Policia holandeze ka dyshime të forta se vrasja e tre shqiptarëve në Roterdam, përkatësisht e vëllezërve Tola nga Elbasani në janar dhe Durim Sulkut në prill, kanë lidhje me njëra-tjetrën.
Lidhja, sipas Policisë, qëndron te kontrolli i zonave të influencës në trafikun e drogës, të llojit kokainë. Mediat holandeze shkruanin disa ditë pas vrasjes së Durim Sulkut, më 6 prill, se kjo ngjarje lidhej me vrasjen e ndodhur më 21 janar të vitit 2015, në Roterdam, ku gjetën vdekjen dy vëllezërit Florenc e Glevis Tola.
Në një prej shkrimeve të publikuara nga portali holandez i lajmeve “NOS”, që i përket datës 17 prill, theksohet se Durim Sulku alias Ilirjan Sula, kishte njohje të mëparshme me dy vëllezërit që u vranë në janar në banesën e tyre në rrugën “Old Jesselmond”, në Roterdam.
Fillimisht për vrasjen e tyre, Policia arrestoi shtetasin shqiptar Serxho Piko, i cili më pas u la i lirë nga Gjykata, për shkak se mungonin prova që e implikonin në vrasje. Policia holandeze ka dyshime se ky person tashmë është kthyer në Shqipëri.
Portali holandez i lajmeve nënvizon se në një hark kohor prej rreth tre muajsh, nga përplasja mes grupeve rivale, që kërkonin kontrollin e tregut të narkotikëve,janë vrarë 3 persona.
LIDHJA MES VRASJEVE
Disa ditë pas vrasjes së Durim Sulkut, Policia holandeze sqaronte se ekzekutimi i tij mund të kishte lidhje me ekzekutimin e dy vëllezërve shqiptarë në Roterdam.
Një ditë pas identifikimit të saktë të Sulkut, i cili u gjet i vrarë me 4 plumba në makinën e tij tip “Smart”, Policia hodhi dyshimet e para për njohjet e tij me 2 vëllezërit Tola. Kjo edhe për faktin se Florenc e Glevis Tola bashkëpunonin me shtetas bullgarë për çështjet e drogës dhe Sulku po ashtu mbante një dokument identifikimi bullgar, me emrin Borislav Dimitrov.
“Ekzekutimet dyshohet se kanë ndodhur për shkak të luftës për pushtet mes dy grupeve kriminale shqiptare që kishin zona influence në Roterdamin e Jugut”, sqaronte Policia më 16 prill, ditë kur u identifikua viktima, Durim Sulku.
Ndërsa mediat holandeze shkruanin: “Rajoni është tronditur këtë vit nga përplasjet me armë dhe konfliktet mes shqiptarëve. Në janar ekzekutohen dy vëllezër në shtëpinë e tyre në Roterdam dhe po në Roterdam vritet një tjetër shqiptar në fillim të muajit prill”.
ETLEVA DELIA
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al