Aleanca për Shqiptarët zyrtarizoi largimin nga koalicioni qeveritar me Lidhjen Socialdemokrate të Maqedonisë. Megjithatë kjo forcë politike tha se do të përkrahë reformat që janë në interes të shqiptarëve dhe Maqedonisë.
Funksionarët e Aleancës për Shqiptarët zyrtarizuan dorëheqjet në qeverinë e Maqedonisë. Veprimi i tyre vjen disa ditë pasi lideri Ziadin Sela u kërkoi funksionarëve të kësaj partie që të dorëhiqen nga postet shtetërore. Megjithatë Aleanca për Shqiptarët përsëritë qëndrimin se do të mbështesë reformat qeveritare.
Ilmi Aziri, Aleanca për Shqiptarët: “Një pjesë e regjimit të kaluar ka mbetur brenda Qeverisë, sigurisht se mbi bazën e kësaj kemi dilemma veçanërisht sa i takon pjesës shqiptare, etnisë shqiptare, etnogjeografisë shqiptatre. Por ne shpresojmë që Qeveria të jetë ashtu siç ka premtuar reformatore. Mbetet të shihet. Aleanca për shqiptarët si e tillë, me deputetët që ka në parlamentin e vendit, do të votojë dhe do të përkrahë të gjitha proceset reformuese që ndodhin në vend, të gjitha ligjet që brenda tyre kanë elementet reformuese ne do ti përkrahim. Nuk do të përkrahim vetëm propozimet kadrovike që do të dalin si propozime të Qeverisë dhe partnerëve të koalicionit”.
Kryeministri Zoran Zaev në fjalën e tij në kuvend tha se qeveria ka nevojë për mbështetjen e tyre në proceset reformuese.
Zoran Zaev, kryeministër i Maqedonisë: “Mbetem i bindjes për mundësi dhe dyer të hapura për bashkëpunim për shkak se fillimisht duhet të gjithë të bashkëpunojmë në interes të qytetarëve. Por shpresoj që shumë shpejtë edhe politikisht do të gjendemi pranë nevojës për vazhdimin e bashkëpunimit mes partive politike që përbënin shumicën parlamentare”.
Vendimi i Aleancës për Shqiptarët për t’u larguar nga qeveria erdhi pas mosmarrëveshjeve me shumicën parlamentare rreth Ministrisë së Shëndetësisë. Ky institucion u drejtua nga më herët nga Arben Taravari i Aleancës për Shqiptarët, i cili dha dorëheqjen pasi u zgjodh kryetar i Komunës së Gostivarit. Ministrinë e Shëndetësisë tashmë e udhëheq Venko Filipçe nga LSDM./abcnews.al
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al