“Rrëfej se kam pasë gjithnjë vështirësi, një lloj turpërie të flas për poezinë time apo të lexoj vargje të miat para të tjerëve. Kisha gjithnjë përshtypjen se po zbuloj diçka intime a fshehtësi dhe se po humb ‘fillin e gjetun’, drejtpeshimin e krijimtarisë”.
Ndoshta të qenurit i vetmuar, pa një lexues që t’i jepte kënaqësinë e një vlerësimi të atypëratyshëm, ia kishte “ndrydh” Camajt guximin për të fol për poezitë e veta, por tashmë vepra e tij e ka gjetur rrugën dhe e ka hedhur tej drojen.
Vepra e plotë letrare e Martin Camajt është botuar tashmë e plotë nga shtëpia botuese “Onufri”, por me rastin e 25- vjetorit të vdekjes së tij, rivjen në një edicion special, vepra poetike e tij.
Dje, si një përshpirtje për Camajn, shtëpia botuese “Onufri”, në bashkëpunim me Degën e Albanologjisë, në Universitetin “Ludwig Maximilian”, organizuan mbrëmjen letrare “Martin Camaj, poet i lartë- sive”.
Një titull huazuar nga Ismail Kadare, i cili e quante pikërisht kështu Camajn: poet i lartësive. Nën drejtimin e ish-nxënësit të tij, studiuesit arbëresh Mateo Mandala, u kujtua Camaj shkrimtar, Camaj albanolog, e më së shumti Camaj poet. Aktorë të rinj të Teatrit Eksperimental lexuan shënime dhe poezi të Camajt. Dhe ngjarja e mbrëmjes ishte pa dyshim promovimi i vëllimit “Vepra poetike”.
VËLLIMI POETIK
E gjithë vepra poetike e Martin Camajt, tashmë është e përmbledhur në një vëllim të vetëm. Që nga “poezi”, “lirika mes dy moteve”, “Legjenda”, vargje nga “Djella” e Vargje të shpërndame, gjenden në këtë botim të veçantë të shtëpisë botuese “Onufri”. Edhe pse botuesi Bujar Hudhri shprehet se letërsia shqipe e ka shumë të vështirë rrugën për te lexuesi, ai ka ngulur këmbë të realizojë këtë përmbledhje homazh.
“Është e rëndësishme që një botues, duke qenë mes autorit dhe lexuesit, të dijë se ç’të bëjë që t’i afrojë ata. Në kushtet, kur të gjithë e dimë se sa të vështirë e ka libri shqip të shkojë te lexuesi, mendova, që kjo të jetë një mënyrë për ta çuar veprën e Camajt më pranë lexuesit.
Ashtu si poeti krijon në vetmi, për Camajn kjo vetmi ka qenë dyfishe, sepse ai krijoi pa pasur mundësi ta kishte lexuesin e tij përballë, siç e kanë pasur të gjithë shkrimtarët shqiptarë.
Ata mund të krijonin në vetmi, në studiot e tyre, por nesër përballeshin me shtypin, kritikën, takimet letrare, antologjitë në shkolla, kurse Camaj ka qenë tërësisht i vetmuar.
Në shkolla nuk përmendej fare emri i tij dhe nxënësit e studentët nuk e dinin që ai ekzistonte, pra kjo ishte një vetmi dyfishe.
Arsyeja tjetër është se këta 25 vjet, gjatë të cilëve mendohej se dhe Camaj do ta gjente lexuesin e vet, në mënyrë paradoksale, gjatë kësaj kohe shqiptarët zgjodhën emigracionin dhe të shkonin në vendin ku vetë Camaj krijonte, ndërsa Camaj vinte këtu me veprën e tij, ku letërsia shqipe, fatkeqësisht, pati një lloj refuzimi nga lexuesi shqiptar”, thotë Hudhri, duke shprehur keqardhjen që gjatë këtyre 25 viteve Camaj nuk arriti të hyjë në shtëpinë e çdo shqiptari.
“Së bashku me ‘Onufrin’ menduam të rifreskonim tregun shqipfolës me veprën poetike të Camajt, meqë është edhe eliksiri i krijimtarisë së tij letrare.
Mjafton të shfletohet ky libër për t’u bindur se nga krijimtaria e bollshme e tij, që shkon në 4-5 mijë faqe, vepra poetike është ajo që e përfaqëson më mirë, thelbi i poetit dhe shkrimtarit Martin Camajt”, sqaron studiuesi dhe datuesi i Katedrës së Albanologjisë në Mynih, Bardhyl Demiraj.
ALMA MILE
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al