Mbi “rrezikun” amerikan në Shqipëri

Oct 29, 2021 | 18:59
SHPËRNDAJE

NGA BLENDI KAJSIUBlendi Kajsiu1

Pas shpalljes së Berishës ‘non grata’, shumë opozitarë kanë denoncuar ndërhyrjen flagrante amerikane  në politikën shqiptare. Sipas kësaj kritike, me deklarimin e Berishës non grata amerikanët po betonizojnë Edi Ramën në pushtet, duke shkatërruar njëherë e mirë opozitën dhe për pasojë edhe demokracinë e brishtë shqiptare. Ky është thelbi i asaj që mund ta quajmë “rreziku amerikan në Shqipëri”.

Përpara se të merremi me ekzistencën ose jo të rrezikut amerikan për demokracinë shqiptare është e rëndësishme që ta marrim seriozisht ekzistencën e këtij rreziku, dje dhe sot, në skenën globale. Pavarësisht se SHBA-të janë një vend demokratik, ato shpesh janë kthyer në shkatërrimtarë të demokracisë në mjaft vende të botës, nga Amerika Latine deri në Azi.

Grushtet e shtetit që SHBA-të kanë organizuar në Amerikën Latine gjatë Luftës së Ftohtë kundër qeverive të zgjedhura në mënyrë demokratike janë të shumta. Rasti më i famshëm është ai i rrëzimit të Presidentit Allende (xhaxhait të shkrimtares së famshme Isabela Allende) në Kili dhe instalimi aty i diktaturës së Pinocetit me mbështetjen amerikane. Në Azi, rasti më i famshëm dhe më i dhimbshëm ishte rrëzimi i Presidentit të zgjedhur demokratikisht Mosaddegh në vitin 1953 në Iran dhe instalimi aty i diktaturës së Shahut nga shërbimet sekrete amerikane dhe britanike. Ishte ky veprim i SHBA-ve, që më pas prodhoi revolucionin islamik iranian në vitin 1978 kundër Shahut që shihej si kukull e amerikanëve. Pra, nuk mund të kuptohet teokracia iraniane sot pa ndërhyrjen antidemokratike të SHBA-ve dje.

Këto ndërhyrje dhe qëndrime antidemokratike vazhdojnë edhe sot. Mjafton të shohim mbështetjen që SHBA i jep Izraelit teksa dhunon popullin dhe truallin palestinez apo mbështetjen amerikane ndaj Arabisë Saudite, një nga regjimet më antidemokratike dhe regresive të globit. Pra, është e lehtë të gjesh plot shembuj, dje dhe sot, të ndërhyrjes antidemokratike të SHBA-ve në politikën e brendshme të vendeve të ndryshme. Pyetja shtrohet a ekziston një rrezik i tillë në rastin e Shqipërisë apo edhe të Kosovës? A ekziston një politikë shtetërore amerikane që cenon apo minon demokracinë tonë? Një politikë që sakrifikon në mënyrë sistematike standardin demokratik për interesa ekonomike apo gjeopolitike?

Përgjigjja e thjeshtë është jo. Nuk ekziston një politikë amerikane që pengon konsolidimin e demokracisë shqiptare. Arsyeja është gjithashtu e thjeshtë. SHBA-të nuk i tremben konsolidimit të demokracisë si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, sepse në këto vende nuk ekzistojnë shumica antiamerikane ndryshe nga vende si Irani, Arabia Saudite apo Egjipti ku demokracia ka prodhuar, ose mund të prodhojë, shumica antiamerikane dhe madje edhe antidemokratike. E thënë ndryshe demokracia në Shqipëri prodhon proamerikanizëm, ndaj ajo është në interesin gjeopolitik amerikan.

Natyrisht, kjo nuk do të thotë se biografia demokratike e të gjithë administratave dhe diplomatëve amerikanë në Shqipëri është qelibar. Ekzistojnë plot raste kur si administrata amerikane edhe ambasadorë konkretë e kanë cenuar standardin demokratik në Shqipëri dhe në Kosovë. Rasti më flagrant ka qenë ai i ambasadorit Rayerson që në vitet 1990 dilte përkrah Berishës në mitingje. Po ashtu, mbështetja e madhe që SHBA-të i dhanë Berishës pas rënies së komunizmit, duke mbyllur sytë edhe para burgosjes së liderit të opozitës socialiste Fatos Nano.

E megjithatë, edhe në rastin e Berishës ishin po SHBA-të që i vunë kufi masakrës elektorale të vitit 1996. Departamenti i Shtetit e kritikoi haptas procesin elektoral dhe kërkoi ribërjen e zgjedhjeve në disa zona. E thënë ndryshe, i vuri një kufi abuzimit të pushtetit dhe nuk e mbështeti atë deri te shkatërrimi tërësor i procesit demokratik. Një rast tjetër flagrant është ai i rrëzimit të qeverisë Kurti 1, ku u përfshi diplomati Richard Grenell. Po edhe këtu nuk pati asnjë qëndrim zyrtar amerikan kundër Vetëvendosjes. SHBA-të nuk e kanë penguar në mënyrë aktive ardhjen në pushtet të kësaj force, përkundrazi sot bashkëpunojnë shumë mirë me të. Edhe futja e Berishës në listën e personave non grata të SHBA-ve është produkt i një politike thellësisht parimore, që në fakt nuk ka të bëjë me Shqipërinë në veçanti. Politika antikorrupsion e Biden nuk është as e re dhe as për Shqipërinë në veçanti. Ajo është pjesë e strategjisë së administratës Biden për të rikuperuar reputacionin demokratik të SHBA-ve në botë, pas presidencës katastrofale dhe të korruptuar të Trump, që e zhyti imazhin amerikan globalisht.

Berisha sot është kolateral i kësaj politike, ashtu sikurse dje, në vitin 2005 e shfrytëzoi politikën antikorrupsion të SHBA-ve për të ardhur në pushtet. Mjafton të kujtojmë se në periudhën 1998 – 2005 ndërkombëtarët me SHBA-të në krye (konkretisht me USAID) ndërmorën një fushatë masive antikorrupsion, të cilën PD dhe Berisha e kalëroi mjaft mirë për të ardhur në pushtet. Ashtu si politika amerikane antikorrupsion dje nuk u bë për të sjellë në pushtet Berishën as ajo e sotmja nuk u ndërtua për ta hequr qafe atë. Edhe pse po të dëgjosh Berishën, të krijohet përshtypja se politika e jashtme amerikane ka në qendër doktorin.

Ideja se Berishës ia futi Sorosi me Ramën jo vetëm e redukton Departamentin e Shtetit Amerikan në instrument të Ramës, por prodhon një teori konspirative që shërben për të mbuluar ca të vërteta sa ashiqare edhe të papërballueshme për opozitarët. Në fakt, ky është një nga funksionet bazë të teorive konspirative ato na ndihmojnë të mos përballemi me realitetin e dhimbshëm. Por cili është realiteti që nuk duan të shohin opozitarët? Është fakti publik që Berisha ishte dhe mbetet politikani shqiptar që më shumë përplasje, fërkime dhe përfshirje në afera korruptive ka pasur dhe ka me SHBA-të. Ai ka 30 vite në radarin e Uashingtonit me dosje që fillojnë me masakrën zgjedhore të vitit 1996, kalojnë te korrupsioni bërthamor i Gërdecit që shkonte deri te Pentagonin dhe arrijnë deri te vrasjet e 21 janarit. Kjo ishte kur Berisha ishte në pushtet.

Në opozitë, Berisha ishte në konflikt të hapur me politikat e SHBA-ve në Shqipëri, jo vetëm si frymëzues i politikave opozitare të dhunshme dhe antiinstitucionale të refuzuara nga SHBA-të, por edhe si pengesë ndaj Reformës në Drejtësi të sponsorizuar prej tyre. Dhe lista non grata është politike dhe jo juridike, ndaj ajo përdoret politikisht nga SHBA-të për të eliminuar ata individë që perceptohen prej tyre si pengesë për konsolidimin e demokracisë. Me koleksionin e pafund të skandaleve korruptive hollivudiane dhe të përplasjeve me SHBA-të dje dhe sot, Berisha nuk kish aspak nevojë për ndihmën e Sorosit apo Ramës, që të futej në listën e “personave non grata”. Ndaj, ankesa opozitare “pse Berishën po dhe Ramën jo” është pa sens parë nga perspektiva e Uashingtonit. Çfarë përplasjesh me SHBA-të ka pasur Rama? Cili është skandali korruptiv i Ramës që pleks familjen e tij dhe Pentagonin dhe që është bërë publik nga “New York Times”? Kur është bërë ai pengesë për Reformën në Drejtësi?

Natyrisht që si demokratët, edhe Berisha kanë të drejtë të ankohen se SHBA-të po gabohen me Reformën në Drejtësi. Ata mund të argumentojnë se ajo e përkeqëson sistemin tonë të drejtësisë. Gjithkush është në të drejtën e vet të mendojë se drejtësia që prodhoi Berisha dhe Meta dje ishte shumë më mirë se ajo që po prodhon reforma e amerikanëve sot. Ama, ky është thjesht opinion. I vetmi fakt që dimë me siguri është që sot ka shumë më pak gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar në sistem se dje. Sikurse është fakt që Berisha dhe Meta kanë shumë më tepër përgjegjësi për degjenerimin e sistemit tonë të drejtësisë se SHBA-të. Ndaj qytetari shqiptar sot beson shumë më tepër te SHBA-të se te Berisha për të reformuar drejtësinë.

Kjo nuk do të thotë se reforma nuk ka probleme apo se ajo nuk është deformuar dhe kapur nga pushteti në disa momente. Ironikisht është vetë opozita përgjegjëse për një pjesë të mirë të deformimeve të reformës që burojnë nga kapja e saj prej pushtetit socialist të Ramës. Rama dhe pushteti i tij kanë mbushur shumë nga organet e vetingut me njerëzit e tyre si pasojë e refuzimit apo paaftësisë së opozitës për të paraqitur kandidaturat e tyre në organin qendror të vetingut, Komisionin e Pavarur të Kualifikimit – KPK. Këtë neglizhencë dhe papërgjegjshmëri të llahtarshme dhe pasojat e saj në kapjen e sistemit nga Rama e ka shpjeguar shumë qartë një nga intelektualët më të formuar dhe të mençur të opozitës, Genc Pollo (shiko këtu artikullin e Pollos http:// www.panorama.com.al/tri-sfidat-madhore-ne-kuvendin-e-republikes-sidomos-per-opoziten/).

Në vend që të krijonte një aleancë me ndërkombëtarët dhe SHBA-të për ta bërë sa më të pastër dhe më të pavarur sistemin e drejtësisë, opozita e braktisi reformën duke i lënë dorë të lirë Ramës për të mbushë shumë organe me njerëz të lidhur direkt apo indirekt me pushtetin. Kjo shpesh prodhoi edhe përplasje mes Ramës dhe ndërkombëtarëve, ku çuditërisht mungonte opozita. Pra, si Reforma në Drejtësi edhe futja e Berishës në listën non grata janë produkte të politikave parimore që synojnë forcimin dhe jo degradimin e demokracisë shqiptare. Natyrisht, efektet e këtyre politikave mund te jenë perverse, ato mund të dobësojnë më tej si sistemin e drejtësisë edhe opozitën.

Ama, është po aq e mundur, në mos më shumë, që të ndodhë e kundërta, që sistemi i kalbur i drejtësisë që trashëguam të përmirësohet sado pak, apo që opozita pa Berishën të bëhet më e besueshme. Në fund të fundit, ta lidhësh fatin e opozitës shqiptare me fatin e Berishës do të thotë ta dënosh demokracinë tonë me vdekje. Ajo që duhet kuptuar sot është se SHBA-të nuk kanë marrë anën e Ramës kundër Berishës dhe aq më pak kundër demokracisë shqiptare. Është Berisha që është pozicionuar kundër politikave të SHBAve dhe Rama pro tyre. Politika e jashtme amerikane bëhet në Uashington dhe nuk ka në qendër të saj Shqipërinë. Instrumentalizimi që i bëhet asaj këtu nga aktorët politikë lokalë krijon iluzionin provincial se Departamenti i Shtetit dhe miliarderët globalë qajnë gjithë ditën hallin e Bashës, Metës, Berishës apo Ramës, si në banakët tona analitike.

Nesër, roli i SHBA-vë mund të ndryshojë. Një ditë, politika amerikane mund të bëhet pengesë për demokracinë tonë. Ndaj është e rëndësishme që as demokracinë dhe as drejtësinë mos ta presim nga jashtë por ta ndërtojmë vetë nga brenda. Largimi i Berishës nga skena politike është një hap sa i domosdoshëm, aq edhe i pamjaftueshëm në këtë drejtim.

*Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama.al’. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë dhe pavendosur hiperlinkun e artikullit origjinal do të ndiqet në rrugë ligjore.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura