Manushaqe Shehu- Këshilltarja ushtarake e Presidentit

May 2, 2011 | 14:26
SHPËRNDAJE

Kolonele Manushaqe Shehu, këshilltarja Ushtarake e Presidentit të Republikës, Bamir Topi, tregon gjithë rrugën që i është dashur të përshkojë përpara se të meritonte këtë status. Orët që u ka ‘vjedhur’ fëmijëve për të kapërcyer hap pas hapi gradat ushtarake. E tani, megjithëse dëshirat i ka arritur, orët e lira mbeten  ende të numëruara

Përpara se të takosh një të panjohur, të vijnë gjithnjë parafytyrime. Ndonjëherë qëllon në shenjë, të shumta janë të tjerat që dështon. Ky rast përkon me variantin e dytë. Megjithatë… cilindo të pyesësh, profesioni i ushtarakut e konturon në imagjinatë imazhin e një njeriu të rëndë, deri diku të ashpër (cilësim prej të cilit mund të jetë shumë larg), fjalëprerë. Përcaktimet përkojnë në të shumtën e rasteve me figurën mashkullore, por në rastin e femrave që kanë profesionin e ushtarakes, sikur dyzohen, nuk di më secilës ç’kuptim t’i japësh. Vetëm se pritshmëria nuk ndryshon, do të gjesh diku, në një zyrë, një femër me zë të plotë, gjeste të rënda, me buzëqeshjen që, prej vitesh diku mund ta ketë harruar… Jua merr mendja që dështuam në parafytyrim, ndryshe nuk do ishte kjo hyrje e gjatë. Kolonele Manushaqe Shehu, këshilltarja ushtarake e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, ishte krejt tjetër gjë. Mund të kenë qenë fare të pakta momentet kur Manushaqja nuk kishte një buzëqeshje të madhe mikpritëse në fytyrë. Të folurën e qetë, zërin e veshur pabesueshmërisht (për shkak të profesionit) me brishtësi. Veshja civile, edhe pse kostumi kishte krejt ngjyrën ushtarake, ishte në favor të një imazhi si të tjerët. Por, po të hidhje sytë përqark në zyrën e Manushaqes në Presidencë, qëndrojnë të varur në mbajtësen e rrobave dy veshje ushtarake, për çdo rast. “Jam mësuar që të qëndroj me veshje ushtarake, edhe pse tashmë më pëlqen, por kur më duhet të lëviz në takime jashtë institucionit, duhet të jem e veshur civile”. Edhe pse, të jeni të bindur se veshja asgjë nuk do ndryshonte në pamjen e jashtme të kolonele Manushaqe Shehut. Më vonë, në bisedë, kuptuam se nuk ishte krejt e rastësishme. Ishte e rëndësishme gjithëherët për të, që, pavarësisht profesionit, femra ta ruajë në vete brishtësinë që i është dhuruar nga natyra….
Çfarë e bën një femër të zgjedhë Akademinë Ushtarake si profesionin e saj të ardhshëm, meqenëse nuk është një zgjedhje e shpeshtë, e në kohën tuaj ka qenë edhe më e rrallë?
Sot, këto zgjedhje janë të lira, por në kohën kur unë kam shënuar preferencat e mia të degëve, zgjedhja ngelej në duar të të tjerëve. Ajo ç’ka doja ka qenë mjekësia, por pastaj më vendosën në Shkollën e Lartë të Bashkuar. Nga ana tjetër, im atë ka qenë ushtarak, pra isha rritur me të tillë frymë në familje dhe nuk m’u duk krejt e huaj kjo degë.
Megjithatë, nga parafytyrimet, të qenit brenda kam përshtypjen se ndryshon…
Së tepërmi. Kohët e para i kujtoj shumë të vështira, shkolla ishte mjaft delikate. Vështirësia e parë niste që nga ndryshimi i së përditshmes, kur nuk duhet të visheshe më civile, por me rroba ushtarake. Imagjinoni se ç’efekte mund të ketë kjo te një vajzë 18-vjeçare. Vetëm mbajtja e uniformës të privonte nga e zakonshmja e moshatarëve të mi, por në fund ia dola mbanë.
Cilat ishin disa nga vështirësitë konkrete të asaj përditshmërie?
Marshimet me uniforma për shembull. Duhet të mbanim në shpinë rreth 40 kilogramë pajime ushtarake, edhe pse ju mund të trembeni tani vetëm nga parafytyrimi i kësaj. Në gjoks kishim gjerdanin me fishekë dhe në dorë automatikun. Ata që e njohin këtë fushë, apo që kanë bërë të njëjtën gjë si unë, e dinë mirë.
Ndiheshit e diferencuar nga meshkujt, më e dobët fizikisht për t’i përballuar të gjitha këto që përmendët?
Jo, nuk e kam ndier asnjëherë, kemi qenë gjithnjë të barabartë, programi ishte i njëjtë për të gjithë.
Parafytyroj ata filmat me ushtarë, ku është ndonjë femër e lufta bëhet gjithnjë kundër saj dhe meshkujve…
