Marrëdhëniet Greqi-Shqipëri mund të bëhen model në Ballkan

Dec 6, 2022 | 8:37
SHPËRNDAJE

“Greqia, si fqinji juaj më i afërt, ju uron gjithë të mirat. Lidhjet që na bashkojnë nënkuptojnë se ndërkohë që ju përparoni, të dy vendet bëhemi më të fortë”, tha kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në mesazhin e tij korrikun e kaluar, kur Shqipëria mori “dritën jeshile” të shumëpritur për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Sot, pas gati gjashtë muajsh, Tirana pret Samitin BE-Ballkani Perëndimor, një ngjarje që shpërblen përpjekjet e mundimshme dhe vendimet e guximshme në kuadër të agjendës së reformave strukturore të ndërmarra deri tani nga Shqipëria, por edhe përafrimin e saj të plotë me politikën e jashtme të BE-së, ndërkohë që vërteton se kursi i saj po drejtohet tashmë drejt destinacionit përfundimtar, që është integrimi i plotë në familjen evropiane. Kjo, tek e fundit, është ndjekur dhe mbrojtur vazhdimisht nga Greqia që nga viti 2003.

shqiperi greqiVizita e një kryeministri grek mund të vijë me vonesë… gati 13 vjet, por prania e Kyriakos Mitsotakis-it në Tiranë, me rastin e këtij samiti dhe sidomos takimi i veçantë me homologun e tij shqiptar, Edi Rama, më vete, tregon se dy qeveritë janë më në fund të vendosura të punojnë së bashku për të promovuar më tej bashkëpunimin e tyre dypalësh – në një çast kritik – nën hijet e luftës në Ukrainë dhe sfidave e krizave të shumta që krijon ajo, por edhe për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura .

Nisur nga gjithë sa më sipër, ajo çka presim nga takimi i sotëm i dy kryeministrave nuk janë thjesht deklarata të qëllimeve të mira, por vendime konkrete që do të përvijojnë dhe konkretizojnë hapat e mëtejshëm, veçanërisht në lidhje me marrëveshjen e përbashkët në parim për referimin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë të caktimit të kufijve të një Zone Ekskluzive Ekonomike. Zgjidhja e kësaj çështjeje bazuar në të drejtën ndërkombëtare, por edhe në parimet evropiane, do t’i dërgojë një mesazh shumë të fortë gjithë vendeve të këtij rajoni të paqëndrueshëm, se kjo është mënyra më e përshtatshme për zgjidhjen e çështjeve të ngjashme, ndërkohë që do të ofrojë, veçanërisht në këtë moment në Evropë, një “histori suksesi” të re, shumë të nevojshme. Megjithatë, historia ka treguar se është absolutisht e nevojshme që të dy qeveritë të punojnë paralelisht për t’i shpjeguar publikut procesin e një arbitrazhi ndërkombëtar që kërkon qartësisht kompromise të ndërsjella, për të siguruar përfundimisht përfitime të përbashkëta.

Është gjithashtu e domosdoshme që dy qeveritë të ndjekin dy popujt, të cilët kanë zhvilluar një marrëdhënie të mirë vitet e fundit. Shqiptarët, që janë integruar me punën e tyre në shoqërinë greke, dhe minoriteti grek që jeton në Shqipëri, janë një lidhje organike e dy vendeve.  Ky është edhe konstatimi i sondazhit të vitit 2021 të kryer nga Fondacioni Shoqëria e Hapur dhe ELIAMEP për marrëdhëniet shqiptaro-greke, ku pothuajse “të gjithë të anketuarit shqiptarë mendojnë se emigrantët shqiptarë kanë kontribuar si në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë ashtu edhe në Greqinë. Ndërkohë që “80-85% e të anketuarëve shqiptarë dhe grekë, mendojnë se fëmijët e emigrantëve shqiptarë të rritur në Greqi janë plotësisht të integruar në shoqërinë greke”.
Megjithatë, politika deri tani nuk ka arritur t’i sjellë marrëdhëniet mes dy vendeve në të njëjtin nivel. Shpresojmë që vizita e kryeministrit grek në fshatrat e minoritetit grek të dërgojë pikërisht këtë mesazh dhe jo vetëm t’i kujtojë Tiranës nevojën e respektimit të të drejtave të minoritetit. Do të jetë përgjigja më e mirë për të gjithë ata që ruajnë me çdo kusht, prej kaq shumë vitesh, në të dy vendet dhe në kurriz të të dy popujve, një klimë dyshimi përmes ideologjive nacionaliste, stereotipave negative dhe paragjykimeve.

Për ne, ky është “basti” që do të kërkojmë të fitojmë përmes projektit kërkimor të ELIAMEP-it “ALGREE: Shqipëri/Greqi: Kuptimi, Lidhja, Bashkëpunimi”, i cili do të nisë brenda pak javësh me publikimin e të parës së një serie raportesh për çështjet për të cilat tani e tutje do të duhet të punojnë të dyja palët, mbi atë që projektohet në diskursin publik dhe mediet e dy vendeve. Qëllimi ynë përfundimtar nuk është vetëm të tërheqim vëmendjen ndaj qëndrimeve më të këqija në diskursin publik , por kryesisht të evidentojmë ato elemente që mund të përmirësojnë nivelin e besimit, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit mes dy vendeve. Greqia dhe Shqipëria meritojnë që nëpërmjet përmirësimit të vazhdueshëm të marrëdhënieve për hir të popujve të tyre, të bëhen edhe model marrëdhëniesh për vendet e rajonit të gjerë të Ballkanit.

*Alexandra Voudouri dhe Çelik Rruplli, bashkëpunëtorë hulumtues të Programit të Evropës Juglindore pranë ELIAMEP.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura