AFRIM IMAJ/ “Në një atentat të motivuar politikisht, natën e së hënës në Untergruppenbach, afër Heilbronit, janë qëlluar për vdekje tre jugosllavë që jetonin në egzil. Dy vdiqën në vend, i treti vdiq disa orë më vonë në spital. Ai arriti të thotë se përgjegjës për vrasjen është Shërbimi Sekret Jugosllav. Tre të vrarët ishin me prejardhje shqiptare të angazhuar për lirinë e Kosovës, provincë kjo e shqetësuar në kufi me Shqipërinë”.
Me këtë lajm tronditës të gazetës “Stuttgaater Zeitung” të datës 19 janar 1982, Sigurimi i Shtetit dokumenton në dosjen e Isuf Gërvallës kapitullin e martirizimit të tij, bashkë me Bardhosh Gërvallën e Kadri Zekën. Ngjarja që kishte ndodhur vetëm pak orë më parë ka zënë në befasi krejt rrjetin e shërbimit të fshehtë që ndiqte hap pas hapi veprimtarinë e atdhetarit dhe politikikanit të shquar nga Kosova. Me herët, agjentët e Policisë Sekrete kishin dhënë informacione e raporte të shumta për çka ndodhte me Isuf Gërvallën dhe grupin e drejtuesëve të tjerë të lëvizjes për çlirimin e Kosovës.
Fakti që ai operonte në Gjermani kur Shqipëria nuk kishte marrdhënie diplomatike me të, i kishte detyruar autoritetet e Tiranës ta vendosnin në Vjenë rezidencën e destinuar ekskluzivisht për këtë çështje. Mirëpo, kishte ndodhur që deri në ditën e atentatit misterioz, prej andej nuk kishte ardhur asnjë sinjal për atë që rrezikonte jetën e Gërvallës i shënjestërzuar prej UDB-së qysh herët. Ky fakt, krijoi jo pak pështjellim në hierakinë e organeve të Punëve të Brendëshme.
Madje, sikundër rezulton në dosjen përkatëse, debati kishte vazhduar me tone të ashpra dhe në zyrën e Hekuran Isait dhe Ramiz Alisë. Përveç paaftësisë në sigurimin e të dhënave, në analizën e detajuar, tërhiqej vëmëndja se Sigurimi i Shtetit, në rastin konkret, jo vetëm kishte dështuar, por në proces e sipër, kishte rënë pre e të dhënave dezinformuese të agjenturës së Beogradit. Dhjetëra faqe të dosjes së Jusuf Gërvallës, siç duket dhe në fashikullin që publikojmë më poshtë, ishin mbushur me raporte të bashkpunëtorëve të dyshimtë, që informonin shërbimin e fshetë se Isuf Gërvalla është agjent i maskuar i UDB-së jugosllave. Ca më keq që të tilla burime janë marrë si pika referimi dhe për çështje të tjera më vonë.
Autorë të këtij misioni bastard, as më pak dhe as më shumë, janë shqiptarë të Kosovës, mësues e gazetarë, shok e miq të Isufit dhe familjes Gërvalla që janë paguar prej vitesh fshehtas nga Beogradi. Njëri ndër ta për fat të keq, ka qënë pjesë e grupit të atentatorëve të natës së 17 janarit 1982 që ekzekutoi në befasi Isuf e Bardhosh Gërvallën bashkë me Kadri Zekën. Sidoqoftë, raportet që publikojmë në numurin e sotëm, flasin qartë e zbulojnë pjesën më të dukshme të misterit të këtij atentati, ku ende zyrtarisht nuk është identifikuar emri i autorëve të vërtetë…
DOKUMENTI
Isuf Gërvalla 4147/72
SEKRET
Tiranë, më 18.1.1982
Vjena me telin nr. 26 dt. 14.01.1982 njofton sh. Perlat:
Nga një takim me “Kimistin” mësuam:
1. Punëtorët kosovarë në RFGJ flasin e thonë se ne kemi lexuar vetë artikullin e “Zërit të Popullit” dhe çka thotë shoku Enver në Kongres për Kosovën e për përpjekjet që duhet të vazhdojnë për statusin e Republikës brenda federatës, por nuk kuptojmë Gërvallën e shokët e tij, të cilët na thonë: Luftën dhe përpjekjet duhet t’i bëjmë për të dalë jo vetëm nga kuadri i Sërbisë por edhe i federatës se ne nuk duhet të paraqitemi në selinë jugosllave kur na kërkojnë, ose kur kemi halle, se duhet të prishim klubet që kemi e të ngrejmë të rinj, se me klubet që janë merret konsullata, se për anëtarësinë në klubet që do të hapin duhet të paguajnë nga 500 deri 1000 marka se duhet të japin ndihmë në të holla për botimin e gazetës së tij, që boton vetëm artikuj të Tiranës dhe që neve i kemi lexuar, se në këtë gazetë nuk shkruhet për krimet e masakrat që po bëhen në Kosovë, se sejcili nga punëtorët duhet të fusi gazetën e libra në Kosovë, çakmak me shqiponjë e shkrimin “Kosova Republikë”, që na shitet 5 Dm, se broshurën për Çubriloviqin duhet t’a blejmë etj, pa menduar se ne me keto rrezikohemi të mos kthehemi më në familje, se vetëm në Zvicër deri tani nuk mund të shkojmë 1500 punëtorë që janë marrë me këto gjëra se kërkohen për arrestim etj. Punërorët thonë se këtu si Isufi dhe Ibrahimi që merren me klubet i flasin se kështu mendojnë jo vetëm këta por edhe Tirana, gjë që sipas tyre ka ngjallur dyshime, se Shqipëria e ka thënë me radio e gazetë çka duhet të bëjë e çka jo Kosova.
2. Shumë punëtorë kosovarë që kanë punuar në Nyrenberg, thonë se Bardhi Gërvalla, shumë vjet më parë ka punuar me konsullatën jugosllave dhe ka qenë përkthyes me kosovarët, mandej u kthye në Kosovë dhe u dergua me punë në Entin e inkuadrimit të punëtorëve ku është edhe sot.
3. Disa lidhje të I. Gërvallës e B. Gërvallës, që i shoqërojmë lëvizjet e tyre në RFGJ, ditët e fundit janë parë në bisedë me Vedut Savasanin në një kafene dhe dyshojmë për lidhet e tyre me Vedutin, që njihet si armik i tyre e i Shqipërisë. Teli është parë nga Sh. Jorgaq dhe shënon: Degës III, I. Sh. Veip shënon: Ganiut. Të bëhet informacion për sh. A. Haxhia pjesa që bënë fjalë për I, Gërvallën.
Nxorri P. Op.
Piro Laçka
4147 D72
SEKRET
Ekzemplar i vetëm
Tiranë, më 02.XII.1982
Parisi me telin nr. 1888, datë 27.08.1982 njofton MPJ:
Kosovarët Sali Konjusha dhe Daut Zhitia, teknikë në TEC-in e Obiliqit, ndër të tjera thanë: …
Para dy muajve, është liruar nga burgu vëllai i Isuf Gërvallës. Në burg ai është torturuar në mënyrë çnjerëzore sa mezi njihet. Familja e tij është izoluar plotësisht në mënyrë që askush të mos ketë mundësi për t’u takuar me ta.
U shtyp në një kopje për fashikullin e Isuf Gërvallës.
Punëtori Operativ
Ylli Ulqinaku
4147 – D – 72
Dhënë nga “926”
“SEKRET”
Ekzemplar nr. 1
Tiranë, më 6.8.1982
INFORMATË
Vrasjen e Isuf Gërvallës e ka organizuar Mehmet Hasko nga fshati Ishiq i komunës së Deçanit. Mehmeti është i vëllai i Iber Haskës, ish funksionar i UDB-së në Gjakovë në kohën e Rankoviçit. Mehmeti ishte në shërbim të UDB në federatë. Aktualisht, ai ndodhet në Kosovë. Jugosllavët kanë filluar t’i çojnë kosovarët në burgjet e Zenicës e Foca të Bosnjës dhe ne Bulieq të Malit të Zi.
Nxorri në katër kopje pop, Aleksandër Thana, dt, 6.8.1982 nga raporti informativ i “926” i dt 6.6.1982.
4147/72
SEKRET
Ekzemplar i vetëm
Tiranë, më 8.2.1982
EKSTRAKT
Në vazhdim Mehmet Mehmeti na tha mua dhe Kostës:
Vrasja e Isuf Gërvallës me dy të tjerët ka shkaktuar indinjatë të thellë te shqipëtarët. Me radhë kanë shkuar njerëz në shtëpitë e tyre për t’u shprehur ngushëllime. Pas kësaj organet jugosllave kanë marrë masa për të ndaluar shkuarjen në masë. Nëpër mbledhje të ndryshme atyre u kanë vënë emra të tilla si “kriminel”, “bandit”, “tradhëtar” etj., dhe kanë paralajmëruar se kushdo që do të shkojë në shtëpitë e tyre do ketë pasoja.
Njerëzit janë të indinjuar që serbët këtë veprim e kanë kryer me dorën e shqipëtarëve të shitur tek ata. Unë dhe disa shokë të mi mendojmë se organizator direkt të vrasjes janë Fran Ndrejaj dhe Meleq Selmani, të cilët janë derguar në RFGJ nga organet e UDB-së për të kryer akte terrori ndaj shqiptarëve.
Nxjerrë nga teli nr. 158, dt 29.1.1982, dërguar nga Ambasada e Sofjes.
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPERISE
MINISTRIA E PUNEVE TE BRENDSHME
DREJTORIA E TRETE
Sekret
Ekzemplar Nr.______
Tiranë, më 25.09.1982
INFORMACION
Sipas informacioneve të dhëna nga burime të ndryshme në drejtim të Isuf Gërvallës, që bëjnë fjalë për dyshime si agjent i zbulimit jugosllav, del:………………………….
1. Hasan Morina, nga Prishtina, person me dyshime “Nga ata që kanë qenë në listë për t’u arrestuar është edhe Isuf Gërvalla, shkrimtar. Ai është arratisur në Gjermani, por për këtë ka dyshime, sepse ditën që i ka bërë UDB-ja kontroll në shtëpi dhe në qendrën e punës, ai është larguar në Gjermani. Atje ka një vëlla. Flitet se arratisja e tij do të jetë kurdisur nga UDB-ja
2. Riza Saliu, me dyshime si agjent i UDB-së ka thënë: “Isuf Gërvalla është agjent i UDB-së. Të dhënat e tij mbi gjendjen në Kosovë nuk janë të vërteta. Në takimet e ardhshme me të në Gjermani të mos i dilet se mund të organizohet ndonjë provokacion”.
3. Ahmet Sadiku, me dyshime ka thënë: “Pas ngjarjeve të mars-prillit punëtorëve u flitet se Kosova nuk do t’i jepet asnjë nga kërkesat e bëra, se ajo humbi edhe ato që kishte fituar, se gjithçka do të zgjidhet vetëm me forcën e armëve, prandaj u bëhet thirrje të jenë të gatshëm për t’u kthyer në Kosovë dhe të japin ndihmë me të holla. Vendin kryesor në këtë propagandë e zënë Isuf Gërvalla e Ibrahim Kelmendi me shokët e tyre. Këta të dy kanë qenë shumë shokë, por janë grindur dhe janë ndarë… Isuf Gërvalla ka kohë që mbledh të holla nëpër kosovarët. U ka kërkuar edhe punëtorëve, por ata nuk i kanë dhënë, sepse thonë është i arratisur nga Kosova me detyra të UDB-së.
4. Murat Bllaka, në përpunim. “Duke u nisur nga mënyra e veprimit (arratisjes nga Jugosllavia) nuk perjashtohet ndonjë mundësi që dërgimi i tij në RFGJ të jetë bërë nga vetë Jugosllavët, për të depërtuar në radhët e grupeve e për identifikimin e organizatave të tyre. Megjithatë, po të gjykosh nga disa shkrime që janë bërë nga grupet, rezulton se është krejt stili i Isufit”.
5. “Kimisti”, burim i arshivuar për dyshime: “Isufi dhe Ibrahimi thonë se për këto çështje (përsa shkruanin në shtypin që nxirrnin në Gjermani) është marrë edhe mendimi i Tiranës, gjë që ka ngjallur dyshime, sepse Shqipëria e ka thënë në radio e gazeta çfarë duhet të bëjë Kosova”.
