Ylli Manjani
Gjatë një takimi me drejtues dhe stafin e ekspertëve të Institutit të Mjekësisë Ligjore, ministri i Drejtësisë shprehu interesin për rritjen e transparencës në shërbimin e tyre. Duke e konsideruar Institutin e Mjekësisë Ligjore si “institutin e së vërtetës”, Manjani tha se ishte i gatshëm që të propozojë ndryshime ligjore. “Jam i gatshëm që të propozoj ndryshime ligjore, që për çdo pacient që merr trajtim spitalor dhe gjendet në kushtet e ndërrimit të jetës, Instituti i Mjekë- sisë Ligjore të japë një arsye”, u shpreh ministri.

PËRMIRËSIMET Para ekspertëve të IML-së, Manjani tha se qëllimi është sqarimi i familjarëve, të jepet arsyeja e vërtetë se përse ka ardhur vdekja e të afërmit të tyre. Ministri nënvizoi faktin se nuk mund të legjitimohen procedurat gjyqësore për zhvarrim të personave për qëllim të zbardhjes së shkakut të vdekjes.

“Jo vetëm në spital, por kushdo që gjendet në një institucion publik dhe ndërron jetë, ligji do të bëhet që Instituti i Mjekësisë Ligjore të ketë mundësinë, madje do të thosha detyrimin që të konfirmojë apo të japë të vërtetën e shkakut të vdekjes.

Duhet ta bëjmë këtë, sepse është e pamundur që ne të legjitimojmë procedurat ligjore gjyqësore, siç është zhvarrimi për arsyet e gjetjes së të vërtetës. Kushdo që merr trajtim spitalor dhe vdes në spital, në burg apo kudo ku ka trajtim publik, duhet që Instituti i Mjekësisë Ligjore të ketë detyrimin ligjor të konfirmojë apo saktësojë arsyen e vdekjes”, vijoi Manjani. Duke evidentuar edhe emocionet e shumta njerëzore që “përplasen” te stafi i IML-së, Manjani tha se “jemi të detyruar që të jemi të ftohtë, të jemi profesionistë dhe korrektë”.

MIJËRA AKTE Gjatë periudhës shtator 2013-korrik 2015, IML-ja ka përpiluar një total prej 25.872 aktesh ekspertimi, ku përfshihen akt-ekspertime ligjore mjekësore, psikiatrike, toksikologjike, biologjike, si dhe vizita ambulatore. Përmes tyre u është dhënë përgjigje kërkesave të Prokurorisë, Policisë Gjyqësore, Gjykatës dhe Avokatit të Popullit. IML-ja është i vetmi institucion që në veprimtarinë e tij përfshin përgatitjen e akteve mjekoligjore që kërkohen nga këto institucione.

ARMAND BAJRAMI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura