STEFAN ÇAPALIKU
Më 1988, dramaturgu i madh anglez, Harold Pinter, shkruan dramën e tij të famshme “Gjuha e malit”, në aktin e parë të së cilës kemi një varg grash, që duan të vizitojnë burrat e tyre të burgosur dhe që qëndrojnë jashtë murit të një burgu të madh. Ka rrumbullak tetë orë që presin në borë. Mbas tetë orësh fillojnë e merren në pyetje nga një rreshter dhe një oficer. Gjatë shpjegimeve që ato japin, oficeri u thotë grave se gjuha e tyre, përkatësisht e malësorëve, është e ndaluar të përdoret në një institucion shtetëror, siç është burgu, dhe se ky është një argument më shumë se edhe burrat e tyre janë armiq të shtetit.
Nga spektatorët lexohet menjëherë se shprehja “armiq të shtetit” është padyshim një shprehje politike. Pra, të burgosurit janë aty edhe për arsye politike. Gjuha e tyre është e ndaluar me dekret. Oficeri pretendon se kjo është një gjuhë e vdekur. Në dramë qartësisht rezulton se është politikë e pushtetarëve që të shtypin ata që i konsiderojnë si armiq dhe t’u detyrojnë atyre kulturën dominuese, nëpërmjet shkatërrimit të mundësisë së vetëshprehjes.
Pikërisht për këtë, drama e Pinterit u quajt menjëherë si dramë politike dhe si e tillë është e rreshtuar në historinë e teatrit modern.
Pra, po e nis me këtë shembull artikullin tim, duke i bërë me dije lexuesit se rreshtat e mëposhtëm duhet të lexohen mirëfilltazi si politike. Me këtë rast dua të shtroj këtë çështje, më së pari, para opinionit publik, më së dyti, para autoriteteve politike dhe së fundmi para komunitetit të gjuhëtarëve, për të nënvizuar idenë, se cenimi i dialekteve është shkelje e të drejtave themelore të njeriut.
Por le të vijmë tani te një ndër problemet kyçe të këtij artikulli dhe që ka të bëjë me faktin se dialektet janë gjuhë. Një dialekt është gjuhë, sepse është i vetëmjaftueshëm për të shprehë çdo gjë, përfshirë këtu edhe situata estetike nga më të epërmet. Dhe kjo teori vlen veçanërisht edhe në rastet e dy dialekteve tona, të cilat e kanë vërtetuar këtë fuqi edhe nëpërmjet traditave të tyre të pasura shkrimore.
Pra, të mbrosh me ligj dialektet është njësoj si të mbrosh me ligj gjuhën, sepse e përsëris, dialektet janë gjuhë. Me këtë rast, opinioni politik e ligjvënës duhet të kuptojë se dialektet nuk janë nënprodukte të gjuhës shqipe, përkundrazi ato janë rrënjë të saj. Kësisoj, nëse pema e shqipes ka dy rrënjë, imagjinoni çfarë do të thotë për pemën t’ia presësh njërën prej tyre.
Është tashmë fakt i ditur se si standardi i sotëm i shqipes, i vendosur këtu e pesëdhjetë vjet më parë, nuk paraqitet aspak miqësor për gegnishten. Si shkrimtar dhe përdorues estetik i gjuhës, jua them me plot gojën se unifikimi i standardit me gjuhën letrare për të paktën njëzet vjet me radhë (nga 1972 deri në rënien e komunizmit) ka sjellë që shqipja e propozuar politikisht si koine t’i ngjante një shpelle, ku qe strehuar për t’u mbrojtur nga dialektet e veta, apo si një kështjellë prej llamarine, e salduar me kujdes nga të gjitha anët, e që nuk lejonte t’i hynte në sistem as drita më e zbehtë e formave dhe strukturave gege. Vazhdojnë të tingëllojnë tragjikomike përpjekjet e shkodranëve të shkretë gjatë adoptimit të gjuhës së tyre me atë të paracaktuar.
Mirëpo, nga ana tjetër, standardi ynë gjuhësor po ushtron dhunë edhe ndaj toskërishtes. Ai ka shkatërruar veçanërisht gjithë “barokun” e toskërishtes juglindore me pretekstin e pashpallur në teori, por të zbatuar në praktikë, se dialekti na qenka një prishje e gjuhës.
Mbas 50 vjetëve, vihet re qartë se parimi “një komb, një gjuhë” ka anuluar parimin themelor dhe të padiskutueshëm, se çdo dialekt është një gjuhë dhe ka futur një dallim artificial, ekskluzivisht politik, midis gjuhës dhe dialektit.
Fatkeqësisht, në pjesën më të madhe të diskutimeve mbi këtë çështje, përdorimi i termave “gjuhë” dhe “dialekt” nënkupton një marrëdhënie hierarkike midis dy entiteteve dhe një gjykim vlerësues të tipit: gjuha do të ishte diçka më e lartë se dialekti dhe dialekti një formë e degjeneruar ose të paktën inferiore e gjuhës. Ky dallim i pabazë gjuhësor midis dy termave është rezultat i një vendimi politik, i cili kufizon përdorimin e termit “dialekt” në atë që thirret “gjuha zyrtare e shtetit”. Këtë çështje, gjuhëtari amerikan Einar Haugen e ilustroi në mënyrë provokative me anë të dallimit pseudo-gjuhësor: “Gjuha është një dialekt i mbështetur nga një ushtri dhe një marinë”. Po kështu, friuliani Pier Paolo Pasolini ka shpjeguar me efikasitetin e tij të zakonshëm se “Dialekti bëhet gjuhë, kur shkruhet dhe përdoret për të shprehur ndjenjat më të larta të zemrës”.
Është e saktë të thuhet, se dialekti është një gjuhë. Në kushtet tona rivlerësimi i dialekteve lind natyrshëm edhe si reagim ndaj përçmimit të madh që në të kaluarën, e fatkeqësisht edhe sot, u është rezervuar atyre. Dialektet janë përjetuar si pengesë në procesin e standardizimit gjuhësor. Gjithashtu, për këtë arsye, rizbulimi i rrënjëve tona kulturore nga secili prej nesh, kthehet në krenarinë e përkatësisë ndaj një lloji të caktuar gjuhësor.
Në këtë kuptim, përpara se të duartrokitet shqipja standarde do ishte më mirë të përgatisnim projektligjin për mbrojtjen e dialekteve, sepse vetëm duke mbrojtur dialektet mund të mbrojmë edhe standardin, cilido qoftë ai.
Mirëpo, fillimisht duhet të kuptojmë se me shprehjen “legjislacion gjuhësor” i referohemi grupit të dispozitave ligjore me rëndësi juridike, që shteti dhe entet e tjera publike në nivel mbarëkombëtar, kombëtar ose vendor i përpunojnë në ndihmë të mbrojtjes së çështje gjuhësore. Në një kuadër më të gjerë dhe më aktual, siç është ai europian, hyrja në fuqi e ligjit nr. 482, i vitit 1999, i ka dhënë shansin edhe vendit tonë të nënshkruajë “Kartën Europiane për gjuhët rajonale ose të pakicave” (të miratuar tashmë nga Këshilli i Europës që në maj 1992). Jam i sigurt se ato që e kanë nënshkruar këtë dokument të rëndësishëm as nuk ia kanë pasur fare idenë se çfarë po nënshkruajnë dhe se në cilin klub po bëhen pjesë me anë të këtij nënshkrimi.
Instancat e para që duhet të viheshin në dijeni për këtë nënshkrim duhej të ishin Ministria e Kulturës dhe ajo e Arsimit, të cilat nuk kanë prodhuar asnjë projekt-propozim të vetëm në mbështetje të zbatimit të parimeve të kësaj karte. Kështu që përveç atyre dy rreshtave në Kushtetutën e vendit, ne nuk kemi asnjë akt tjetër juridik, jo vetëm në mbrojtje të dialekteve si të tilla, por as edhe në mbrojtje të shqipes në përgjithësi.
Nëse deri vonë shkalla më e lartë e dinjitetit legjislativ përfaqësohej nga norma kushtetuese si një ligj themelor i shtetit, në shoqëritë moderne të globalizuara, është e pamundur të shpërfillet sfondi ndërkombëtar. Në veçanti, për një vend si i yni, referenca me orientim legjislacionin e Bashkimit Europian dhe organet e lidhura me të, nuk mund të shmanget.
Regjimi gjuhësor i vendosur nga legjislacioni komunitar, i përgjigjet kërkesës për pjesëmarrje të plotë të qytetarëve në ndërtimin dhe menaxhimin e Bashkimit Europian. Që në vitin 2005, të gjitha gjuhët e vendeve anëtare të Bashkimit janë vendosur në baza të barabarta, duke imponuar hartimin e të gjitha akteve dhe dokumenteve në secilën prej këtyre gjuhëve dhe duke i lejuar qytetarit europian t’u drejtohet institucioneve të Komunitetit dhe të marrë një përgjigje në gjuhën e tij. Për këtë ka ardhur në ndihmë edhe “Libri i Kuq i Gjuhëve të Rrezikuara” (1993- 1996), botim i Unesco-s.
Projektligji për mbrojtjen e dialekteve në Republikën e Shqipërisë do të parandalonte cilëndo maxhorancë parlamentare etatiste dhe centraliste, të vendosë se cila gjuhë do të vlerësohet dhe cila do të getoizohet, duke e etiketuar si dialekt.
Ndaj, njerëz, vazhdoni të luftoni për gjuhën tuaj rajonale, sepse beteja gjuhësore është një betejë e arsyes së shëndoshë. Jetë të gjatë ka vetëm ai vend që respekton diversitetin gjuhësor.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al