6. “153”, burim i besuar: “Isuf Gërvalla po bën lojën e sovjetikëve apo të UDB-së në kurriz të kosovarëve… për mua Isuf Gërvalla njihet vetëm si njeri negativ”.
7. “Radisti”, burim i besuar: “Kroni” (burim i dyshimtë) i ka dhënë Ibrahim Kelmendit dhe Isuf Gërvallës 120 mijë dollarë për të bërë demonstratë kundër Jugosllavisë, por këto i shërbejnë rusit e jo Kosovës e Shqipërisë.
Mbështetur nga sa më sipër mendojmë:
1. Kryesisht të dhënat negative në ngarkim të Isuf Gërvallës, janë nga burime të dyshimta dopiorol dhe me materiale negative.
2. Edhe ato të dhëna që janë nga dy burime të besuara, janë kryesisht fjalë të dëgjuara nga të tjerët dhe jo biseda direkte apo të dhëna konkrete.
3. Të dhënat e dyshimta për figurën e Isuf Gërvallës mendojmë se janë përhapur në mënyrë të organizuar nga vetë organet e UDB-së me qëllim diskretitimin dhe përçarje në radhët e forcave të shëndosha që ndodhen në emigracionin ekonomik Kosovar jashtë.
DREJTORI I DREJTORISË III
(Perlat ÇAUSHI)
RRETH NGJARJEVE NË KOSOVË
NË NJË QYTET GJERMANO-PERËNDIMOR VRITEN
TRE JUGOSLLAVË
ME ORIGJINË SHQIPTARE
SHTUTGART, 18 janar (ASPRESS). Tre jugosllavë, për të cilët u tha se ishin nacionalistë shqiptarë, u vranë kur disa të panjohur të armatosur hapën zjarr kundër makinës së tyre në një rrugë fshati pranë Heilbronit, njoftoi të hënën Policia. Një zëdhënës i saj tha se sulmi ndodhi sapo makina u nis nga shtëpia e njërës prej viktimave në fshatin e vogël, Untergrupenbah, rreth 60 km nga Shtutgarti, natën vonë të ditës së dielë.
Policia tha se si rezultat i zjarrit të hapur u vra shoferi 30- vjeçar, në të njëjtën kohë pasagjeri 28-vjeçar, ndërsa i treti me moshë 36-vjeçare vdiq nga plagët e marra në spital. Policia e identifikoi shoferin Bardhosh Gërvalla, vëllain e tij Jusuf dhe pasagjerin Kadri Zeka. Policia tha se ajo dyshon për motive politike pas sulmit të lartpërmendur, pasi të tre burrat ishin me origjinë shqiptare.
Para se të vdiste në spital nga plagët e marra gjatë zjarrit të hapur, Jusuf Gërvalla akuzoi policinë sekrete jugosllave për sulmin, tha zëdhënësi i Policisë. Zyrtarë të Sigurimit në Shtutgart thanë se të tre shqiptarët etnikë mbështesnin kërkesat e nacionalistëve shqiptarë për një Repuplikë jugosllave të Kosovës për t’ia aneksuar Shqipërisë. Antagonizmat midis shqiptarëve dhe jugosllavëve shpërthyen në trazirat e mëdha në Kosovë, pranverën e kaluar.
SHTUTGART, 18 janar/DPA/. Një nga tre shqiptarët e mërguar jugosllavë, që u vranë të dielën natën jo larg prej këtej, duke dhënë shpirt akuzoi policinë sekrete jugosllave se qëndronte pas vrasjes – tha sot shërbimi lokal i hetimeve kriminale. Të tre burrat, dy prej të cilëve vëllezër, u goditën gjatë këtij sulmi dhe njëri prej tyre arriti të bëjë deklaratë në vendin e ngjarjes. U tha se viktimat quheshin Bardhosh e Jusuf Gërvalla e Kadri Zeka.
Jusuf Gërvalla, i cili i mbijetoi sulmit për pak orë, siç njoftohet akuzohej nga burimet zyrtare jugosllave se ishte anëtar e drejtues i një organizate antijugosllave.
Sipas burimeve zyrtare gjermano-perëndimore, sulmi u krye të dielën natën pak pasi të tre të mërguarit jugosllavë dolën me makinë nga një garazh. Sulmuesit e armatosur hapën zjarr kundër makinës rreth 40 m nga garazhi, duke vrarë dy e duke plagosur Jusuf Gërvallën. Menjëherë pas sulmit, sikurse njoftohet dëshmitarët panë që po largoheshin dy vetë nga vendi i ngjarjes.
Nxjerrë dt. 18.1.1982
SEKRET
Ekzemplar nr.________
Tiranë, më 8.2.1982
Vjena me telin 70, dt. 28.1.1982 njofton sh. Perlat
Sikurse mund të jeni në dijeni, tre kosovarët që u vranë mbaheshin në lidhje nga shoku Engjëll Koloneci. Për të tre këta e Ibrahim Kelmendin kanë dalë të dhëna që ju kam njoftuar. Po kështu, u kam njoftuar çka është folur për punën e shokut tonë me ta, për gjërat që qarkullojnë për ekspozim etj. Nisur nga sa doli tërheqim këto mendime paraprake:
1. Puna e kontaktet e shokut tonë e ta morën që në fillim karakter të fshehtë agjentural ngaqë takimet bëheshin jashtë selisë e në konspiracion të plotë. Këto janë mbajtur sekret edhe ndaj shokëve të ambasadës këtu. Është preferuar të lëvizet me kosovarë sesa me shokët tanë për kontakte me ta. Kështu kur ishte në Munich ka shkuar prej këtej në Shtutgart me një kosovar natën, duke qenë atje edhe tre diplomatë nga ne. Disave nga këta si K. Zekës i ka shkuar dhe në shtëpi. Kjo ka shkaktuar interes e kuriozitet në mes të tyre për këtë marrëdhënie.
2. Që të tre viktimat janë takuar kudo këtu në Austri, Gjermani e Zvicër, ka pasur edhe lëvizje me urgjencë duke u shkuar atyre edhe në vendet ku ndodheshin. Mendoja se nuk është pasur shumë kujdes për të ruajtur punën dhe ata vetë. Këta vetë kanë folur për këto kontakte me shokun Engjëll Koloneci.
3. Nga një punë e tillë lindën edhe thashetheme se këta janë udhëheqësit e punëtorëve, merren me organizimin e veprimeve patriotike, organizojnë demonstratat, futin literaturën në Kosovë, se këta nxorrën çakmakët etj.
4. Megjithë, sinjalizimet nuk u mor asnjë masë për të ulur e parandaluar zërat që rriteshin se veprimtaria jashtë drejtohet nga këta dhe ndihmohen nga ana jonë. Jo vetëm kaq, por edhe autorizimi për të lëvizur e shkuar kudo pa marrë miratimin e MPJ.
5. Përpjekjet që u bënë per afirmim e bashkimin e tyre në një qendër të vetme për krijimin e një komiteti, pa njohur thellë pozitën e sejcilit dhe bindjet politike, ideologjike të tyre nxorën dhe krijuan probleme midis tyre. Këto përpjekje bënë të njohur punën e personave e grupeve gjë që mund të sjellë edhe ekspozimin e tyre e të lidhjeve që këta mbanin me shokun tonë, para UDB-së, sepse mendoja që duhet të ketë edhe agjentë ndër ta.
6. Telefonata e bërë për veprime të mprehta në drejtim të shokut tonë duhej marrë seriozisht, krahas kujdesit për të ruajtur veten, mendojmë se në forma e rrugë të ndryshme edhe këta duheshin sinjalizuar për të vënë roje për këtë tendencë të mprehtë të UDB-së.
7. Vrasja e tyre është organizuar nga UDB-ja. 8. Mendojmë që materialet e grumbulluara ne qendër t’i analizojmë e të tërheqim detyra për punën tonë.
Shoku M. Caka shënon: ky, të bëj vetë një informacion për shokun Ramiz e t’ia japim shokut Hekuran për t’a parë më parë. Shoku Jorgaq shënon: Të nxirren e vendosen fashikujt e tyre. Shoku Mitro bën gabim që i ngre në këtë frymë këto çështje. Ai duhet të informojë vetë KQ.
Punëtori operativ, Luftar Alushi
VIJON….
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al