Po, por duhet të keni parasysh, që regjisori ka qenë me siguri burrë.
Sidoqoftë, është profesion hijerëndë, mashkullor…
Është pozicion mashkullor, por më pas, kur ka kaluar një kohë që ti i kushtohesh e rritesh bashkë me të, bëhet i bukur. Të kthehet në pasion e pikërisht ajo hije që ka uniforma, të jep siguri e kjo gjë, padyshim të bën të ndihesh mirë.
Në çfarë stadesh duhet të kalojë një ushtarake, derisa të mbërrijë te grada kolonel?
Që të arrish një karrierë ushtarake, duhet të ndjekësh dhe të zbatosh legjislacionin në fuqi. Përpara viteve ’90, nuk ekzistonin gradat, më pas, kur kjo gjë u bë e mundur, i kam kaluar të gjitha hallkat nga ato më të thjeshtat tek më të rëndësishmet. Së pari kam marrë gradën kapiten i parë, major, nënkolonel e deri te grada e sotshme. Kam kryer specializime të të gjitha niveleve, brenda dhe jashtë vendit. Kam punuar që nga detyra më e ulët si intendente logjistike e grupit të artilerisë e deri këtu ku jam sot, një eksperiencë sa delikate e mjaft e vështirë, por e përballuar me sukses, gjatë një periudhe të gjatë 27-vjeçare shërbimi në FA, përfshirë këtu dhe Universitetin  Ushtarak.
Ma do mendja që fillimet janë të vështira, sepse tani ju shoh në një punë komode…
Të bësh intendentin, pa dyshim në fillim është vështirë, sepse  ke të bësh në mënyrë të drejtpërdrejtë me ushtarin, duke filluar që nga zgjimi i tij në agim e përgjatë gjithë 24 orëve në vazhdim. Dhe ta bëje këtë në vitin ’91, kohë kur kam kryer këtë detyrë, nuk ishte një gjë e zakonshme, përveç vështirësive. Por sot gjërat kanë ndryshuar, femrat gjithnjë e më shumë po përfshihen në këtë fushë dhe më vjen mirë. Madje, po ju them që aktualisht janë dy togere gra, pjesëtare të Forcave të Armatosura në misionet paqeruajtëse në Afganistan. E njoh situatën atje, e kam parë nga afër gjatë një vizite në përbërje të një delegacioni të lartë shtetëror, të kryesuar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dhe ju them se nuk është aspak e lehtë. Por kjo tregon që edhe në një profesion mashkullor, femrat janë të afta t’ia dalin mbanë, madje aq sa të shkojnë edhe në luftë.
Ku konsiston puna e përditshme e këshilltarit ushtarak të Presidentit të Republikës?
Të japësh këshilla atëherë kur të kërkohen, duhet që të jesh gjithë kohës në lidhje me institucionet e tjera, në mënyrë që të japësh përgjigjen e duhur, atëherë kur duhet. Aktualisht, detyrat janë të përcaktuara me ligj, por si në çdo fushë tjetër primare, janë dispozitat ligjore në fushën e mbrojtjes, në mënyrë që edhe Presidenti i Republikës, si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, të jetë gjithnjë i informuar në kohën e duhur, me të gjitha institucionet që lidhen me këtë aspekt.
Sa kohë i ngelet një femre në karrierë për familjen?
Ah, ajo është gjëja më e bukur që kam, edhe pse e kam cenuar pak kohën që duhet t’iu kushtohesha fëmijëve. Por ka qenë një bashkëpunim i ndërsjellë mes meje dhe tim shoqi që kam mbërritur deri këtu. Pa ndihmën dhe mbështetjen e tij, pa dyshim që gjërat do ishin më të vështira. Përpiqem që në fundjavë, edhe pse qëllon që të jemi me shërbime, t’ia kushtoj familjes, duke u larguar nga Tirana, për të qëndruar bashkë, për t’u argëtuar, pushuar, për të rifituar nga ajo koha që mund të kemi humbur gjatë javës.
Sa dhe si e keni përjetuar ju hijen e rëndë të babait tuaj, dhe si ndihen fëmijët juaj sot në lidhje me këtë?
Për mua ka qenë nder e krenari profesioni i babait, ndihesha mirë me këtë gjë dhe nuk përjetoja ndonjë ndjesi largësie, për shkak të uniformës së tij. Fëmijët e mi sot, vajza për shembull, vonë e ka mësuar profesionin tim, sepse nuk e kuptonte. Për shkak të detyrave te ndryshme, qëndroja një herë civile, një herë me uniformë, derisa një mbrëmje vonë, në kohën e luftës së Kosovës, kur u ktheva në shtëpi me uniformë, vajza mori kapelën time dhe këndonte nëpër shtëpi.

 

ANI JAUPAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura